TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Prill 2025, 16:26

“Asgjë nuk do të më ndalë”, Trump sulmon gjyqtarët, promovon dëbimin e emigrantëve

Shkruar nga Pamfleti

“Asgjë nuk do të më ndalë”, Trump sulmon

Presidenti amerikan Donald Trump ka shënuar 100 ditët e para të mandatit të dytë të tij duke sulmuar gjyqtarët që sipas tij, po e pengojnë në kryerjen e detyrës.

Gjatë një fjalimi 90-minutësh të mbajtur në Miçigan, Trump u fokusua edhe tek emigracioni.

Presidenti, që u premtoi mbështetësve se administrata e tij “sapo kishte filluar punën”, tregoi një video me persona që dëboheshin nga Shtetet e Bashkuara dhe dërgoheshin në një burg famëkeq të El Salvadorit.

Ai akuzoi gjykatat se po i shkaktonin stafit të tij një seri pengesash, pasi disa gjyqtarë vunë në dyshim ligjshmërinë për përdorimin e ligjit të vitit 1798 për të dëbuar anëtarët e bandave venezueliane.

“Nuk mund të lejojmë që një grusht gjyqtarësh komunistë dhe radikalë të majtë të pengojnë zbatimin e ligjeve tona dhe të marrin përsipër detyra që i takojnë vetëm presidentit të Shteteve të Bashkuara. Asgjë nuk do të më ndalojë në misionin tim për ta bërë Amerikën të madhe sërish”, deklaroi Trump.

Ndërsa kritikët thonë se Departamenti për Efikasitetin Qeveritar, i drejtuar nga miliarderi Elon Musk, ka bllokuar punën e agjencive, Trump u përpoq të paraqiste punën e tij si diçka të dobishme për vendin.

“Pas një jete të tërë me burokratë të pazgjedhur që vidhnin të ardhurat tuaja dhe cenonin liritë tuaja, ne po e ndalojmë këtë tren, duke u thënë mijëra burokratëve shtetërorë se jeni të pushuar”, u shpreh Trump.

Por ndryshe nga sa pretendon Trump, sondazhet sugjerojnë se vetëm 4 amerikanë në 10 aprovojnë veprimet e tij si president.

Lini një Përgjigje