
Në mënyrë të veçantë, mes republikanëve po flitet për modifikimin e një projektligji ekzistues, që do të vendoste sanksione ndaj GJNP-së, nëse arreston, heton ose ndjek penalisht çdo person të mbrojtur të Shteteve të Bashkuara ose aleatëve të saj.
Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) njoftoi sot se synon lëshimin e fletarrestimeve ndaj kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe liderëve të Hamasit.
Por ky vendim pavarësisht kundërshtimeve nga palët e cenuara, si nga Izraeli dhe Hamasi, ka hasur një sërë kundërshtimesh të paprecedentë nga politikanë perëndimorë nga e mbarë bota. Të gjithë në mbrojtje të një personi, kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
I pari ishte presidenti i SHBA Joe Biden i cili denoncoi me forcë vendimin e prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për të kërkuar urdhër-arreste kundër liderëve izraelitë. Ai gjithashtu e quajti të paprecedentë ekuivalencën e bërë mes Hamasit dhe Izraelit.
“Më lejoni të jem i qartë: çfarëdo që mund të nënkuptojë ky prokuror, nuk ka asnjë ekuivalencë – asnjë – mes Izraelit dhe Hamasit. Ne do të qëndrojmë gjithmonë me Izraelin kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së tij”, shkroi presidenti.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken nga ana tjetër, tha se SHBA-të kanë dyshimet e tyre për procesin e ndjekur nga GJNP, për të arritur tek urdhër-arrestet.
“Izraeli u informua dhe ata nuk hipën në fluturimin e tyre në të njëjtën kohë kur prokurori doli në televizionin kabllor për të shpallur akuzat. Këto dhe rrethana të tjera vënë në pikëpyetje legjitimitetin dhe besueshmërinë e këtij hetimi", tha Blinken, duke shtuar se SHBA gjithashtu besonte se ICC nuk ka juridiksion mbi këtë çështje.
Blinken tha gjithashtu se SHBA kundërshton fuqishëm njoftimin e sotëm të prokurorit të ICC-së, Karim Khan, për urdhër-arreste për zyrtarët e lartë izraelitë së bashku me udhëheqësit e Hamasit, duke thënë se mund të rrezikojë përpjekjet e vazhdueshme për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit.
“Ne hedhim poshtë ekuivalencën e prokurorit të Izraelit me Hamasin. Është e turpshme. Hamasi është një organizatë brutale terroriste që kreu masakrën më të keqe të hebrenjve që nga Holokausti dhe ende mban peng dhjetëra njerëz të pafajshëm, përfshirë amerikanë. Në thelb, ky vendim nuk ndihmon asgjë dhe mund të rrezikojë përpjekjet e vazhdueshme për të arritur një marrëveshje armëpushimi që do të nxirrte pengjet dhe do të rriste ndihmën humanitare, të cilat janë qëllimet që Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të ndjekin pa pushim”, tha Blinken në një deklaratë.
Lidhur me këto akuza të Blinken, ka pasur një reagim të menjëhershëm nga Gjykata Penale Ndërkombëtare e cila ka hedhur poshtë pretendimet e SHBA-së.
"Megjithë përpjekjet e rëndësishme, (zyra e prokurorit) nuk ka marrë asnjë informacion që ka treguar veprim të vërtetë në nivel vendas për të adresuar krimet e pretenduara ose individët nën hetim. Prokurori gjithashtu nënvizoi vazhdimisht shqetësimet e tij në lidhje me respektimin e Izraelit në të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe ka theksuar publikisht se ai nuk ka parë ndonjë ndryshim të dukshëm në sjellje pavarësisht deklaratave të tij të mëparshme", tha ICC.
Ndërsa prokurori i ICC-së, Karim Khan, ka hedhur poshtë akuzat e Izraelit dhe disa prej aleatëve të tij që vënë në dyshim pavarësinë e tij. Në një intervistë për CNN, Khan tha se pretendimet për antisemitizëm, urrejtje, ose se po favorizim të njërës palë janë larg nga e vërteta.
"Kjo nuk është një gjueti shtrigash, ky nuk është një lloj reagimi emocional ndaj zhurmës. Është një proces mjeko-ligjor që pritet nga ne si prokurorë ndërkombëtarë, si gjykatë e pavarur, të ndërtojmë prova të qëndrueshme që nuk do të shpërndahen në sallën e gjyqit”, tha ai.
Përveç SHBA-së, edhe Mbretëria e Bashkuar u shpreh kundër një kërkese të tillë të Khanit për të arrestuar Netanyahun për gjenocid në Gaza.
“Ky veprim nuk ndihmon sa i përket arritjes së një pauze në luftime, lirimin e pengjeve apo dërgimin e ndihmës në Gaza“, tha një zëdhënës i kryeministrit britanik, Rishi Sunak.
Ndërkaq, kundër lëshimit të fletarrestimeve është shprehur edhe kryeministri i Çekisë, Petr Fiala.
“Propozimi i kryeprokurorit të GJNP-së që të lëshojë fletarrestime për përfaqësuesit e një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe liderët e një organizate terroriste islamike është krejtësisht i papranueshëm”, tha ai.
Megjithatë ka pasur dhe disa liderë që e kanë mbështetur atë, si kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, i cili tha se respekton plotësisht pavarësinë e GJNP-së.
“Megjithatë, fakti që lideri i organizatës terroriste Hamas, i cili ka deklaruar se qëllimi i grupit është të shfarosë shtetin e Izraelit, përmendet në të njëjtën fjali me përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike të po këtij shteti është e pakuptueshme”, shtoi ai.
Edhe organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, deklaroi se viktimat e shkeljeve serioze në Izrael dhe në territoret palestineze nuk kanë pasur drejtësi për dekada.
“Ky veprim i prokurorit hap derën që ata që janë përgjegjës për mizoritë e kryera muajve të fundit të përballen për veprimet e tyre në një gjykim të drejtë”, tha HRW, duke shtuar se shtetet anëtare të GJNP-së duhet të respektojnë pavarësinë e gjykatës.
Lëvizjen më të madhe për të mbrojtur Netanyahun, po e bën SHBA-ja. Udhëheqësit republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve po shikojnë të hedhin një projekt-ligj për sanksionet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC), në përgjigje të vendimit të ICC për të vazhduar me urdhër-arrestet, duke përfshirë edhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Në mënyrë të veçantë, mes republikanëve po flitet për modifikimin e një projektligji ekzistues, që do të vendoste sanksione ndaj GJNP-së, nëse arreston, heton ose ndjek penalisht çdo person të mbrojtur të Shteteve të Bashkuara ose aleatëve të saj./Pamfleti
Lini një Përgjigje