Politikanët në Perëndim rrezikojnë të përsëritin gabimin e gjermanëve me Hitlerin...
Më 30 janar 1933, Adolf Hitleri u emërua kancelar i Gjermanisë. Për mbështetësit e tij, ishte një ditë e “revolucionit kombëtar” dhe e rilindjes së vendit. Pas 14 viteve të “sistemit” liberal-demokratik të Weimar-it, ata besonin se Gjermania, kishte nevojë për forcën restauruese të një lideri të dorës së fortë.
Atë natë, këmishë-kadifenjtë me pishtarë të Hitlerit, marshuan nëpër qendrën e Berlinit për të shënuar agimin e një epoke të re. Ai ishte edhe një moment triumfi në historinë e mashtrimit popullor. Që në ditët e para të Republikës së Weimar, politika e saj ishte përcaktuar nga fushatat e keqinformimit, përfshirë gënjeshtrën se demokracia e kohës ishte vepër e një grupimi hebrenjsh dhe socialistësh që i kishin “ngulur Gjermanisë thikën pas shpine” për të siguruar humbjen e saj në Luftën e Parë Botërore.
Sot, shumë pak njerëz e kundërshtojnë idenë se ngjitja në pushtet e Hitlerit ishte një pikë kthese në historinë botërore, dhe fillimi i një procesi politik që do të çonte në Luftën e Dytë Botërore dhe Holokaustin. Por Hitleri nuk “e mori pushtetin”, siç pretenduan më vonë nazistët.
Përkundrazi, siç e ka shpjeguar në detaje biografi i tij Ian Kershaw ai “u ngjit në pushtet” nga një grup i vogël njerëzish me shumë ndikim. Një nga ata burra ishte Franz von Papen, i cili shërbeu për pak muajt si kancelar në vitin 1932. Ai mendonte se Hitleri dhe Partia Naziste - që pas zgjedhjeve të vitit 1932 ishin partia më e madhe - mund të përdoreshin për të çuar përpara një axhendë konservatore.
Edhe presidenti gjerman, ish-Marshalli Paul von Hindenburg, donte ta përdorte Hitlerin për të rivendosur monarkinë. Por planet e këtyre konservatorëve u prishën shumë shpejt nga udhëheqja e pamëshirshme e Hitlerit, dhuna brutale e nazistëve dhe nxitimi i publikut gjerman për t’iu bashkuar regjimit të ri dhe për t'u bërë pjesë e rizgjimit kombëtar që ishte premtuar.
Liberalët dhe socialdemokratët që e kundërshtuan Hitlerin ose iu nënshtruan dhunës ose ranë në grackën e optimizmit të tyre. Sado keq që po bëhen gjërat, e siguruan ata veten, sundimi i Hitlerit në fund do të shembet. Lufta e brendshme midis nazistëve, me siguri që do të sillte fundin e qeverisë së re.
Përtej liberalëve dhe socialistëve, një pjesë më e gjerë e shoqërisë gjermane supozoi se Hindenburg, i cili kishte premtuar të ishte president i të gjithë gjermanëve, do ta mbante Hitlerin nën kontroll, ndërsa të tjerët prisnin që këtë ta bënte ushtria. Të gjithë u mashtruan nga aftësia e Hitlerit për t’u dukur i respektueshëm në vitet e fundit të Republikës së Weimarit.
Brenda 100 ditëve nga ardhja në pushtet, siç e ka treguar edhe historiani Peter Fritzsche, u bënë shumë të qarta përpjekjet e pamëshirshme të nazistëve për të pasur sa më shumë pushtet. Nga fundi i verës së vitit 1933, shoqëria gjermane u vu në rresht. Nuk kishte më parti të pavarura politike, sindikata apo organizata kulturore.
Vetëm kishat e krishtera ruajtën njëfarë pavarësie. Një vit më vonë, në verën e vitit 1934, Hitleri urdhëroi vrasjen e rivalëve të tij të brendshëm të partisë dhe pas vdekjes së Hindenburgut më 2 gusht, e shpalli veten Fyhreri i Gjermanisë. Diktatura e tij ishte totale. Në atë kohë, kampet e para të përqendrimit ishin ngritur tashmë dhe ekonomia po i përshtatej planeve për luftë. Ajo periudhë e historisë mbetet edhe sot shumë e rëndësishme. Qindra miliona njerëz do të votojnë këtë vit, dhe ndonëse shenjat paralajmëruese janë aty, pak analistë janë të përgatitur ta thonë me zë të lartë: 2024 mund të jetë një përsëritje e vitit.
Mjafton të imagjinoni botën një vit nga tani, me fushatat e keqinformimit që kanë rrëzuar nga pushteti shumicat demokratike në mbarë botën. Presidenti Donald Trump i jep fund mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për Ukrainën. NATO nuk është më një frenues për ëndrrat e Vladimir Putinit për ndërtimin e një Perandorie të re Ruse në të gjithë Evropën Lindore.
Disa parti të ekstremit të djathtë në Parlamentin Evropian, bllokojnë një përgjigje të unifikuar evropiane. Polonia, Estonia, Lituania dhe Letonia mbeten në mëshirë të fatit. Duke qenë se lufta në Gaza është zgjeruar në një konflikt rajonal, Putin shfrytëzon mundësinë për të nisur një sulm tjetër, të shoqëruar nga raketa me rreze të gjatë veprimi.
Dhe në mesin e këtij kaosi, Kina vendos të pushtojë Tajvanin. Perspektivat për këtë viti janë aq të zymta saqë shumë refuzojnë edhe t’i mendojnë ato. Ashtu si liberalët në vitin 1933, që parashikuan se Hitleri do të dështonte shumë shpejt, edhe sot mendimet tona po turbullohen nga mendimet e dëshiruara.
Ne jemi duke ecur përgjumësh - sa për të huazuar metaforën e saktë të historianit Christopher Clark mbi fillimin e Luftës së Parë Botërore - drejt një rendi të ri ndërkombëtar. Në librin e saj të mrekullueshëm me dy vëllime mbi epokën midis luftërave, Zara Steiner i referohet viteve 1929-33 si “vitet e menteshës”, kur idealizmi në marrëdhëniet ndërkombëtare u zëvendësua nga “triumfi i errësirës”.
Por deri në vitin 1926, u duk se liberalët po fitonin:Ministri i Jashtëm francez Aristide Briand dhe homologu i tij gjerman, Gustav Stresemann, ndanë çmimin Nobel për Paqen për punën e tyre mbi pajtimin franko-gjerman, dhe Gjermania iu bashkua Lidhjes së Kombeve. Nacionalizmi ekstrem dukej se ishte i izoluar në Italinë e Benito Mussolinit. Përballë krizave të sotme globale, nuk ka shumë vend për të qenë optimistë. Ne jemi potencialisht në fillim të një viti tjetër të trazuar. Nëse liberalët veprojnë tani, kanë ende mundësi që të fitojnë. Nën një sinjal shumë premtues, qindra mijëra gjermanë dolën kohët e fundit në rrugë për të mbështetur demokracinë dhe diversitetin, dhe për të denoncuar të djathtën ekstreme.
Por demonstratat në një vend nuk mjaftojnë. Liberalëve gjermanë duhet t’u bashkohen edhe të tjerë në mbarë kontinentin. Një demonstrim i gjerë në mbarë kontinentin, do të dërgonte një mesazh të fuqishëm. Ndjenja e urgjencës duhet të shtrihet deri lart, veçanërisht tek liderët e biznesit si CEO i JPMorgan Chase, Jamie Dimon, që duke nuhatur rreziqet ka nisur të afrohet me Donald Trump.
Jo shumë kohë më parë, liderët evropianë u bashkuan dhe bënë gjithçka që duhej për të shpëtuar euron, sepse e kuptuan se dështimi i monedhës së përbashkët do t'i jepte fund vetë Bashkimit Evropian. Tani evropianët duhet të kenë të njëjtën ndjenjë urgjence për t’u përballur si duhet me kërcënimet e këtij viti.
BE-së i duhet një plan për skenarin e një bote pa NATO-n. Ajo ka nevojë për mjete të reja që të përballet me udhëheqës të shteteve anëtare si kryeministri hungarez Viktor Orbán dhe ai sllovak Robert Fico, që preferojnë më mirë të puthin unazën e Putinit sesa të mbrojnë demokracinë.
Është e papranueshme që Orbán ka ende mundësinë që ushtrojë të drejtën e vetos mbi vendimmarrjen e Bashkimit Evropian. Në SHBA, ndryshorja e madhe është mobilizimi politik. Kundërshtarët e Trump duhet të lënë mënjanë dallimet e tyre dhe të bashkohen pas presidentit aktual Joe Biden. Ne e dimë shumë mirë se ku mund të çojë përçarja dhe optimizmi naiv./Përshtati Pamfleti nga “Project Syndicate”
Shënim:Mark Jones, ndihmës/profesor i historisë në Kolegjin Universitar të Dublinit, Irlandë. Autori i librit “1923: Kriza e harruar në vitin e grushtit të shtetit të Hitlerit”.
Lini një Përgjigje