TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota31 Janar 2024, 10:54

Si mund të shkatërrohet ekonomia ruse e bazuar tek nafta

Shkruar nga Anders Aslund
Si mund të shkatërrohet ekonomia ruse e bazuar tek nafta
Vladimir Putin /

Perëndimi e ka mposhtur industrinë ruse të gazit, ndaj duhet të fokusohet tek eksportet e saj të naftës...

Ekonomia e Rusisë nuk është shumë e madhe. Ajo arrin në rreth 1.5 trilionë dollarë, duke u luhatur për shkak të paqëndrueshmërisë së rublës. Ajo është shumë e cenueshme kryesisht sepse Rusia jeton me eksportet e mallrave të cilat janë të vështira për t'u transportuar, dhe që tani janë subjekt i sanksioneve të Perëndimit.

Shumica e eksporteve të saj janë mallra, sidomos kur janë të larta çmimet e naftës. Të ardhurat totale të saj nga eksporti luhaten me çmimet e naftës dhe gazit nga 382 miliardë dollarë në vitin 2020, në 628 miliardë dollarë në 2022.

Rusia ka humbur tashmë thuajse të gjitha eksportet e saj prej 150 miliardë metra kub gaz që dërgonte çdo vit në Evropë, me vlerë 60-70 miliardë dollarë në vit, për shkak të arrogancës së saj të plotë, dhe duke u treguar një furnizuese jo e besueshëm. Rusia ka dështuar të diversifikojë eksportet e saj të gazit.

Shumica e linjave të transportit të gazit shkojnë në Evropë, dhe Rusia prodhon pak gaz natyror të lëngshëm (LNG). Vetëm 30 miliardë metra kub eksportohen në Kinë përmes tubacioneve. Më herët Moska hodhi në erë tubacionet e gazit që e lidhnin me Turkmenistanin, duke humbur ndikimin e saj energjetik në Azinë Qendrore.

Gjatë vitit të kaluar, Gazprom reduktoi ndjeshëm prodhimin e tij, një rënie që nuk mund të rikuperohet kollaj. Shitjet e gazit në vend mbeten shumë të subvencionuara, ndaj Gazprom rrezikon të falimentojë. 

Sektori i naftës në Rusi, është shumë më i rëndësishëm dhe i menaxhuar në mënyrë profesionale. Nafta ka zënë tradicionalisht më shumë se gjysmën e totalit të eksporteve të Rusisë. Ndaj Perëndimi dhe Ukraina, duhet të fokusohen tani në minimizimin e të ardhurave të Rusisë nga eksporti i naftës.

Në fund të vitit 2022, Perëndimi vendosi një kufi mbi çmimin e naftës ruse. Kjo masë funksionoi mirë gjatë gjysmës së parë të 2023, por më pas çmimet u rritën. Qeveria amerikane, ka gjurmuar me sukses shkelësit e sanksioneve dhe ka sanksionuar shumë prej tyre me një efikasitet gjithnjë e më të madh.

Të ardhurat e Rusisë nga eksporti, parashikohen të ndalen në 460 miliardë dollarë nga 628 miliardë dollarë në vitin 2022. Por Perëndimi duhet të shkojë më tej. Një dobësi shtesë e Rusisë, është se eksportet e mallrave kërkojnë një transport të lirë, që do të thotë transport detar ose përmes tubacioneve, dhe Rusia ka qasje të kufizuar në dete. 90 për qind e eksporteve të naftës ruse kalojnë nëpër dy dete, detin e cekët Baltik dhe Detin e Zi.

Në kundërpërgjigje të sanksioneve perëndimore, pjesa më e madhe e saj po transportohet nga një flotë hije cisternash të vjetra ruse, nën standardet e kërkuara të sigurisë. Si rregull cisterna të tilla nuk duhet të lejohen në këto ujëra nga frika e katastrofave mjedisore.

Deti Baltik është i rrethuar nga anëtarët e NATO-s dhe BE-së që shqetësohen për mjedisin, dhe flota ruse është padyshim kërcënimi më i madh aktual për shëndetin e tij. Ata duhet ta ndalojnë këtë rrezik në Detin Baltik. Dhe kjo mund të arrihet në 2 pika nevralgjike, në Öresund-in e ngushtë dhe të cekët ose në Gjirin e ngushtë të Finlandës, ku Finlanda dhe Estonia mund të vendosin disa standarde.

Bashkimi Evropian, duhet të tregojë disa nga “muskuj” e vet gjeopolitikë. Të gjitha eksportet ruse të naftës nga Deti i Zi, duhet të kalojnë përmes Stambollit dhe Ngushticës së Bosforit. Si mundet Turqia, e cila ka vendosur kufizime të forta mjedisore në Bosfor, të lejojë kalimin e cisternave të naftës nën standardet e lejuara?

Ka ardhur koha që të ndalohen që të gjitha ato që shkelin rregullat. Kohët e fundit, Ukraina ka nisur bombardimin e rafinerive të naftës dhe të porteve nga ku nisen eksportet ruse të naftës. Duke këmbëngulur tek të qenit e pavarur nga vendet tranzit, dhe duke i keqtrajtuar ato, Rusia e ka bërë veten të pambrojtur ndaj hakmarrjes së Ukrainës.

Duke qenë se vetë Rusia ka sulmuar rafineritë ukrainase të naftës, do të ishte e drejtë që Ukraina t’i kthejë kusurin. Ukraina mund të bombardojë me saktësi objektet ruse, pasi gjatë luftës ka zhvilluar një larmi të jashtëzakonshme dromësh. Ukrainasit më të aftë e më të zgjuar po prodhojnë vazhdimisht dronë.

Deri më sot Ukraina ka arritur të bombardojë njërin nga tre portet kryesore të naftës rreth Shën Petersburgut dhe një në Tuapse pranë Novorossiisk. Po ashtu i ka vënë flakën shumë depove të naftës anembanë Rusisë. Më pas, mund të pritet që Ukraina të godasë më shumë rafineri, depo dhe porte nga ku nisen eksportet.

Pas kësaj, Ukraina mund të vazhdojë me bombardimin e objekteve dhe pikave më të rëndësishme të naftës, të cilat nuk riparohen aq lehtë sa tubacionet. Paralelisht, Perëndimi duhet të ndalojë kompanitë perëndimore të shërbimit të naftës që të punojnë në Rusi, veçanërisht Schlumberger, që vazhdon të punojë atje.

Por a nuk ka nevojë bota për naftën e Rusisë? Në fakt jo. Aktualisht, tregu global i naftës po përjeton një tepricë prodhimi. Çmimet po priren të bien, pavarësisht përpjekjeve të Arabisë Saudite dhe Rusisë për të ulur prodhimin. Shtetet e Bashkuara kanë arritur që të kompensojnë plotësisht shkurtimet e prodhimit të tyre ditor.

Aktualisht SHBA-ja po prodhon më shumë naftë se çdo vend tjetër në histori, 13.2 milionë fuçi në ditë, dhe mund ta rrisë lehtësisht prodhimin shumë më përtej kësaj norme nëse administrata Biden anulon pezullimin e eksportit të gazit të lëngshëm natyror (LNG) të vendosur javën e kaluar.

Prodhimin e kanë rritur edhe disa vende të tjera jashtë OPEC. Ndaj është koha e duhur për të goditur fort eksportet ruse të naftës. Perëndimi duhet të kalojë tashmë nga eliminimi i eksportit të gazit nga Rusia dhe ulja e çmimit të eksporteve të saj të naftës, në eliminimin e eksporteve ruse të naftës dhe produkteve të naftës, të cilat në vitin 2021 arritën në afro 230 miliardë dollarë.

Meqë gati gjysma e eksporteve totale të Rusisë përbëhet nga nafta, sanksionet efektive dhe bombardimet ukrainase ndaj rafinerive mund të zvogëlojnë një pjesë të konsiderueshme të eksporteve totale; 628 miliardë dollarë në vitin 2022 dhe 460 miliardë dollarë në vitin 2023. Më pas, Rusia do të jetë e detyruar të gjunjëzohet, dhe nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të kufizojë shpenzimet e saj ushtarake./ Përshtati Pamfleti nga “National Interest”

Shënim: Anders Åslund, anëtar i Forumit të Botës së Lirë me qendër në Stokholm, Suedi. Ai është ekspert mbi ekonomitë e Evropës Lindore, dhe ka qenë këshilltar i qeverive ruse dhe ukrainase.

si mund të shkatërrohet ekonomia ruse nafta

Lini një Përgjigje