TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Dhjetor 2024, 18:39

“Brenda një viti, do të jetojmë në Gaza!”/Pas spastrimit etnik, Izraeli planifikon vendosjen e kolonëve hebrenj

Shkruar nga Pamfleti

“Brenda një viti, do të jetojmë në Gaza!”/Pas

Pra synohet reduktimi i zonës ku jetojnë palestinezët dhe zhvendosja njëherë e përgjithmonë e atyre që jetonin dikur në Gazën Veriore.

Në kufi me Rripin e Gazës, në majën e një kodre është montuar një teleskop. Në periferinë e qytetit izraelit Sderot, mund të paguani vetëm 5 sikla për të parë luftën me një zmadhim 25 herë. “Uau!”- bëjnë njerëzit kur shohim një peizazh rrënojash dhe tymi që ngrihet periodikisht prej tyre.

Të pranishmit janë në humor. Fëmijët vrapojnë sa andej-këndej, ndërsa çifte të rriturish pozojnë për foto. Një burrë po pi duhan i kënaqur. Hadar Fenton dhe 4 vajzat e saj, janë duke qëndruar pranë teleskopit. Ata brohorasin sa herë që ka një shpërthim të fortë në Gaza, apo sa herë që hidhet ne erë një ndërtesë.

Kur një shpërthim shkakton një re shumë të madhe tymi, Fenton gëzohet: ”Sa bukur! Faleminderit Zotit!”. Vetëm disa kilometra më tej, përgjatë rrugës gjenden qytetet Beit Lahiya dhe Beit Hanoun, që të dyja thuajse plotësisht të shkatërruara.

Por Fenton nuk i sheh tmerret e luftës, por vetëm të ardhmen si kolone hebreje në Gaza. “Zoti na e premtoi tokën e Izraelit, dhe Gaza është pjesë e saj”- thotë Hadar, 38 vjeçe, nënë e 7 fëmijëve. Ajo mban syze dielli dhe vathë argjendi. Flokët i ka mbuluar me shami, siç bëjnë shumë gra hebreje besimtare të Judaizmit.

Gjyshi i saj erdhi në Izrael nga Jemeni shumë vite më parë. Ajo jeton në qytetin Ashkelon pranë kufirit, dhe e ka ëndërruar prej kohësh një shtëpi në Rripin e Gazës, në një vendbanim izraelit si ai që ekzistonte gati 20 vjet më parë, përpara tërheqjes së izraelitëve nga Rripi i Gazës.

Tani, Fenton beson se nuk është shumë larg përmbushjes së kësaj ëndrre. “Ky është vendi ku  duam të jetojmë”- thotë ajo, duke treguar rrënojat e Gazës. Vendbanimi duhet të quhet Yishai ose Dhurata e Zotit në hebraisht. Menjëherë pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit, gjatë të cilit u vranë rreth 1200 njerëz, dhe u morën peng më shumë se 250 të tjerë, teksa shumica e izraelitëve ishin ende në gjendje shoku dhe kishte çdo ditë funerale, disa e panë masakrën si një mundësi.

Ata nisën një lëvizje që synon ndërtimin e vendbanimeve hebraike në Gaza. Midis tyre ishte edhe Hadar Fenton. 7 tetori, thotë ajo, është një “mundësi e dhënë nga Zoti për të ndalur terrorin, dhe për të marrë sërish tokën që na përket ne hebrenjve”.

E pyetur nëse ka ndonjë keqardhje për banorët e Gazës, për nënat me fëmijë si ajo vetë, ajo thotë: “E kush mund të qëndrojë në një vend ku bien kaq shumë bomba? Ata mund të kishin ikur shumë kohë më parë”. Gjithsesi, shton ajo, do të ishte më logjike që Evropa, Kanadaja apo Egjipti t’i merrnin palestinezët në këto vende dhe jo t’u dërgonin ndihma: “Arabët do të kishin një jetë shumë më të mirë diku tjetër sesa këtu”.

Një rivendosje e kolonëve izraelitë në Rripin e Gazës, do të dukej deri dje si një fantazi e ekstremistëve të krahut të djathtë. Një qasje jo shumë e ndryshme nga mendimet e një ministri të qeverisë aktuale, për dëbimin e palestinezëve në shkretëtirë apo për hedhjen e një bombe bërthamore në Gaza.

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka deklaruar vazhdimisht se vendbanimet në Gaza janë “jo realiste”, dhe se “Izraeli nuk ka ndërmend ta pushtojë përgjithmonë Gazën apo të zhvendosë atje popullsinë civile”.  Por tani më shumë se një vit më vonë, teksa shumica e 2.3 milionë palestinezëve në Rripin e Gazës janë zhvendosur disa herë, pasi një pjesë e konsiderueshme e territorit është shndërruar në gërmadhë, pas më shumë se 45.000 të vrarëve, zhvendosjes së detyruar të popullsisë, një pushtimi ushtarak, vendosja e izraelitëve në Rripin e Gazës po duken si një gjë realiste.

Ose për të qenë më të saktë: shumë nga bazat për këtë gjë janë hedhur tashmë. “Der Spiegel” bisedoi me ekspertë ushtarakë, ushtarë, punonjës të ndihmës, aktivistë pro kolonëve dhe palestinezë në Gazën Veriore. Të gjithë thonë se ushtria izraelite nuk është më e përqendruar kryesisht tek luftimet për të liruar pengjet dhe shkatërruar Hamasin, por tek pushtimi i gjatë i Gazës.

Pra synohet reduktimi i zonës ku jetojnë palestinezët dhe zhvendosja njëherë e përgjithmonë e atyre që jetonin dikur në Gazën Veriore. Njëkohësisht, janë bërë përgatitje që do të mundësonin edhe ndërtimin e vendbanimeve izraelite.

Por aty ku Hadar Fenton dëshiron të ndërtojë shtëpinë e saj, Mohammed Kilani po lufton aktualisht për mbijetesë. Avokati ka lindur në Beit Lahiya 38 vjet më parë. Aty u rrit, u martua dhe ka 3  vajza. Më e madhja është 4 vjeçe, ndërsa 2 binjaket janë 2 vjeçe e gjysmë. Menjëherë pas fillimit të luftës, iu dëmtua shtëpia, ndërsa tani ajo është shkatërruar plotësisht.

Familja është vendosur 8 herë në vende të ndryshme për t’i shpëtuar bombave. “Ajo që po ndodh këtu është më shumë se sa thjesht spastrim etnik. Nuk ka fjalë për të përshkruar atë që po na bëhet. Ata po na vrasin dhe dëbojnë, dhe njëherazi po na lënë të vdesim urie”- thekson ai.

Kilani thotë se shënjestrohen ditë e natë nga avionë luftarakë, dronët dhe artileria: “Ndodhin arrestime, bastisje, digjen vendstrehime. Ne nuk kemi më ushqim dhe ujë. Ata që dalin në rrugë qëllohen për vdekje. Unë nuk e njoh më Beit Lahiya. E vetmja gjë që ka mbetur janë rrënojat!”.

Kilani dhe disa palestinezë të tjerë me të cilët bisedoi “Der Spiegel”, janë të bindur se ushtria synon qëllimisht ndërtesat e banimit për t’i detyruar banorët të largohen nga Gaza Veriore. Ndërkohë në reagimin e saj për ne, ushtria izraelite e justifikon qasjen e saj në këtë zonë, duke thënë se fokusi i saj është te “terroristët dhe infrastruktura terroriste”. Ushtria, thuhet në deklaratë, “sulmon ekskluzivisht objektivat ushtarake”, dhe i ka bërë thirrje popullatës civile që të evakuohet për të mbrojtur veten.

Sipas OKB-së, deri në fund të nëntorit gati 70 për qind e të gjitha ndërtesave në Rripin e Gazës ishin shkatërruar ose dëmtuar. Por ushtria izraelite nuk është e fokusuar vetëm tek shkatërrimi. Sipas një raporti të New York Times bazuar në imazhet satelitore, muajt e fundit janë ndërtuar plotësisht 19 baza dhe objekte ushtarake brenda Korridorit Netzarim.

Kjo është bërë e mundur edhe nga fakti, që ekstremistët e krahut të djathtë në qeverinë izraelite, kanë penguar arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve, e cila do të përfshinte edhe një armëpushim afatgjatë dhe tërheqjen e plotë të trupave izraelitë. Dhe për sa kohë që ushtria mbetet në Rripin e Gazës, ajo vazhdon ta zgjerojë praninë e saj.

Për këtë arsye, ekstremistët nga lëvizja e kolonëve, duan që kjo luftë të vazhdojë sa më gjatë. Sepse vetëm nëse ushtria mbetet në Rripin e Gazës, ata do të jenë në gjendje të arrijnë qëllimin e tyre për të dëbuar palestinezët dhe ndërtuar vendbanimet e tyre.

Vetëm rreth 20 për qind e izraelitëve janë në favor të një plani të tillë, por vështirë se ndaj tyre ka ndonjë rezistencë nga qeveritarët. Tek e fundit, edhe partia Likud e Netanyahut dominohet tani nga kolonët dhe mbështetësit e tyre./ Përshtati "Pamfleti" nga “Der Spiegel”

Lini një Përgjigje