Autoritetet turke kanë arrestuar deri tani 9 persona, përfshirë pronarin e hotelit.
Zjarri i madh që ra dje (21 janar) në hotelin luksoz në resortin e skive në vendpushimin e Kartalkaya në provincën Bolu, në veri-perëndim të Turqisë ka shkaktuar të paktën 76 viktima dhe dhjetëra të plagosur, ndërsa numri i viktimave pritet të rritet.
Hoteli, që strehonte 240 të ftuar, nuk kishte sistem funksional të alarmit dhe fikjes së zjarrit, i cili besohet të ketë shpërthyer në kuzhinën e hotelit gjatë përgatitjes së mëngjesit të djeshëm.
Zjarrfikësit arritën me vonesë për shkak të distancës dhe aksesit të vështirë në zonë, duke e bërë situatën edhe më tragjike.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan shpalli një ditë zie kombëtare dhe premtoi që përgjegjësit do të mbajnë llogari para drejtësisë. Ai shprehu ngushëllime për familjet e viktimave, duke e quajtur këtë një tragjedi që ka tronditur zemrat e kombit.
“Në fazën e parë u arrestuan katër persona, mes të cilëve edhe pronari i biznesit ku ndodhi tragjedia. E them qartë dhe pa mëdyshje njëherë e përgjithmonë: Ata që shkaktuan një fatkeqësi të tillë, ata që treguan neglizhencë dhe faj, do të mbajnë përgjegjësi para ligjit.
Ditën e mërkurë, më 22 janar 2025, flamujt tanë do të valëviten në gjysmë shtizë në vendin tonë dhe në përfaqësitë tona të huaja deri në perëndim të diellit.
Dita nuk është dita e politikës, por e solidaritetit dhe e të qenit bashkë. Dëshiroj të shpreh se presim që të gjithë aktorët, përfshirë politikën, median dhe administratorët vendorë, të respektojnë dhimbjen e qytetarëve tanë", tha Erdogan.
Autoritetet turke kanë arrestuar deri tani 9 persona, përfshirë pronarin e hotelit.
Shumë prej pushuesve gjetën vdekjen pasi në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve, u hodhën nga dritaret e hotelit, ndërsa të tjerë përdorën çarçafë për të zbritur nga ndërtesa. Mes viktimave besohet se ka shumë fëmijë.
Bolu Kartalkaya’da meydana gelen otel yangını faciasında anaokulu öğrencisi Atlas Kaan Tokcan ile babası Atıl Enis Tokcan ve 3. sınıf öğrencisi Kemal Tokcan ile babası Can Tokcan hayatını kaybetti. pic.twitter.com/BYS27GsabG
— rıfat dumanoğlu (@DumanogluR34369) January 22, 2025

Ndërkohë ministri i Drejtësisë Yilmaz Tunc në X shkruajti se për hetimin e ngjarjes ishte ngritur një grup hetimor prej gjashtë prokurorësh.
Ngjarja ka shkaktuar zemërim të madh dhe mediat turke kanë kritikuar mungesën e masave të sigurisë dhe kanë raportuar për sjellje të papërshtatshme të disa individëve që vazhduan të bënin ski pranë vendit të tragjedisë ndërsa trupat e viktimave po largoheshin nga hoteli.
Lini një Përgjigje