Prokuroria e Parisit ka nisur një hetim për të hedhur dritë mbi financimin e dyshuar të paligjshëm të fushatës së Marine Le Pen gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022.
Hetimi i cili ka nisur më 2 korrik i pason një raporti të vitit 2023 nga Komisioni Kombëtar për Llogaritë e Fushatës dhe Financimin Politik (CNCCFP), i cili shqyrton shpenzimet zgjedhore dhe financimin e kandidatëve.
Në këtë hetim do të shqyrtohen akuzat për përvetësim, falsifikim dhe mashtrim. Në zgjedhjet franceze, kandidatëve u ndalohet të kalojnë një kufi të caktuar shpenzimesh. Por, 55-vjeçarja që drejton Tubimin Kombëtar në Francë, nuk është kandidatja e vetme në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022 që po hetohet.
Raporti nxjerr në pah disa parregullsi si huamarrja nga një person juridik ndaj një kandidati gjatë fushatës zgjedhore, shpërdorimi i aseteve nga persona me funksione publike, mashtrimi i kryer ndaj një organi publik dhe falsifikimi dhe përdorimi i falsifikimeve.
Autoriteti, i cili duhet të kontrollojë shpenzimet e fushatës elektorale të kandidatëve, të cilat kanë një tavan dhe një pjesë rimbursohen nga shteti, kishte denoncuar në Prokurori parregullsi.
Në dhjetor të vitit 2022, i njëjti organ kishte rregulluar shpenzimet për lyerjen e 12 autobusëve të marrë me qira me simbolin e kandidatit dhe partisë, për një shumë prej 316,182 euro. Shpenzimet u konsideruan “të parregullta”.
Marine Le Pen kishte apeluar në Këshillin Kushtetues dhe më pas hoqi dorë nga iniciativa. Ish-kandidatja investoi rreth 11.5 milionë euro në fushatën zgjedhore, ku doli e treta.
Le Pen dhe partia e saj kanë mohuar më parë akuzat në lidhje me financimin e fushatës.
Le Pen do të dalë në gjyq më vonë këtë vit së bashku me 27 të tjerë për keqpërdorim të supozuar të fondeve të Bashkimit Evropian, akuza që partia e Le Pen ka thënë se i kundërshton.
Lini një Përgjigje