TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Maj 2026, 19:26

Detaje nga tmerri në Itali, një grua humbi të dyja këmbët në vend; si kalimtarët neutralizuan autorin

Shkruar nga Pamfleti
Detaje nga tmerri në Itali, një grua humbi të dyja
Momenti kur ndërhyjnë stafi i urgjencës

Dalja në dritë e dëshmive të reja ka zbuluar skena dramatike nga ngjarja e rëndë që tronditi qendrën e Modenas në Itali, ku një makinë me shpejtësi të lartë mori para këmbësorët në trotuar, ndërsa drejtuesi i saj më pas tentoi të sulmonte qytetarët me thikë.

Sipas autoriteteve italiane, shtatë persona mbetën të plagosur, dy prej tyre në gjendje shumë të rëndë. Viktima më e rëndë është një grua, e cila sipas dëshmive humbi të dyja këmbët pas përplasjes së fortë.

Ngjarja ndodhi në Via Emilia Centro, në zemër të qytetit të Modenas. Dëshmitarët thanë se makina u drejtua me shpejtësi të madhe drejt trotuarit, duke goditur fillimisht një biçikletë dhe më pas një grup këmbësorësh.

Pamë njerëzit të fluturonin në ajër. Makina përshpejtoi papritur dhe u fut drejt trotuarit me të paktën 100 kilometra në orë”, treguan dëshmitarët për mediat italiane.

Pas përplasjes, drejtuesi i automjetit doli nga makina dhe tentoi të arratisej. Sipas dëshmive, ai kishte me vete një thikë dhe sulmoi një qytetar që u përpoq ta ndalonte.

Luca Signorelli, një nga personat që ndoqi autorin, tregoi momentet dramatike të ndjekjes.

Po përpiqesha të ndihmoja gruan që kishte humbur këmbët kur ai u largua me vrap. E ndoqa bashkë me 4-5 persona të tjerë. U fsheh pas disa makinave dhe doli papritur me thikë në dorë. Fliste diçka, por nuk ishte italisht”, deklaroi ai, ndërsa ishte ende i gjakosur në kokë nga plagët e marra gjatë përleshjes.

Sipas Signorellit, autori tentoi ta godiste me thikë gjatë përleshjes, por qytetarët arritën ta neutralizonin deri në mbërritjen e policisë.

Kryebashkiaku i Modenas, Massimo Mezzetti, falënderoi publikisht qytetarët që ndërhynë për të ndaluar autorin.

Ai ishte i armatosur me thikë. Këta qytetarë treguan guxim dhe ndjenjë të lartë qytetare në një moment dramatik”, deklaroi Mezzetti.

Autori është ndaluar nga policia dhe po merret në pyetje. Sipas mediave italiane, bëhet fjalë për një shtetas italian rreth 30 vjeç me origjinë të huaj, i lindur dhe rritur në zonën e Modenas dhe pa precedentë penalë.

Kryebashkiaku tha se hetimet po vazhdojnë për të kuptuar natyrën e ngjarjes.

Është një akt shumë i rëndë. Nëse rezulton atentat, atëherë situata bëhet edhe më serioze”, deklaroi ai.

Zona ku ndodhi ngjarja është rrethuar nga policia, ndërsa në vendngjarje ndërhynë ambulanca, karabinierë, Guardia di Finanza dhe forca të shumta policore.

itali makina modena

Lini një Përgjigje