Shijojeni edhe pak orë këtë moment zoti Trump, pasi ai është gati të përfundojë...
Donald Trump nuk do të jetë kurrë më i fuqishëm se sa sot. Deri pak orë para ceremonisë së betimit si president i Shteteve të Bashkuara për një tjetër mandat,
ai ka pasur mundësi të bëjë kërcënime të mjegullta por efektive për veprime të papërcaktuara dhe të pakontrolluara nga kufizimet që Kushtetuta i vendos postit presidencial.
Ai e shfrytëzoi shumë mirë periudhën tranzitore, kur një president në detyrë bëhet i parëndësishëm, ndërsa ai që vjen mund të bëjë deklarata të cilat nuk kanë pse të mbështeten domosdoshmërisht nga detaje praktike.
Në shembullin më të dukshëm, ai kërkoi nga Hamasi lirimin e pengjeve izraelite para ceremonisë së inaugurimit të tij dhe arritjen e një marrëveshje armëpushimi në Gaza, në të kundërt “do të shpërthente i gjithë Ferri”.
Nuk ka asnjë dyshim se kjo deklaratë, nuk është një formulim i pranueshëm në procedurat zyrtare të Senatit, që sipas Kushtetutës së SHBA-së, është e vetmja degë e qeverisë që mund të shpallë luftë ndaj një vendi apo entiteti të huaj.
Sigurisht, nuk është e qartë nëse Trump po mbron ndonjë veprim që do të përbënte luftë. Madje nuk është aspak e qartë se çfarë nënkupton ai me shpërthimin e “gjithë Ferrit”. Ndoshta është vetëm një paralajmërim personal për Benjamin Netanyahun, se Shtetet e Bashkuara mund t’ia heqin mbështetjen, duke e vënë shumë në pikëpyetje të ardhmen e tij.
Por duket se thelbi qëndron pikërisht tek termat e paspecifikuara, të shprehura me një ton apokaliptik. Pavarësisht nëse ishte një paqartësi e qëllimshme, e zgjuar apo thjesht një shpërthim i vrullshëm zemërimi, karakteristik për Trump, paralajmërimi i tij ia doli të ndryshojë perspektivat e afërta për një ndërprerje të konfliktit.
Ky lloj improvizimi i lirshëm, nuk mund të ndodhë me një president amerikan në detyrë, që edhe pse është kreu i shtetit, ka më pak pushtet dhe autonomi sesa një kryeministër britanik që nuk është kreu i shtetit (atë pozitë e zë mbreti).
Në fakt, unë mendoj se shpeshherë ekziston një lloj keqkuptimi rreth natyrës së qeverisë amerikane. Presidenti mund të jetë udhëheqës i botës së lirë dhe figura e vetme politike më e plotfuqishme. Por në vendin e tij, ai është kreu i një dege të një sistemi qeverisësh trepalësh.
Kjo gjë mësohet nga të gjithë fëmijët në SHBA. Qeveria përbëhet nga tre degë: legjislativi (Kongresi) që harton ligjet, ekzekutivi (presidenca) që i zbaton ligjet dhe gjyqësori (Gjykata e Lartë) që i interpreton ato.
SHBA-ja është një republikë revolucionare dhe jo një demokraci parlamentare, në të cilën kryeministri si udhëheqës i partisë së shumicës në Dhomën e Komunëve, mund ta përdorë sovranitetin parlamentar për të miratuar çfarëdolloj ligji që do ai dhe partia e tij.
Për këtë arsye, e gjithë qeveria amerikane mund të paralizohet në atë që zakonisht njihet si “ngërç”: nëse partia kundërshtare merr kontrollin e Kongresit, gjë që ndodh shpesh në zgjedhjet e mesit të mandatit presidencial, atëherë një president në detyrë e ka të pamundur të miratojë ligjet që synon.
Ka raste kur bllokohet edhe miratimi i buxhetit federal, dhe në një skenar të tillë duhet të mbyllet përkohësisht i gjithë aparati administrativ i Uashingtonit, pasi nuk mund të financohet. Presidenti nuk mund të firmosë dot ligje të reja dhe as të ndryshojë ligje të vjetra, siç mund të bëjë një kryeministër me një shumicë të konsoliduar.
Pra ka një periudhë të shkurtër kohore, kur mund të bëhet sa më shumë zhurmë që është e mundur - pa pasur ndonjë plan të plotë - përpara se të bëhet betimi se do të “ruajë dhe mbrojë” Kushtetutën, dispozitat e së cilës janë krijuar enkas për të kufizuar pushtete.
Prandaj pyetja kryesore sot është: Sa do t’i ngjajë administrata e dytë Trump kësaj periudhe të veçantë, në të cilën ai mund të ndikonte tek ngjarjet pa autoritetin e detyrës? Për shkak se republikanët kanë shumicën e plotë (pra në Kongres dhe Senat), duhet të jetë e mundur që Shtëpia e Bardhë e Trump t’ia dalë në arritjen e synimeve në shumë fusha.
Sigurisht, është edhe mekanizmi i urdhrit ekzekutivë presidencialë, por edhe për të ka kufizime të përcaktuara rreptësisht. Ndërkaq, brenda Partisë Republikane ka edhe një fraksion të rëndësishëm, i cili ka qenë rezistent ndaj disa prej kandidatëve të tij të kabinetit.
Ata janë sidomos shumë të mërzitur nga ndikimi i madh i Elon Musk, pozicioni i të cilit qëndron jashtë fushëveprimit të përgjegjësisë kushtetuese. Po sikur të ketë një konflikt midis Musk dhe Sekretarit të Shtetit të emëruar në mënyrë legjitime, Marco Rubio, për politikën e jashtme?
Mosmarrëveshjet midis ministrave të kabinetit dhe këshilltarëve presidencialë nuk janë të pashembullt. Por tani në SHBA, ekziston një agjenci krejtësisht e re, e cila është krijuar enkas për të frenuar shpërdorimet dhe burokracinë e tepërt të shtetit.
Çfarë mund të ndodhë kur kërkesa për një efikasitet më të madh, të bjerë ndesh me interesat e departamenteve tradicionale? Shtëpia e Bardhë mund të zhytet me shpejtësi në beteja të brendshme të ashpra, dhe Trump, që u përplas me shumë nga anëtarët e kabinetit të tij mandatin e parë, nuk njihet për finesën e tij diplomatike.
Edhe më problematike mund të jenë pasojat e reduktimit të shpenzimeve për autoritetet e sigurisë dhe të inteligjencës. A do të marrin arkitektët e programit të super efikasitetit, informimet e përditshme që zakonisht rezervohen për presidentin dhe sekretarin e mbrojtjes?
Nëse jo, çfarë pasojash do të ketë kjo për marrëveshjet e sigurisë Five Eyes dhe AUKUS, që janë jetike për sigurinë e Perëndimit në Luftën e re të Ftohtë ? Po në lidhje me rendin e ri botëror, që na gjen përballë një aleance të Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut?
Trump po tërhiqet tashmë nga këmbëngulja e tij, se lufta Rusi-Ukrainë do të përfundojë brenda 24 orëve nga mbërritja e tij në Shtëpinë e Bardhë, dhe ai i ka ndalur vlerësimet publike për Putinin. Ku po shkon saktësisht politika e tij e jashtme? Dhe cilat prioritete do ta përcaktojnë atë?
Kërcënimi me tarifa ndëshkuese për importet kineze, synon të tregojë se ai po vendos në plan të parë ekonominë e Amerikës. Megjithatë, rritja e kostos së mallrave të importuara kineze - nga veshjet te pajisjet elektronike - do të sillte një rritje të madhe të inflacionit dhe kostos së jetesës.
Pasi të marrësh detyrën, gjithçka bëhet shumë më e ndërlikuar. Të qenit i paparashikueshëm dhe i pamatur, funksionon vetëm kur nuk të duhet të specifikosh kërkesat dhe të përshkruash veprimet që do të ndërmarrësh nëse ato nuk plotësohen. Shijojeni edhe pak orë këtë moment zoti Trump, pasi ai është gati të përfundojë./Përshtati Pamleti nga “Daily Telegraph”
Lini një Përgjigje