
Pas më shumë se një dekade izolimi, Damasku merr sinjalin e parë për ringritje ekonomike dhe hapje drejt Perëndimit...
Lideri sirian Ahmed al-Sharaa zhvilloi një vizitë historike në Shtetet e Bashkuara, ku u prit në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Donald Trump, duke shënuar një kthesë të papritur në marrëdhëniet mes dy vendeve pas më shumë se një dekade izolimi diplomatik.
Kjo ishte hera e parë që një udhëheqës sirian shkelte në Uashington që nga pavarësia e vendit, dhe u konsiderua nga vëzhguesit ndërkombëtarë si një akt politik i kalibrit të lartë, me ndikim të drejtpërdrejtë në ekuilibrat e Lindjes së Mesme.
Në takimin kokë më kokë në Zyrën Ovale, presidenti Trump dhe al-Sharaa diskutuan për mënyrat e ringritjes ekonomike të Sirisë dhe për mundësinë e përfshirjes së bizneseve amerikane në procesin e rindërtimit pas luftës civile. Pak orë pas përfundimit të takimit, Departamenti i Thesarit të SHBA-së njoftoi pezullimin e sanksioneve të njohura si “Caesar Act”, për një periudhë 180-ditore, duke lejuar për herë të parë që mallrat me përdorim civil, teknologjia dhe programet kompjuterike amerikane të eksportohen drejt Sirisë pa nevojë për licenca të veçanta. Sipas administratës amerikane, ky është një “hap për të lejuar Sirinë të rindërtohet dhe të lulëzojë”, në përputhje me strategjinë e re të presidentit Trump për t’i dhënë vendit “një shans të dytë për madhështi”.
Megjithatë, sanksionet nuk janë hequr plotësisht. Në fuqi mbeten ndalimet ndaj individëve dhe grupeve të akuzuar për krime lufte, trafik droge dhe abuzime me të drejtat e njeriut, përfshirë Bashar al-Assadin dhe rrethin e tij të ngushtë. Po ashtu, transaksionet që përfshijnë Rusinë dhe Iranin mbeten të ndaluara, duke reflektuar vijën e ashpër të Uashingtonit ndaj aleatëve të mëparshëm të regjimit sirian.
Nga ana tjetër, Damasku e ka përshëndetur vendimin si një “hap të guximshëm politik”, por presidenti al-Sharaa ka kërkuar që sanksionet të hiqen në mënyrë të përhershme, duke e cilësuar pezullimin gjashtëmujor si “një hap simbolik, por jo të mjaftueshëm”. Ai ka bërë thirrje që Kongresi amerikan të miratojë ligjin e ri që do t’i japë fund tërësisht ndalimeve ekonomike, duke i dhënë mundësi Sirisë të tërheqë investime dhe të rimëkëmbë sektorët jetikë të energjisë, bujqësisë dhe ndërtimit.
Ky zhvillim diplomatik përfaqëson një kthesë të dukshme në qasjen amerikane ndaj Lindjes së Mesme, duke sinjalizuar përpjekjen e Uashingtonit për të balancuar ndikimin rus dhe iranian në rajon përmes afrimit me Damaskun. Për Sirinë, ky është një hap i madh drejt daljes nga izolimi ndërkombëtar, pas 14 vitesh lufte, shkatërrimi ekonomik dhe sanksionesh shtrënguese që paralizuan çdo formë të zhvillimit të brendshëm.
Pezullimi i sanksioneve nuk garanton ende ndryshime të menjëhershme, por hap rrugën për një proces të ri diplomatik dhe ekonomik ku Siria mund të përfshihet si faktor stabiliteti në rajon, ndërsa administrata Trump përpiqet të rikthejë rolin e SHBA-së si negociatori kryesor në konfliktet e Lindjes së Mesme. /Pamfleti
Lini një Përgjigje