TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Janar 2025, 12:15

Bota e rregullave ka marrë fund, BE-ja të përgatitet për luftën e afërt me Rusinë

Shkruar nga Letizia Tortello

Bota e rregullave ka marrë fund, BE-ja të përgatitet për

Presidenti i ri i SHBA-së nuk tha asgjë për Ukrainën në fjalimin e inaugurimit. A është kjo një shenjë e keqe?

“Përgatituni për luftë! Lufta jonë nuk do të përfundojë aq lehtë sa mendohet. Ajo që ju pret, është një hipotezë më shumë se reale. Dëgjoni gjeneralët tuaj!”. Këto janë ditët më të gjata për Ukrainën, ndërsa ajo vazhdon të luftojë, dhe pret të mësojë se cili do jetë fati i saj.

Ish-Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, që së bashku me presidentin Zelensky ishin imazhi i një vendi krenar, të aftë për diplomaci dhe shumë pro-perëndimor, e ndoqi nga larg inaugurimin e Trump në mandatin e tij të dytë, dhe përpiqet të imagjinojë “revolucionin që e pret tani botën”.

Në mesin e pak udhëheqësve të pranishëm, nuk ishte Zelensky. Presidenti i ri i SHBA-së nuk tha asgjë për Ukrainën në fjalimin e inaugurimit. A është kjo një shenjë e keqe?

Në fakt, tradita e Shteteve të Bashkuar nuk nënkupton praninë e të ftuarve të huaj në inaugurimin e një presidenti. Pra, Amerika e kishte një justifikim për të mos e ftuar Zelenskyn. Por më e rëndësishme është se çfarë do të ndodhë nga tani e tutje.

Çfarë domethënie ka epoka e re e Trump?

Përpara ardhjes së Trump, liderët perëndimorë pretendonin se donin të mbronin një rend botëror të bazuar në rregulla. Ndërkohë tani Trump do të luftojë për një urdhër të bazuar tek interesat. Ky është edhe ndryshimi kryesor që do të arrijë: nëse interesi juaj është më i rëndësishëm se rregulli, atëherë harrojeni këtë të fundit. Është një ndryshim tepër i pakëndshëm për pjesën tjetër të Perëndimit. Udhëheqësi i ri amerikan, do të shkaktojë shumë tronditje, por në fund bota do të mbijetojë.

Urimeve ndaj Trump iu bashkua edhe vetë Putin. A prisni që të bëjë lëshime të mëdha ndaj udhëheqësit rus?

Edhe Putin është kundër rregullave, por për arsye të ndryshme. Ai synon të rishkruajë rregullat e fiksuara nga Perëndimi. Shërbimi më i keq që Trump mund t’i bëjë Putinit, është të mos e lejojë Ukrainën të anëtarësohet në NATO. Në këtë mënyrë, ai do ta pranonte se Rusia ka të drejtën e vetos. Por pa integrimin e plotë të Ukrainës në BE dhe NATO, lufta e ardhshme do të jetë vetëm çështje kohe.

Shumë qeveri evropiane, janë të zemëruara që Trump mund të negociojë shumë shpejt me Moskën. A keni frikë nga një paqe e padrejtë për ukrainasit?

Nuk do të ketë paqe të shpejtë në Ukrainë. Gjatë muajve të ardhshëm, Zelensky dhe Putin do t’i japin sinjale konstruktive Trumpit për ta angazhuar në bisedime. Por ka një hendek të madh midis kësaj dhe arritjes së një marrëveshje. Lufta do të vazhdojë, sepse Putin beson ende se mund ta fitojë atë.

Çdo paqe që i lë territoret dhe qytetarët ukrainas nën kontrollin e Rusisë, do të jetë e padrejtë. Por thelbi nuk ka të bëjë dhe aq me drejtësinë: kjo është një luftë për pushtet. Në marrëveshjen përfundimtare, presim të shohim balancën e interesave të Ukrainës dhe Rusisë. Më pas, do të vendosim se sa afër drejtësisë do të jetë.

A jeni gati për paqen? Apo ka ende territore që mund të çlirohen?

Askush nuk e dëshiron më shumë paqen se sa Ukraina. Por ajo duhet të jetë një paqe e vërtetë. Sepse nëse do të ketë një armëpushim, pastaj një marrëveshje që do të fitojë çmimin Nobel për Paqe, dhe më pas Putin sulmon sërish pas disa vitesh, atëherë kjo nuk është paqja që i duhet Ukrainës.

Sot për sot, Putinit nuk i duhet paqja. Ai mund të shtiret sikur po negocion, teksa në terren ushtria e tij vazhdon të përparojë. Ai beson se Ukraina dhe Perëndimi janë të dobët, dhe se në fund do të fitojë.

Sipas jush, si do të jetë kjo marrëveshje paqeje?

Unë nuk jam magjistar. Por di të them se Rusia do të negociojë për të marrë sa më shumë lëshime (të pezullojë sanksionet dhe asetet e saj të ngrira në Perëndim), si dhe të pengojë hyrjen tonë në NATO. Çdo gjë tjetër është dytësore për të. Arti i diplomacisë, do të tregojë se si do të përfundojë kjo luftë.

Plani i paqes i Trump dhe Kellogg, kërkon ngrirjen e konfliktit në vijën aktuale të frontit. Pra që rusët të marrin të gjithë Donbassin, por edhe pjesë të Zaporizhzhias dhe Khersonit. Më shumë territor se më parë. Në fund, a do të detyroheni që të hiqni dorë nga disa pjesë të territorit tuaj?

Asnjë udhëheqje politike, nuk mund të heqë dorë nga territoret që me Kushtetutë janë pjesë e shtetit. Problemi është se territoret tona, janë tashmë të përfshira në dy Kushtetuta: atë të Ukrainës dhe atë ruse.

Në rastin e Rusisë, ky është një aneksim i paligjshëm, por kjo nuk e shqetëson Putinin. Me sa di unë, Rusia nuk ka negociuar kurrë atë që beson se i përket. Pra, gjetja e një zgjidhjeje në terren, do të jetë një makth diplomatik.

A mund të funksionojë vërtet krijimi i një zone tampon mes jush dhe Rusisë? Ndoshta me trupat paqeruajtëse evropiane?

Ideja e zonës tampon dështoi në vitet 2016-2020, dhe prapë do të dështojë. Vija e frontit në Ukrainë është 3.000 kilometra e gjatë. Nëse Evropa është e gatshme të mbledhë kaq shumë trupa, është e mirëseardhur. Por çmimi që do paguhet për këtë mision paqeruajtës, do të ishte përtej imagjinatës suaj.

Dhe kjo më çon tek pyetja tjetër: Ju evropianët ankoheni se nuk keni para për të mbështetur luftën e Ukrainës, po ku do i gjeni miliardat për një mision paqeruajtës? A nuk ka më shumë kuptim që t’ia jepni këto para Ukrainës, për ta lejuar atë të vazhdojë të luftojë, pa vënë në rrezik jetën e ushtarëve tuaj?

Çfarë gabimesh, nëse ka të tilla, janë bërë nga Ukraina por edhe nga aleatët perëndimorë në këto 3 vjet luftë?

Politika e mos-përshkallëzimit të ndihmës, ishte gabimi më i rëndë i Perëndimit. Disa vendime të rëndësishme u morën shumë vonë. Ne mund ta kishim fituar luftën që në vitin 2022 ose në fillim të 2023-shit, por Perëndimi ishte shumë i ngadaltë në reagimin e tij. Nga ana tjetër, vetë Ukraina duhet të kishte investuar që vite më parë më shumë në prodhimin e armëve të saj.

Nëse SHBA-ja tërhiqet, a është vërtet e gatshme BE-ja që t’iu mbështesë?

Evropa ka shumë burime, por nuk beson tek vetja. Ky është problemi. Trump do të jetë një zile zgjimi: ose BE-ja do të marrë fatin e saj në duart e veta, ose do të shpërbëhet. Evropa ka kompani të shkëlqyera në sektorin e mbrojtjes, por qeveritë nuk investojnë mjaftueshëm.

Nëse nesër Putin sulmon Evropën dhe Trump ju thotë “Ky është problemi juaj!”, Evropa do ta humbasë luftën. Dhe nëse fiton në Ukrainë, ai do t’iu sulmojë. Nuk po e teproj me këtë që them. Mos dëgjoni politikanët, të cilët kanë frikë nga e vërteta, sepse do të binte popullariteti i tyre tek votuesit. Dëgjoni shërbimet sekrete dhe  gjeneralët. Ato gjermane kanë thënë se Putini po përgatit një ushtri të aftë për të luftuar ndaj NATO-s./Përshtati "Pamfleti", nga "La Stampa"

Lini një Përgjigje