
Prokurori publik, i cili drejtonte hetimin për sulmin në një stacion televiziv ekuadorian, është vrarë në mes të ditës në qytetin e pushtuar nga krimi, Guayaquil, shkruan The Guardian.
Cesar Suarez, i cili u fokusua në rastet që përfshinin krimin e organizuar trans-kombëtar në provincën Guayas – një nga zonat më të dhunshme të vendit – u zu në pritë në veri të qytetit të mërkurën pasdite.
“Kriminelët, terroristët, nuk do të pengojnë angazhimin tonë ndaj shoqërisë ekuadoriane. U bëjmë thirrje forcave të rendit të garantojnë sigurinë e atyre që po kryejnë detyrën”, ka thënë prokurorja e përgjithshme e vendit, Diana Salazar, në një video të postuar në rrjetet sociale.
Salazar ka bërë të ditur se po hetonte vrasjen e prokurorit Suarez, por nuk dha detaje të tjera.
Këshilli Gjyqësor e dënoi sulmin në një deklaratë dhe ka thënë se Suarez po shkonte në një seancë gjyqësore kur u vra.
Ekuadori është tronditur nga dhuna e madhe ditëve të fundit, duke përfshirë sulmin në studion e televizionit “TC” në Guayaquil, marrjen peng të më shumë se 200 punonjësve të burgjeve, shpërthimet në disa qytete dhe rrëmbimin e oficerëve të policisë.
Lini një Përgjigje