TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Korrik 2024, 13:08

A po tenton vërtet Putini të sabotojë Lojërat Olimpike në Paris?!

Shkruar nga Pamfleti

A po tenton vërtet Putini të sabotojë Lojërat Olimpike

Franca ende nuk ka akuzuar ndonjë grup apo vend për sabotim, por shumë do ta drejtojnë menjëherë gishtin nga Moska.

Rusia do të jetë një nga të dyshuarit kryesorë në sulmet e së premtes në rrjetin hekurudhor francez, pasi qarkullojnë dyshime se presidenti rus Vladimir Putin donte një shans për të poshtëruar presidentin francez Emmanuel Macron.

Burimet franceze të inteligjencës kanë sugjeruar gjithashtu se mund të ketë qenë vepër e radikalëve të majtë, ndërsa ministri i jashtëm i Izraelit pretendoi se sabotimi ishte kryer nga Irani. Por që pasditen e së premtes mbeti e paqartë se cilët ishin autorët, me teoritë që vinin nga shumë anë dhe provat jo shumë bindëse.

Autoritetet franceze kanë vendosur një sistem gjithëpërfshirës sigurie të teknologjisë së lartë për Lojërat Olimpike, me drone Reaper në qiell dhe kamera AI në tokë për të vëzhguar për aktivitete të dyshimta.

Por sulmi i së premtes sugjeroi se ata i kushtuan shumë më pak vëmendje linjave kryesore hekurudhore, të cilat u sabotuan nga metodat e vjetra të zjarrvënieve sesa nga sulmet kibernetike. Autorët kishin njohuri të mira për hekurudhat dhe me shumë gjasa po përpiqeshin të shkaktonin sa më shumë përçarje duke shmangur humbjen e jetës.

Pati pesë incidente në rrjetin hekurudhor SNCF, të gjitha të cilat përfshinin sisteme elektronike ose të ndërlidhura. Mediat franceze raportojnë se tufat e kabllove në rrjet janë djegur ose shkëputur. Si rezultat, rreth 50 për qind e trenave në veri dhe lindje të Francës nuk funksiononin të premten në mëngjes dhe rrjeti i shpejtësisë së lartë të TVG u paralizua gjithashtu. Ndërprerja pritet të zgjasë deri në fundjavë.

Sulmet kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur në rrjetin e shpejtësisë së lartë nuk qarkullonte asnjë tren dhe janë kryer në atë mënyrë që qendrat e kontrollit kanë vënë re menjëherë dëmtimin dhe kanë mbyllur sistemin.

Franca ende nuk ka akuzuar ndonjë grup apo vend për sabotim, por shumë do ta drejtojnë menjëherë gishtin nga Moska. Të dyshuar të tjerë të mundshëm përfshijnë grupe terroriste, radikalë të majtë dhe aktivistë mjedisorë.

Shefi i SNCF i përshkroi zjarrvënësve si një "grumbull të çmendurish", por nuk dha asnjë detaj për identitetin e tyre. Kryeministri francez Gabriel Attal tha se sulmet ishin "të përgatitura dhe të koordinuara" dhe premtoi "të gjente dhe ndëshkonte" diversantët.

Një burim sigurie tha të premten se nuk ishte gjetur ende asnjë "provë e dyshimtë" për të vërtetuar nëse sabotimi hekurudhor ishte rezultat i një sulmi hibrid rus.

Megjithatë, një burim francez i inteligjencës i tha agjencisë së lajmeve AFP se sabotimi ishte i ngjashëm me incidentet e mëparshme që përfshinin ekstremin e majtë.

Mbështetja diplomatike dhe ushtarake e Francës për Ukrainën e ka vënë atë në pikën e një fushate të re ruse kundër Evropës të njohur si "luftë hibride", e cila përfshin sabotim, zjarrvënie, sulme kibernetike dhe përpjekje të tjera për të destabilizuar demokracinë perëndimore.

Dhe tashmë ka një precedent që Rusia të nisë sulme nxitëse ndaj bizneseve dhe infrastrukturës në Evropë.

Kur një zjarr misterioz shpërtheu në fabrikën e armëve Diehl në Berlin në maj, hetuesit gjermanë fillimisht supozuan se ishte një aksident – ​​edhe pse Grupi Diehl ishte pjesë e zinxhirit të furnizimit që siguronte forcat e armatosura ukrainase me armë.

Që atëherë ata kanë marrë informacion nga një shtet anëtar i NATO-s që sugjeron fuqishëm se ishte me të vërtetë një sulm sabotues rus.

Muajin e kaluar, zjarrvënësit pro-rusë në lindje të Londrës synuan një kompani me lidhje tregtare me Ukrainën. Në përgjigje të sulmit, qeveria britanike dëboi atasheun rus të mbrojtjes./Përshtati "Pamfleti" nga "TheGeopost"

Lini një Përgjigje