Danimarka e gjen veten në qendër të një stuhie të gatuar tërësisht nga vetë Donald Trump. Ai vazhdon të këmbëngulë për të marrë kontrollin e ishullit gjigant të Grenlandës, dhe nuk po tregon shenja tërheqjeje.
Çfarë qëndrimi duhet mbajtur përballë një “buldozeri” si Donald Trump? Si duhet reaguar ndaj një presidenti amerikan të gatshëm për të nënshtruar të gjithë botën? Është një pyetje e përsëritur në çdo kontinent, që i është dashur të vuajë kërcënimin e tarifave tregtare apo përdorimin e forcës nëse guxojnë që t’i rezistojnë kërkesave të presidentit të ri, që ka vetëm 10 ditë në detyrë.
Dhe kjo pyetje fiton një dimension të veçantë në Evropë, ku ai që ju kërcënon është paradoksalisht edhe ai që ju mbron! Në këtë kuadër, ishte mjaft simbolike vizita e së martës në Paris e kryeministres daneze Mette Frederiksen në kuadër të turneut të saj evropian. Është e vështirë të gjesh një aleat më besnik të Shteteve të Bashkuara se sa Danimarka.
E megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të saj më të mira, Danimarka e gjen veten në qendër të një stuhie të gatuar tërësisht nga vetë Donald Trump. Ai vazhdon të këmbëngulë për të marrë kontrollin e ishullit gjigant të Grenlandës, dhe nuk po tregon shenja tërheqjeje.
Ndërkohë, Kopenhaga refuzon me vendosmëri dhe kryeministri i zgjedhur në mënyrë demokratike i këtij territori, i cili është ende i lidhur me kurorën daneze, po kërkon pavarësinë, por jo të bjerë nën kontrollin e një vendi tjetër.
Një telefonatë javën e kaluar midis presidentit amerikan dhe kryeministres daneze shkoi keq, duke e shokuar Danimarkën. Më pas, Trump u tall publikisht me “slitën e qenve” të vendosura nga Danimarka për të mbrojtur Grenlandën. Me aleatët nuk mund të sillesh kështu, sigurisht përveçse nëse je Trump.
Përplasja e afërt në fushën e teknologjisë
Mette Frederiksen dëshiron të sigurojë mbështetjen e vendeve evropiane kryesore, dhe ajo duket se e ka atë. Por në këtë fazë nuk do që të japë detaje: një spektakël i tillë, nuk është aspak në stilin e Danimarkës, dhe për më tepër ka të ngjarë të mos ishte efektiv kundër fuqisë së madhe të Shteteve të Bashkuara.
Kur Kina mori masa ekonomike kundër Lituanisë për shkak të marrëdhënieve të saj të ngushta e Tajvanin, Evropa iu gjend në krah për ta ndihmuar që t’i rezistonte fushatës goditëse. Por ajo që ishte e mundur me Kinën, është shumë më e ndërlikuar kur bëhet fjalë për Shtetet e Bashkuara.
Por ky problem është shumë më i madh se sa vetëm rasti danez.
Pasi presioni amerikan do të shtrihet në të gjithë kontinentin e Evropës përmes kërcënimeve të luftës tregtare, shpenzimeve ushtarake dhe blerjes së hidrokarbureve amerikane. Natyrisht, e gjithë kjo do të çojë përfundimisht në çështjen e rregullimit të platformave dixhitale me qendër në SHBA.
Aleatë apo klientë?
Ndërkaq në Evropë, nuk ka një zë të vetëm që dominon. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe shefja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, kanë sinjalizuar interesin për blerje më të mëdha të vendeve evropiane nga Shtetet e Bashkuara, me sa duket me qëllim zbutjen e Donald Trump.
Megjithatë, të tjerët synojnë që të “rezistojnë”. A ka Evropa zgjedhje përballë kësaj situate? Sot, ajo po paguan koston e mos-reduktimit të varësisë së saj nga Shtetet e Bashkuara, sidomos kur bëhet fjalë për mbrojtjen. Tani Evropa ka shumë frikë të kritikojë shumë ashpër administratën e re amerikane, nga frika se ajo mund të tërhiqet nga NATO.
Vokacioni ynë nuk është të jemi klientë, por kombe sovrane. Dhe kjo është e vërtetë edhe kur bëhet fjalë për industrinë e mbrojtjes. Pjesa dërrmuese e shpenzimeve të mbrojtjes nga vendet evropiane shkon për prodhuesit amerikanë. Programi Evropian i Industrisë së Mbrojtjes, aktualisht në diskutim, gjendet tashmë nën presionin amerikan.
Këtu e ka burimin edhe apeli i ndjerë i presidentit francez Emmanuel Macron në fjalimin e tij drejtuar forcave të armatosura javën e kaluar: “Vokacioni ynë nuk është të jemi klientë, por kombe sovrane!”. Por Donald Trump ka ide të tjera. Ai synon t’i detyrojë vendet të paguajnë për mbrojtjen që ofrojnë Shtetet e Bashkuara: për të nuk ka më aleatë, por vetëm klientë./Përshtati "Pamfleti", nga “Worldcrunch”
Lini një Përgjigje