Uashingtoni mund t’i kishte kursyer vetes shumë jetë njerëzish dhe para nëse zyrtarët amerikanë do ta kuptonin qartë një fakt: Ata që e shohin veten si një Zot nuk luajnë sipas rregullave të vdekatarëve të thjeshtë...
Dyzet e pesë vjet më parë dha dorëheqje Andrew Young, një ikonë e të drejtave civile, të cilin presidenti Jimmy Carter e emëroi si ambasador të tij në Kombet e Bashkuara. Mëkati i tij? Takimi me drejtuesit e Organizatës për Çlirimin e Palestinës. Në atë kohë diplomacia amerikane kishte disa “vija të kuqe”.
Nuk mund të takoheshin diktatorë dhe të gjithë terroristët. Por kohët ndryshuan. Brenda Departamentit të Shtetit, diplomatë të shkathët bënë emër duke kapërcyer burokracinë diplomatike. Në më pak se një dekadë pas largimit të Young, Dennis Ross mbrojti kreun e OÇP-së, Yasser Arafat.
Drejtori i CIA-s, William Burns, e çoi karrierën e tij në nivele të larta duke mbajtur kontakte të fshehta me diktatorin libian Muammar Gaddafi, kur kishin kaluar vetëm 15 vjet pas sulmit me bombë në avionin e linjës Pan Am 107. Kur nisi bisedimet sekrete me Iranin, Jake Sullivan e ripërcaktoi veten nga ndihmës politik në një mjeshtër të diplomacisë.
“Nëse doni që të krijoni një situatë që i jep fund kryengritjes, duhet të jeni të gatshëm të dialogoni edhe me armiqtë tuaj”- u shpreh Hillary Clinton për të justifikuar negociatat e saj me talebanët në Afganisgtan. Por dëmi që i shkaktoi botës së lirë çdo episod i shtrirjes së dorës ndaj këtyre diktatorëve ishte i jashtëzakonshëm.
Edhe pse këta diplomatë e çuan përpara karrierën e tyre me shumë guxim. Tek e fundit a mos ishte e gabuar vetëm ta provoje? Jo. Nëse partnerët janë të sinqertë, diplomacia mund të prishë ngërçin e krijuar nga një krizë. Ashtu siç respekti për lirinë fetare pasqyron sinqeritetin e reformave të një diktatori, a ka një mënyrë për të përcaktuar se cilët diktatorë janë të pasinqertë dhe të pandreqshëm?
Nga njëherë fëmijët e tyre na japin disa të dhëna. Si edukata ashtu edhe natyra janë të rëndësishme. Disa pasardhës janë si ‘vezët e këqija’. Psikopatia mund të jetë thjesht një gjen i keq. Por ndonjëherë ajo është e qëllimshme. Autokratët më të pandreqshëm në botë i rrisin fëmijët e tyre që të ndihen superiorë.
Ata i izolojnë, i kënaqin me të gjitha të mirat materiale dhe i ngulitin kulturën se ata kanë të drejtë të sundojnë. Djemtë e Sadam Huseinit, Uday Hussein dhe Qusay Hussein, ishin sociopatë, sadistë dhe devijantë.
Këshilla e ish-Sekretarit të Shtetit Colin Powell për të negociuar me Sadam Huseinin, fillimisht për ta detyruar të tërhiqej nga Kuvajti dhe më pas për të rifilluar inspektimet mbi armët e tij, ishte gjithmonë naive.
Inkurajimi i Sadam Huseinit ndaj djemve të tij, pasqyronte mos-interesimin e tij për sjelljen e qytetëruar që Pauell supozonte të shërbente si bazë për diplomacinë. Gjatë viteve 1984- 2012, senatori i ndjerë Arlen Spectre, kreu gati 20 udhëtime të financuara nga taksapaguesit amerikanë në Damask, shumë prej tyre me mikun e ngushtë Senatorin John Kerry.
Në fillim Hafez Assad dhe më pas djali i tij Bashar Assad, u tallën me ta. Spectre kishte gjithmonë shpresë, edhe pse s’mundi të tregonte ndonjë sukses qoftë edhe të prekshëm. Ndoshta po ta kishte analizuar seriozisht karakterin e djalit të madh, Basil Assad, një playboy i llastuar që vdiq në një aksident me makinë në vitin 1994, ai nuk do të kishte pasur iluzione dhe as nuk do të kishte kuptuar plotësisht se djali i vogël, Bashar Assad, nuk ishte asgjë tjetër veçse një vrasës masiv.
Lista është e gjatë. Presidentët Jimmy Carter, Bill Clinton dhe Donald Trump mund të na kishin kursyer kohë, para dhe pozicion strategjik, në rast se do të kishin vlerësuar dinastinë Kim në Korenë e Veriut për atë që ishte: një familje e shkëputur nga realiteti, në të cilën baballarët u mësonin bijve të besonin se janë Perëndi.
Uashingtoni mund t’i kishte kursyer vetes shumë jetë njerëzish dhe para nëse zyrtarët amerikanë do ta kuptonin qartë një fakt: Ata që e shohin veten si një Zot nuk luajnë sipas rregullave të vdekatarëve të thjeshtë. I njëjti problem po përsëritet edhe sot, edhe me aleatët formalë.
A është presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev i sinqertë kur thotë se do paqen? Pasuritë e fëmijëve të tij, Leyla Aliyev, Arzu Aliyev dhe Heydar Aliyev, sugjerojnë se ai e sheh familjen e tij mbi ligjin, duke ngritur pikëpyetje për çdo marrëveshje diplomatike që mund të arrijnë negociatorët.
A mund t’i besojë dhe ndihmojë Perëndimi kurdët e Irakut, kur Masoud Barzani dhe djemtë e tij Masrour Barzani dhe Waysi Barzani shfaqin stilin e tyre të jetesës? Dy dekada korrupsion sugjerojnë të kundërtën. A është presidenti turk Recep Tayyip Erdogan po aq i pastër dhe i ndershëm sa na thotë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kur djali i tij përfitonte nga tregtia e naftës me Shtetin Islamik?
Ndonjëherë, udhëheqësit janë mjaftueshëm të zgjuar për të lënë mënjanë pasardhësit e tyre të llastuar. I tillë ishte rasti i Tommy Suharto në Indonezi dhe Mirzan Mahathir në Malajzi.
Po diktatorët që krijojnë një terren diplomatik të ri? Kujtoni pak rastin e presidentit egjiptian Anwar Sadat, që bëri paqe me Izraelin; Mikhail Gorbachev, që ndihmoi në fundin e Luftës së Ftohtë; dhe udhëheqësin e Afrikës së Jugut P.W Botha, që bashkëpunoi me Nelson Mandelën për të çmontuar regjimin e Aparteidit.
Secili kishte fëmijët e tij, që ditën të përshtaten, ia dolën mbanë edhe shumë kohë pas vdekjes së prindërve të tyre. Agjencitë e inteligjencës mund të shpenzojnë miliarda dollarë për të marrë informacione, por ndonjëherë nuk ka asnjë zëvendësim për karakterin. Ai e tejkalon çdo ditë politikën. /Përshtati “Pamfleti” nga “American Enterprise Institute”
Lini një Përgjigje