
Dokumentet zbulojnë klauzola që favorizojnë investitorin dhe rrezikojnë buxhetin publik serb...
Qeveria e Serbisë ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë e Jared Kushner për zhvillimin e kompleksit të ish Generalštab në qendër të Beogradit. Dokumentet e publikuara tregojnë një strukturë kontraktuale që i jep investitorit një pozicion dominues në projekt dhe që e ngarkon shtetin me detyrime të mëdha financiare, ligjore dhe urbanistike. Shoqëria e përbashkët u regjistrua në maj 2024 me kapital fillestar 10 mijë euro. Serbia kontribuoi 2 mijë e 250 euro dhe partneri amerikan 7 mijë e 750 euro. Kjo strukturë i dha investitorit 77.5 për qind të aksioneve dhe Serbisë vetëm 22.5 për qind. Shteti i dha investitorit të drejtën të përdorë dy parcela në komunën Savski venac për 99 vjet pa pagesë. Burimet e përfshira në analizë theksojnë se investitori mund të kalojë në pronësi të tokës pa pagesë pas përfundimit të projektit, nëse përmbushen kushtet e kontratës.
Marrëveshja i jep investitorit të drejtën të ndryshojë njëanshmërisht projektin. Shteti mban detyrimin të heqë statusin e mbrojtjes kulturore të objekteve, të kryejë rrënimin, të sistemojë kompleksin dhe të sigurojë dokumentet urbanistike. Nëse Serbia nuk i përmbush trembëdhjetë kushtet brenda majit 2026, investitori mund të zgjidhë marrëveshjen dhe të kërkojë kompensim. Analizat e brendshme të institucioneve serbe vlerësojnë se detyrimet e mundshme mund të arrijnë deri në 50 milionë euro, në varësi të fazës së ndërprerjes së kontratës. Vlera ekonomike e tokës për investitorin arrin nga 160 milionë euro deri në mbi 300 milionë euro, sipas skenarëve të analizuar në raportet ekonomike të publikuara në Serbi.
Kusner kërkon edhe përjashtim nga ligji për menaxhimin e shoqërive në pronësi shtetërore. Kjo kërkesë do ta lironte kompaninë e përbashkët nga rregullat standarde të qeverisjes korporative kur shteti zotëron pjesë të kapitalit. Ky model zvogëlon transparencën dhe kontrollin që organet publike duhet të ushtrojnë mbi një projekt të tillë, veçanërisht kur prona publike përfshihet në marrëveshje afatgjatë.
Projekti ndryshon në mënyrë të drejtpërdrejtë mënyrën se si Serbia menaxhon hapësirën qendrore të Beogradit. Zona e Generalštab ka vlerë të lartë simbolike dhe historike. Në mënyrë të qartë, qeveria e Serbisë pranoi të sakrifikojë statusin e mbrojtjes kulturore për të hapur rrugë zhvillimit privat. Dokumentet tregojnë se investitori nuk ka detyrim financiar të krahasueshëm me vlerën e pronës që merr në përdorim. Shteti mban riskun më të lartë financiar dhe ligjor, ndërsa investitori fiton fleksibilitet maksimal për ndryshimin e projektit dhe të strukturës së tij.
Ky precedent ka rëndësi edhe për vendet e tjera të Ballkanit. Shqipëria ndodhet në një fazë ku projektet urbane dhe turistike të mëdha përfshijnë shpesh negociata mes shtetit dhe investitorëve të huaj. Rasti serb tregon se një marrëveshje e ndërtuar pa balancë reale midis detyrimeve dhe përfitimeve krijon rrezik të madh për buxhetin publik, territorin dhe pronën shtetërore. Detyrimet homogjene, mundësia e kompensimit të lartë dhe dhënia e tokës në përdorim pa pagesë për periudha shumë të gjata krijojnë modele që mund të përsëriten në rajon, nëse institucionet nuk vendosin standarde të forta kontrolli.
Projekti ngre pyetje për transparencën e vendimmarrjes, vlerësimin real të pronës publike dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Struktura ligjore që e vendos investitorin në pozicion dominuese dhe që detyron shtetin të kryejë detyra komplekse përpara afateve të ngushta e vë Serbinë në pozitë të dobët. Nëse shteti dështon të përmbushë detyrimet, buxheti publik mund të mbajë dëmshpërblime të larta, ndërsa investitori ruan autonominë dhe përfitimet e siguruara me kontratë./Pamfleti
Lini një Përgjigje