
Një objekt misterioz ndriçues, i përshkruar si një “yll me tetë cepa”, që lëviz me shpejtësi në qiell, është ndër videot më të komentuara të publikuara nga administrata amerikane në valën e re të dosjeve të deklasifikuara për UFO-t.
Pamjet infra të kuqe, të regjistruara nga personel ushtarak amerikan në vitin 2013, tregojnë një objekt të pazakontë që lëviz në errësirë me forma të çrregullta dhe krahë që duket se ndryshojnë vazhdimisht.
Në një moment, sensori ushtarak zmadhon objektin ndërsa ai kalon me shpejtësi në ekran, duke lënë pas një gjurmë ndriçuese.
Sipas raportit shoqërues, objekti kryente lëvizje të menjëhershme, ndryshonte drejtim në mënyrë të papritur dhe zhdukej disa herë nga fusha vizuale para se të rishfaqej pak çaste më vonë.
Zyrtarët që dokumentuan videon theksuan se përshkrimi teknik i pamjeve është vetëm informues dhe nuk duhet të interpretohet si provë për natyrën apo origjinën e objektit.
Videoja është pjesë e paketës së parë të dosjeve të shumëpritura për UFO-t që administrata Trump publikoi të premten. Materialet përfshijnë qindra video, fotografi, dëshmi dhe dokumente të klasifikuara më parë nga Pentagoni dhe agjencitë federale amerikane.
Publikimi vjen disa muaj pasi presidenti Donald Trump urdhëroi Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth të deklasifikojë dokumentet qeveritare që lidhen me UFO-t dhe aktivitetin e dyshuar jashtëtokësor.
Kongresmeni republikan nga Tennessee, Tim Burchett, i cili prej vitesh kërkon publikimin e dosjeve sekrete për UFO-t, reagoi në platformën X duke shkruar:
“Mbani mend se autoritetet federale na thanë se këto dosje nuk ekzistonin. Trump u përball me shtetin e thellë. Publikimi i parë do të jetë i madh, por krahasuar me atë që po vjen do të jetë vetëm një pikë në oqean.”
Materiale nga misionet Apollo
Ndër materialet që tërhoqën më shumë vëmendje janë edhe dokumente dhe fotografi të lidhura me misionet hënore Apollo 12 dhe Apollo 17 të NASA-s.
Një fotografi e realizuar nga sipërfaqja e Hënës duket se tregon tre pika të pashpjeguara në qiellin e errët mbi satelitin natyror të Tokës.
Gjithashtu, në një transkript të misionit Apollo 17, astronautët diskutojnë për objekte misterioze që lëviznin pranë anijes kozmike gjatë fluturimit.
“Tani kemi disa grimca ose objekte shumë të ndritshme që po kalojnë pranë nesh ndërsa manovrojmë”, dëgjohet të thotë një operator gjatë komunikimit me qendrën e kontrollit.
Një tjetër astronaut përgjigjet:
“Ka shumë të tilla pranë dritares sime, shumë të ndritshme. Duket si fishekzjarre të 4 korrikut.”
Pas publikimit të dosjeve në faqen zyrtare të Departamentit amerikan të Mbrojtjes, Donald Trump reagoi në rrjetin Truth Social.
“Në emër të transparencës së plotë dhe maksimale, pata nderin të urdhëroj administratën time të identifikojë dhe publikojë dosjet qeveritare që lidhen me jetën aliene dhe jashtëtokësore, fenomenet ajrore të paidentifikuara dhe objektet fluturuese të paidentifikuara”, shkroi ai.
Trump shtoi se administratat e mëparshme “kanë dështuar të jenë transparente” mbi këtë çështje, ndërsa tani “publiku mund të vendosë vetë se çfarë po ndodh”.
Raporte të reja ushtarake
Paketa e deklasifikuar përfshin edhe fotografi të FBI-së nga nata e Vitit të Ri 1999, ku shfaqen objekte të paidentifikuara pranë avionëve ushtarakë amerikanë.
Në dokumente gjenden gjithashtu pamje të realizuara nga pilotë ushtarakë që pretendojnë se tregojnë objekte me shpejtësi të lartë duke kaluar pranë avionëve gjatë fluturimit.
Një raport i ri ushtarak, i njohur si “MISREP”, përshkruan një rast ku një pjesëtar i forcave amerikane vëzhgoi “disa objekte të ndritshme që manovronin me shpejtësi nga perëndimi drejt verilindjes”.
Sipas raportit, një prej objekteve u ndoq për rreth 20 sekonda përmes sistemit të synimit të avionit ushtarak.
Lini një Përgjigje