TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Qershor 2025, 10:06

Bota në "alarm", Trump shtyn nisjen drejt samitit të NATO-s

Shkruar nga Pamfleti
Bota në "alarm", Trump shtyn nisjen drejt samitit të NATO-s
Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump ka shtyrë për të martën nisjen e tij drejt samitit të NATO-s në Amsterdam, i planifikuar për datat 24 dhe 25 qershor.

Fillimisht, Shtëpia e Bardhë kishte njoftuar se Trump do të nisej të hënën, por në axhendën e tij për atë ditë figuron një takim me Këshillin për Sigurinë Kombëtare.

Sipas disa mediave amerikane, përfshirë NewsNation, vendimi për shtyrjen e udhëtimit lidhet ndoshta me situatën e tensionuar në Iran, megjithëse nuk ka ende një konfirmim zyrtar për arsyet e plota të vonesës.

Burime nga Shtëpia e Bardhë kanë konfirmuar se Trump do të udhëtojë të martën për të marrë pjesë në takimin e rëndësishëm të Aleancës Veri-Atlantike.

Liderët e vendeve të NATO-s mblidhen në Hagë më 24-25 qershor për samitin e përvitshëm të aleancës, dhe në agjendë është pothuajse vetëm një gjë: Shpenzimet për mbrojtje.

Vendet anëtare janë pajtuar të dielën për t’i rritur shpenzimet për mbrojtje në 5 për qind të bruto-prodhimit të brendshëm, kërkesë e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka kërkuar më shumë kontribut prej vendeve anëtare të aleancës.

Spanja ka tentuar të bllokojë masën, por ka hequr dorë pasi vendet tjera i kanë siguruar një përjashtim nga vendimi.

Në këtë samit të gjithë sytë janë vetëm te një njeri, presidenti Trump. Në rast se do të marrë pjesë, ndonëse shumica e njerëzve me të cilat ka biseduar Radio Evropa e Lirë besojnë se ai do të jetë aty.

Samiti është dizajnuar për ta bërë presidentin amerikan të ndihet mirë dhe të shmangë ndonjë mungesë harmonie në klub.

Kjo pasi ende ekzistojnë shqetësimet për përsëritje të samitit të famshëm të NATO-s, të mbajtur në Bruksel më 2018, kur Trumpi, sa ka qenë në mandatin e parë, pati kërcënuar me tërheqje të SHBA-së prej aleancës veriatlantike, nëse shtetet evropiane dhe Kanadaja nuk i rrisin shpenzimet për mbrojtje në mënyrë të konsiderueshme.

Prej atëherë, shumica e aleatëve i kanë rritur shpenzimet për mbrojtje dhe prekin tani targetin prej 2 për qind, siç janë pajtuar në Uells më 2014. Targeti besohet të jetë rritur për t’iu përshtatur SHBA-së, por edhe për shkak të luftës në Ukrainë.

Ai që dikur ishte një takim treditor në Holandë, tani është reduktuar në darkë miqësore me bashkëshortë në njërin prej pallateve mbretërore, nikoqir i së cilës është mbreti holandez.

Kjo ceremoni e 24 qershorit do të përcillet me një takim pune të Këshillit të Atlantikut të Veriut, që nuk pritet të zgjasë as tre orë. Kaq.

Në atë takim liderët do të duhet të pajtohen për të ashtuquajturën Deklaratë të Hagës.

Ky dokument nuk është finalizuar ende, mirëpo disa drafte që i ka parë Radio Evropa e Lirë sinjalizojnë se do të jetë i shkurtër.

Ndonëse tekstet e samiteve në të kaluarën kanë qenë disa faqe, duke prekur pothuajse të gjitha politikat e aleancës, ky në ardhje mund të përfundojë me vetëm pesë paragrafë.

Vitin e kaluar ishte 38 paragrafë, plus një aneks prej gjashtë pikash që përmendnin ndihmën për Ukrainën në fushën e sigurisë. Gjëja kryesore është targeti prej 5 për qind në shpenzime dhe kur duhet të arrihet.

Targeti prej 5 për qind, siç është propozuar nga Rutte, përfshin 3.5 për qind shpenzime për pajisje të rënda ushtarake, sikurse janë raketat, helikopterët dhe aeroplanët luftarakë.

Pjesa tjetër prej 1.5 për qind do të shkojë në “qëndrueshmëri” – term që është lënë me qëllim i mjegulltë për shumicën e vendeve, pasi në këtë pikë mund të përfshihet gjithçka.

Shumica duket se do të shpenzojnë në infrastrukturë, me qëllim të përmirësimit të lëvizshmërisë ushtarake.

Aty do të mund të përfshihen edhe kontributet për Kievin, meqë në dokument përmendet se “aleatët rikonfirmojnë përkushtimin e tyre për të ofruar mbështetje për Ukrainën, dhe në këtë drejtim do të përfshijnë kontribute direkte në industrinë ukrainase të mbrojtjes përgjatë kalkulimit të shpenzimeve të aleancës”.

Por, në mesin e aleatëve ka edhe mospajtime se kur duhet të arrihet targeti. Përveç Shteteve të Bashkuara, shteteve baltike, Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë, shumë pak vende janë të lumtura me vitin 2032 – si afat i fundit – pasi e shohin si diçka të pamundshme.

Vitin 2035 konsiderohet tjetër opsion, prandaj në deklaratë do të përfshihet edhe referenca që targeti të rishikohet sërish më 2029. Disa zyrtarë të NATO-s kanë qenë të vëmendshëm për të vërejtur se kjo datë është një vit pas zgjedhjeve të ardhshme amerikane, pavarësisht se të tjerët insistojnë se ai vit është përcaktuar vetëm pse është në gjysmë të rrugës.

Si shenjë çlirimi për të gjithë aleatët evropianë, në dokument është përfshirë Artikulli i 5-të i NATO-s, i cili përcakton se të gjitha vendet janë të përkushtuara për t’i ndihmuar njëra-tjetrës në rast të ndonjë sulmi.

Rusia përmendet, gjithashtu, në tekst si “kërcënim” për sigurinë euro-atlantike. Në dokument do të ketë referencë edhe për bashkëpunimin industrial mes aleatëve, çka është një tjetër element në të mirë të amerikanëve, të cilët do të mund të përfitojnë nga rritja e shpenzimeve evropiane në mbrojtje.
Aty përmendet edhe se samiti i vitit të ardhshëm do të mbahet në Turqi, i pasuar nga ai i radhës në Shqipëri.

donald trump

Lini një Përgjigje