Një audio në të cilin Donald Trump pranon në një takim në fund të korrikut të 2021 në një klub golfi në New Jersey se kishte dokumente të klasifikuara u bë publik nga CNN.
Ky diskutim është një pjesë kritike e provave për ish-presidentin amerikan dhe akuzave ndaj tij. Sipas CNN, Trump në këtë bisedë i referohet një dokumenti nga Pentagoni që për fshin planet e një sulmi amerikan ndaj Iranit.
Në audio dëgjohet Trump duke u thënë bashkëbiseduesve të tij “këto janë dokumentet. Këto janë përgatitur nga ushtarakët dhe më janë dhënë mua”, duke theksuar se këto dokumente mbeten të klasifikuara.
“Unë mund t’i kisha deklasifikuar si president. Tani nuk mundem, por kjo mbetet sekret”, shton ish-presidenti amerikan.
The Trump audio:
— Kaitlan Collins (@kaitlancollins) June 27, 2023
"See as president I could have declassified it. Now I can't, you know, but this is still a secret."
"Now we have a problem," a staffer responds. pic.twitter.com/ftNqOTnfZn
Kujtojmë se Trump është deklaruar i pafajshëm për 37 akuzat e ngritura kundër tij në lidhje me menaxhimin e dokumenteve të klasifikuara të gjetura në resortin e tij në Mar a Lago, Florida.
Akuzat ndaj ish-Presidentit Trump u ngritën bazuar mbi një hetim që filloi pasi ai thuhet se refuzoi përpjekjet e përsëritura të Arkivave Kombëtare për të dorëzuar dokumentet që ai kishte nxjerrë nga Shtëpia e Bardhë dhe që i mbante në Mar-a-Lago.
Dokumenti federal radhit 31 akuza ndaj ish-Presidentit Trump për “mbajtje të qëllimshme” të informacionit të klasifikuar të sigurisë kombëtare, për secilin nga dokumentet që mori nga Shtëpia e Bardhë.
21 prej këtyre dokumenteve gjendeshin ndër mbi 100 dokumentet që FBI-ja i zbuloi gjatë kontrollit në Mar-a-Lago në gushtin e kaluar.
Akuza thotë se dokumentet përmbanin informacion të klasifikuar për programet bërthamore të Shteteve të Bashkuara, për pikat e dobëta të Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve aleate në rast të një sulmi, si dhe planet për përgjigjen e mundshme ndaj sulmit. Akuza thotë se ekspozimi i këtyre dokumenteve mund të rrezikojë sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Gjashtë akuzat e tjera – ku përfshihet pengimi i drejtësisë, konspiracion për të penguar drejtësinë dhe deklarimet e rreme – kanë të bëjnë me përpjekjet e zotit Trump për të penguar hetimin dhe për të fshehur mbajtjen prej tij të dokumenteve të klasifikuara.
Trump pretendon se ka patur një urdhër për të çklasifikuar të gjitha dokumentet e zhvendosura nga Zyra Ovale për në rezidencën e tij brenda Shtëpisë së Bardhë.
Por, akuza thotë se ish-Presidenti Trump ishte i ndërgjegjshëm për ligjet në fuqi për informacionin e klasifikuar të sigurisë kombëtare dhe se i shkeli ato me dashje.
Në një rast në korrik 2021, Trump akuzohet se ua tregoi një dokument për një “plan sulmi” një grupi prej katër personash, që nuk ishin të autorizuar të njiheshin me informacione të klasifikuara – një shkrimtari, një botuesi dhe dy punonjësve – në klubin e tij të golfit në Nju Xhersi, duke u thënë atyre se dokumenti ishte “shumë i klasifikuar” dhe “sekret” dhe se ai nuk mundej më ta çklasifikonte atë.
Në një rast tjetër, në shtator 2021, Trump i tregoi një hartë të klasifikuar një përfaqësuesi të organizatës së tij politike për fushatën elektorale, duke i thënë personit në fjalë se “nuk duhej t’ia tregonte dhe se ai nuk duhej të afrohej shumë” pranë hartës, thuhet në akuzë.
Pas paraqitjes së akuzave, Trump pritet të lihet në gjendje të lirë. Data e fillimit të procesit gjyqësor ndaj tij mbetet e paqartë. Disa ekspertë thonë se mund të duhen muaj të tërë që të fillojë dhe se madje edhe mund të shtyhet deri pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.
Megjithëse problemet e shtuara me sistemin gjyqësor, zoti Trump është i lirë të vazhdojë fushatën për president dhe është zotuar se do ta vazhdojë fushatën edhe nëse shpallet fajtor.
“Nuk do të largohem kurrë”, tha Trump gjatë një interviste me revistën ‘Politico’ të shtunën.
Lini një Përgjigje