TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Korrik 2024, 18:47

Ç’duhet pritur nga mandati i dytë i Ursula Von der Leyen në krye të BE-së

Shkruar nga James Batchik
Ç’duhet pritur nga mandati i dytë i Ursula Von der Leyen
Usrula von der Leyen

Dhe ndërsa Komisioni Evropian po përpiqet të marrë një rol më të madh në politikat tradicionale të drejtuara nga shtetet anëtare, si siguria dhe mbrojtja, Von Der Leyen do të duhet të përballet me shtete anëtare më të angazhuara, të cilët do të kërkojnë lëshime apo të ushtrojnë ndikimin e tyre në nivelin e BE-së.

Parlamenti Evropian votoi të enjten me një diferencë të madhe pro zgjedhjes së Ursula Von der Leyen për një mandat tjetër 5-vjeçar si presidente e Komisionit Evropian. Konfirmimi i saj në këtë post, është një lajm i mirë për Evropën dhe marrëdhëniet transatlantike.

Por këtë herë, ajo do të përballet me një sërë sfidash të ndryshme sesa në mandatin e parë, dhe ato do të vijnë si nga brenda Bashkimit Evropian ashtu edhe jashtë tij. Po çfarë mund të pritet nga ajo në mandatin e ri? Përpara konfirmimit, zonja Von Der Leyen premtoi një sërë hapash për mandatin e ardhshëm, në një përpjekje të kombinuar për të përshkruar vizionin e saj por edhe për të fituar votat e nevojshme.

Shkurtimisht ato përfshijnë ndërtimin e një Evrope më konkurruese, e cila balancon rregulloren dhe inovacionin dhe lehtëson tranzicionin drejt një ekonomie më pak ndotëse; rritjen e ambicieve të BE-së në fushën e mbrojtjes; nxitjen e politikave sociale dhe ekonomike si strehimi i përballueshëm për të gjithë; mbështetjen e politikave bujqësore dhe mjedisore; mbrojtjen e demokracisë në Evropës dhe mbështetjen e interesave globale dhe gjeopolitike të saj.

Në praktikë, kjo do të thotë se mandati i saj i ardhshëm nënkupton një rol më qendror dhe më aktiv për Komisionin,  dhe për vetë Von Der Leyen. Por po ashtu, ka të ngjarë të ketë më shumë pengesa nga Këshilli Evropian dhe Parlamenti. Së pari le të ndalemi tek stili i saj i udhëheqjes. Në mandatin e parë, Von Der Leyen e ktheu Komisionin Evropian në krahun më të rëndësishëm brenda BE-së, në një kohë kur krizat e reja ishin të shpeshta. Ajo ishte krye-vendimmarrësja dhe negociatorja e BE-së gjatë krizës së Covid-19, ndihmoi në koordinimin e përgjigjes së Evropës ndaj pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, dhe diktoi strategjinë e BE-së për mos-rrezikimin ekonomik dhe për një qasje më të ashpër ndaj Kinës, duke u sjellë si “xhandari i keq” i Evropës, që përballej me praktikat shtrënguese dhe të padrejta tregtare të Pekinit.

Duke lënë mënjanë ankesat e një drejtueseje të suprimuar nga organet e tjera tjerë të BE-së dhe kryeqytetet kombëtare, liderët evropianë kërkuan nga Komisioni dhe Von Der Leyen që të ndërmerrte veprime konkrete për sfidat. Kështu roli i KE u rrit më tej edhe nga sukseset e tij.

Në mandatin e saj të parë u miratuan rregulloret kryesore për tranzicionin dixhital dhe atë të gjelbër. BE-ja ishte lidere në botë për rregulloret mbi përdorimin e Inteligjencës Artificiale , moderimin e përmbajtjes në internet dhe konkurrencën midis platformave, teksa nxiti edhe prodhimin e gjysmëpërçuesve në kontinent.

Po ashtu, ajo i dha përparësi politikave të gjelbra për të reduktuar emetimet e gazrave në atmosferë , përfshirë Mekanizmin e Rregullimit të Kufirit të Karbonit dhe vendosjen e objektivave të reja për reduktimin e emetimeve për makinat, transportin dhe fabrikat.

Numri në rritje i grupeve të ekstremit të djathtë, ka të ngjarë të shtojë vështirësitë në procesin e hartimit dhe miratimit të ligjeve. Në mandatin e saj të dytë, Von Der Leyen do të kërkojë ta vazhdojë punën aty ku e ka lënë. Po ashtu, Komisioni do të synojë të ketë një rol më të madh në mbrojtjen tradicionale dhe axhendat e sigurisë ekonomike, me synim forcimin e aftësitë mbrojtëse të Evropës përballë Rusisë dhe shmangien e rrezikut nga Kina.

Përqendrimi i Von Der Leyen tek një axhendë konkurruese, do të nxisë inovacionin dhe një mbështetje më të madhe ndaj industrive duke e çuar më tej tranzicionin e gjelbër. Në fjalimin e saj pas votimit, zonja Von Der Leyen premtoi një “fond evropian të konkurrencës” dhe një “marrëveshje mbi industrinë e pastër” brenda 100 ditëve të para të mandatit të ardhshëm, së bashku me investime më të mëdha në infrastrukturën energjetike dhe teknologji.

Dhe e gjitha kjo do të vijë me një kosto financiare, dhe me më shumë përgjegjësi për Komisionin. Nga ana tjetër, do të ketë kufizime për ambiciet e saj, teksa shtete dhe parlamentet e vendeve anëtare, do të kërkojë që të ushtrojë pushtetin e tyre. Qendra politike e Evropës nuk është ajo që ishte në vitin 2019, dhe anëtarët e BE-së do të duan rritjen e ndikimit të tyre.

Në këto kushte, zonja Von Der Leyen do të detyrohet të përballet me një numër në rritje udhëheqësish populistë rreth tryezës në mbledhjet e Këshillit. Më shumë qeveri të ekstremit të djathtë mund të shfaqen gjatë 5 viteve të ardhshme, përfshirë vende të mëdha si Franca, ndërsa Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen po i afrohet gjithnjë e më shumë pushtetit.

Dhe ndërsa Komisioni Evropian po përpiqet të marrë një rol më të madh në politikat tradicionale të drejtuara nga shtetet anëtare, si siguria dhe mbrojtja, Von Der Leyen do të duhet të përballet me shtete anëtare më të angazhuara, të cilët do të kërkojnë lëshime apo të ushtrojnë ndikimin e tyre në nivelin e BE-së.

Edhe grupet e ekstremit të djathtë dhe të djathtë në Parlamentin Evropian, do të synojnë të thonë fjalën e tyre. Në dallim nga mandati i saj i parë, politikanët e guximshëm të së djathtës janë më të interesuar të ndikojnë mbi politikën e BE-së në vend se të punojnë kundër saj.

Numri në rritje dhe ndikimi i grupeve të ekstremit të djathtë dhe të djathtës tradicionale, ka të ngjarë të shtojë vështirësitë në procesin legjislativ, dhe ligjet mund të kalojë përmes koalicioneve të përkohshme dhe jo sipas traditës së koalicioneve të mëdha të parlamenteve në të kaluarën.

Ndikimi më i madh i të djathtës, mund të pengojë ambicien e miratimit të rregulloreve të reja nga Komisioni. Von Der Leyen premtoi se do të vazhdojë tranzicionin e gjelbër, por rregullat e gjelbra të BE-së janë bërë tashmë një objektiv politik i sulmuar nga e djathta. Platformat e Partisë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë (PPE), ku bën pjesë Von Der Leyen dhe konservatorët e reformistët evropianë, kanë shprehur kundërshtime ndaj rregulloreve të reja të ashpra, sidomos atyre që lidhen me tranzicionin e gjelbër.

Në aspektin institucional, Komisioni është krijuar për të paraqitur rregullore dhe propozime të reja. Është organi i vetëm brenda BE-së që mund ta bëjë këtë. Por kjo dëshirë, do të jetë një moment fërkimi me neverinë që ekziston midis shteteve anëtare dhe Parlamentit ndaj rregullave të reja, që për to janë shumë të ashpra.

Por Von Der Leyen do të përballet me sfida edhe nga përtej Evropës. “Ne kemi hyrë në një epokë të rivaliteteve gjeostrategjike”- theksohet në propozimet e saj. Në lindje, Pekini do të vazhdojë të përpiqet ta përçajë Evropën dhe të sabotojë axhendën e BE-së. Ndërkohë mbështetja e Ukrainës kundër pushtimit rus, do të kërkojë vëmendje dhe fonde të qëndrueshme.

Në Perëndim, Von Der Leyen nuk mund të injorojë zgjedhjet e ardhshme në SHBA. Një transatlanticiste e zjarrtë, ajo e afroi më shumë BE-në me SHBA-në gjatë mandatit të parë,

duke përfituar nga një administratë e re në Uashington që ishte miqësore me Brukselin.

Ndërkohë, në rastin e një mandati të dytë të Trump, ajo ka të ngjarë të përballet me një betejë të fortë për forcimin e lidhjeve transatlantike. “Evropianët po na trajtojnë shumë keq!”- tha ish-presidenti Donald Trump më 25 qershor për Bloomberg, kur u pyet mbi Bashkimin Evropian.

Konfirmimi në detyrë i Von Der Leyen, i shton gjasat që BE-ja të ketë sukses në synimet e saj. Refuzimi i kandidaturës së saj, do ta kishte detyruar Këshillin Evropian të riniste negociatat për të zgjedhur një emër tjetër, ndoshta më të dobët, duke humbur më shumë kohë me grindjet e brendshme dhe politikën, pikërisht në një kohë kur jetike është parashikueshmëria dhe jo kaosi.

Nëse do binte kandidatura e Von Der Leyen, nuk është e vështirë të përfytyrosh qesëndinë e Pekinit, talljet nga Moska, madje edhe komentet e ashpra nga Uashingtoni për mosfunksionimin e BE-së. Sipas komisionerit grek Margaritis Schinas (aleat i Von Der Leyen) nuk “kishte  një plan B” ndaj emërimin e saj. Ndaj është mirë që funksionoi që plani A./ Përshtati "Pamfleti" Nga “The Atlantic”

Shënim:James Batchik, drejtor i asociuar në Qendrën për Evropën në thinj-tankun “Atlantic Council”.

ursula von der leyen komisioni europian

Lini një Përgjigje