Rusia, Irani dhe Venezuela, kanë krijuar një rrjet global me anije cisternë të vjetra për të anashkaluar sanksionet. Tashmë, Perëndimi po kalon nga diplomacia te forca ushtarake…
Në fillim të këtij muaji, dy anije cisternë të sanksionuara fikën transmetuesit e tyre dhe u takuan fshehurazi në Detin e Japonisë. Sipas shërbimit të gjurmimit Kpler, anija “Kapitan Kostichev” zbrazi 700.000 fuçi naftë ruse në rezervuarët e anijes tjetër, “Jun Tong”. Ky transferim klandestin “nga anije në anije” është një manovër tipike e flotës në hije, një armatë anijesh të vjetra që kontrabandojnë naftë për vendet e sanksionuara si Venezuela, Rusia dhe Irani.
Operacionet e flotës u vunë në qendër të vëmendjes këtë javë kur Forcat Speciale Amerikane u hodhën nga helikopterët në kuvertën e anijes “Marinera” në Oqeanin Atlantik. Anija, e cila njihej me emrin “Bella 1”, po tentonte t’i shpëtonte bllokadës së administratës Trump kundër naftës venezueliane. Megjithëse shoqërohej nga një eskortë detare ruse, ajo nuk mbante naftë kur u kap të mërkurën.
Si funksionon flota në hije
Rusia, Irani dhe Venezuela kanë grumbulluar anije të vjetra për transport ose magazinim lundrues. Operatorët e tyre maskojnë origjinën e ngarkesës përmes teknikave të sofistikuara: ndryshojnë shpesh emrat e anijeve, falsifikojnë koordinatat GPS (spoofing) dhe krijojnë “anije fantazmë”. Të mërkurën, forcat amerikane hipën në një anije në Karaibe që e transmetonte vendndodhjen e saj sikur ishte në Nigeri.
Shifrat e kontrabandës
Sipas portalit të njohur TankerTrackers.com, mbi 1.470 anije janë pjesë e kësaj flote “të errët”. Numri i tyre është rritur ndjeshëm që nga viti 2022, kur Rusia kërkoi rrugë të reja për të anashkaluar sanksionet pas pushtimit të Ukrainës. Kompania S&P Global, vlerëson se këto anije përbëjnë 17 për qind të cisternave që transportojnë produkte nafte në mbarë botën.
Mekanizmat e maskimit
Pasi e shkarkoi ngarkesën e saj, Anija ruse “Kapitan Kostichev”, u rishfaq në radarë duke u drejtuar drejt projektit gjigant Sakhalin I. Ndërkohë, anija “Jun Tong”, e cila ka ndërruar 3 emra brenda 2 viteve të fundit, u drejtua për në Kinë, importuesja më e madhe e naftës ruse.
E drejta ndërkombëtare kërkon që çdo anije të ketë një “flamur shtetërore në krye”. Regjistrimi ofron provë ligjore të pronësisë dhe detyron anijen të respektojë ligjet e atij vendi. Megjithatë, flota në hije përdor “flamuj komoditeti” nga vende afrikane si Gaboni, Komoret apo Kameruni.
Këto shtete ofrojnë tarifa të lira dhe mbikëqyrje minimale, duke i lejuar anijet të shmangin sigurimet dhe kontrollet teknike. Shelby Holliday i WSJ ka shpjeguar më herët se forcat amerikane morën kontrollin e dy anijeve, njëra prej të cilave shoqërohej nga një nëndetëse ruse.
Kjo mbikëqyrje e dobët, i lejon anijet të anashkalojnë sistemin global të sigurisë dhe trajtimit të ekuipazhit. Kur ndodhin aksidente, këto shtete të vogla shpesh nuk mbajnë përgjegjësi.
Rreziqet teknike dhe pronësia e mjegullt
Rreth një e treta e këtyre anijeve janë mbi 20 vjeçare, duke i bërë ato “bomba ekologjike” të prirura ndaj aksidenteve. Sanksionet i kanë shkëputur ato nga tregjet perëndimore të sigurimeve, kështu që shumë prej tyre lundrojnë pa asnjë mbulim. Nga ana tjetër, pronësia e tyre është po aq e ndërlikuar. Anije të tillla, kalojnë përmes kompanive fiktive në Dubai apo Hong Kong për të fshehur pronarët e vërtetë.
Ofensiva e SHBA-së: Nga sanksionet financiare te ndërhyrjet ushtarake
Nëse më parë SHBA-ja mjaftohej me vendosjen e kompanive fiktive në “listat e zeza” të Departamentit të Thesarit, viti 2026 shënon fillimin e një bllokade aktive detare. Masat e fundit, tregojnë se Uashingtoni nuk po pret më që regjimet e sanksionuara të binden vullnetarisht, por po përdor forcën për të ndërprerë zinxhirin e tyre të furnizimit.
Përdorimi i Forcave Speciale (Navy SEALs) dhe Rojës Bregdetare në ujërat ndërkombëtare, si në rastin e anijes “Marinera”, tregon se SHBA-ja po e trajton kontrabandën e naftës si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare.
Ky ndryshim i taktikës synon të rrisë “koston e rrezikut” për kompanitë e transportit. Kur një anije sekuestrohet ose ndalohet nga helikopterët, siguruesit dhe pronarët e tjerë të flotës në hije marrin një mesazh të qartë: mbrojtja ruse ose iraniane nuk është e padepërtueshme.
Inteligjenca Satelitore SHBA-ja e ka rritur bashkëpunimin me kompanitë e inteligjencës detare si MagicPort dhe MarineTraffic për të monitoruar “sinjalet e errëta”. Kur një anije fik transmetuesin AIS, Pentagoni përdor satelitët spiunë për të ndjekur gjurmët termike dhe vizuale në kohë reale.
Kjo i lejon forcave amerikane të ndërhyjnë saktësisht në pikat e takimit ku bëhet transferimi i naftës, duke i kapur anijet "në flagrancë" gjatë procesit të shkarkimit.
Një tjetër masë kyçe është presioni diplomatik mbi vendet e vogla si Gaboni apo Kameruni.
Uashingtoni ka filluar të paralajmërojë këto shtete se lejimi i anijeve të flotës në hije në regjistrat e tyre, do të sjellë sanksione dytësore që mund të bllokojnë të gjithë regjistrin e tyre tregtar. Kjo po detyron shumë vende të vogla të “ç’flamurojnë” anijet e dyshimta, duke i lënë ato pa kombësi dhe ligjërisht të pambrojtura në det të hapur.
Ndërhyrja e së mërkurës ishte veçanërisht domethënëse sepse anija “Marinera” po shoqërohej nga një eskortë detare ruse. Duke hipur në anije pavarësisht pranisë ruse, SHBA-ja po teston “vijat e kuqe” të Kremlinit. Kjo tregon se administrata e re nuk ka frikë nga konfrontimi taktik nëse bëhet fjalë për të ndaluar rrjedhjen e parave drejt makinës së luftës të Putinit apo regjimit të Maduros në Venezuelë.
Sipas ekspertëve si Nathanael Kurcab, ky është një “territor i panjohur”. Ne po kalojmë nga një luftë tregtare në një lloj “policimi global detar”, ku asetet ushtarake amerikane shërbejnë si përmbaruesit e sanksioneve ekonomike. Kjo qasje e re, synon të zhduke përfitimet marramendëse që vijnë nga kontrabanda, duke e bërë flotën në hije të papërdorshme dhe ekonomikisht të paqëndrueshme./Përshtati "Pamfleti", nga “Wall Street Journal”
Lini një Përgjigje