
Presidenti amerikan Joe Biden ka dënuar ashpër atentatin ndaj kryeministrit Sllovak Robert Fico. Ai u shpreh se ky është një akt i tmerrshëm që ka alarmuar të gjithë. Biden shton se së bashku me bashkëshorten e tij Jill i urojnë shërim të shpejtë Ficos dhe shpreh gatishmërinë për ta ndihmuar.
“Ne e dënojmë këtë akt të tmerrshëm dhune. Ambasada jonë është në kontakt të ngushtë me qeverinë e Sllovakisë dhe e gatshme të ndihmojë", tha zoti Biden.
Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin, e ka cilësuar si një krim monstruoz sulmin ndaj kryeministrit sllovak teksa shton se ky akt nuk ka asnjë justifikim.
“Unë e njoh Robert Fico si një burrë të guximshëm dhe me mendje të fortë. Shpresoj shumë që këto cilësi do ta ndihmojnë atë të mbijetojë në këtë situatë të vështirë”, tha ai.
Gjithashtu, edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka reaguar pas sulmit ndaj kryeministrit sllovak Robert Fico. Ai e quan një akt "të tmerrshëm".
"Ne e dënojmë fuqishëm këtë akt dhune kundër kryeministrit të shtetit tonë partner fqinj. Duhet bërë gjithçka për të siguruar që dhuna të mos bëhet normë në asnjë vend, në asnjë formë dhe në asnjë zonë", shkroi Zelenskyy në rrjetin social X.
Zelenskyy i uroi Ficos shërim të shpejtë dhe shprehu solidaritetin me popullin e Sllovakisë.
Fico u qëllua në Handlova ditën e sotme pasi doli nga mbledhja e qeverisë. Ndërkohë, autori i ngjarjes është arrestuar.
Lini një Përgjigje