
Zyrtarët e imigracionit në Shtetet e Bashkuara thonë se kanë ndërmend ta deportojnë Kilmar Abrego Garcia-n në Ugandë, sipas një dokumenti gjyqësor, në atë që ekipi ligjor i burrit e përshkruan si një akt “hakmarrjeje” nga administrata e Presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Padia gjyqësore e paraqitur të shtunën tha se ideja e dërgimit të Abrego Garcias në Ugandë erdhi pasi ai refuzoi një ofertë për t'u deportuar në Kosta Rika në këmbim të qëndrimit në burg dhe pranimit të fajësisë për akuzat për kontrabandë njerëzish.
Ai është deklaruar i pafajshëm dhe i ka kërkuar gjykatësit ta pushojë çështjen, duke pretenduar se kjo është një përpjekje për ta ndëshkuar atë për kundërshtimin e deportimit të tij nga SHBA-të në El Salvador në fillim të këtij viti.
Ábrego, 29 vjeç, kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme që në vitin 2011. Në vitin 2019, ai u arrestua së bashku me tre persona të tjerë në shtetin e Maryland dhe më pas u vendos nën mbikëqyrjen e autoriteteve federale të emigracionit. Një gjykatës e mbrojti atë nga dëbimi, duke marrë parasysh rrezikun që mund të përballej në El Salvador nga bandat kriminale.
Pavarësisht këtij vendimi, më 15 mars 2025 ai u deportua drejt burgut famëkeq Cecot – një veprim që vetë administrata amerikane e cilësoi si “dëbim i pavullnetshëm dhe i gabuar”. Pas presioneve ligjore dhe ndërhyrjes së Gjykatës së Lartë të SHBA-së, çështja e tij u trajtua si precedent për trajtimin e rasteve të mbrojtura nga dëbimi.
Lini një Përgjigje