TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Gusht 2024, 15:04

A do të vendosë Rusia në gatishmëri raketa sulmuese të afta për të goditur Evropën?

Shkruar nga Linus Höller

 “Koha e fluturimit drejt objektivave në territorin tonë të raketave të tilla, të cilat në të ardhmen mund të pajisen me koka bërthamore, do të jetë rreth 10 minuta”

A do të vendosë Rusia në gatishmëri raketa sulmuese të
Vladimir Putin /

Rusia planifikon që të vendosë raketa sulmuese brenda distancës nga mund të godasë vendet e  Evropës Perëndimore, në rast se Shtetet e Bashkuara do të mbajnë premtimin e tyre për të vendosur raketa të ngjashme në Gjermani në vitin 2026. Kështu u shpreh fundjavën e kaluar presidenti rus Vladimir Putin.

Gjatë pjesëmarrjes së tij në festimet për Ditën e Marinës së Rusisë, Putin tha se vendi i tij  do të merrte “masa reciproke për t’i vendosur këto lloj armësh në gjendje lëshimi”. Ato mund të jenë në gjendje të mbajnë edhe bomba bërthamore.

“Ne mund të detyrohemi që ta bëjmë këtë, duke pasur parasysh veprimet e Shteteve të Bashkuara, satelitëve të saj në Evropë dhe në rajone të tjera të botës”- nënvizoi kreu i Kremlinit. Po ashtu, presidenti rus vuri në dukje kërcënimin e perceptuar nga planet amerikane për të vendosur raketa me rreze të mesme veprimi në Gjermani deri në vitin 2026.

“Koha e fluturimit drejt objektivave në territorin tonë të raketave të tilla, të cilat në të ardhmen mund të pajisen me koka bërthamore, do të jetë rreth 10 minuta”- tha ai.

Shtëpia e Bardhë tha më 10 korrik, se SHBA-ja po planifikon të “nisë vendosjen episodike” të raketave konvencionale në Gjermani duke nisur nga viti 2026.

Deklarata shpjegonte se “këto njësi të armëve të zjarrit konvencionale me rreze të gjatë, do të përfshijnë raketat SM-6, Tomahawk dhe armët hipersonike, të cilat kanë rreze veprimi dukshëm më të gjatë se sa armët aktuale në Evropë”.

Mbetet e paqartë se cilat raketa do të synojë të përdorë ose të vendosë në gatishmëri Moska, shprehet Nikolai Sokov, bashkëpunëtor në Qendrën e Vjenës për Çarmatimin dhe Mospërhapjen, i cili hulumton raketat ruse dhe kontrollin e armëve.

Raketat “Kalibr” e lëshuar nga toka ishte zgjedhja “më e qartë”, tha ai, duke shtuar se “do të jetë më e lehtë që ato të zhvillohen dhe testuar në kohë për të qenë gati deri në vitin 2026”. Në tryezën e diskutimeve, mund të jetë edhe rritja e gamës së raketave “Iskander” po edhe ringjallja e projektit të raketave “Rubezh”.

Raketat ruse “Iskander” janë vendosur tashmë në Kaliningrad dhe Bjellorusi, ndërsa sistemet me rreze më të gjatë veprimi mund të vendosen më në thellësi në territorin rus, duke e rritur kohën e paralajmërimit të hershëm për të dyja palët.

“Po ashtu, është edhe raketa rrëshqitëse 9M729, për të cilën SHBA-të besojnë se ka hyrë në shërbim në ushtrinë ruse që nga vitet 2010”- thotë Michael Duitsman, studiues në Qendrën James Martin për Studimet mbi Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (VCDNP) me bazë në Kaliforni.

Ai vuri në dukje se Putin përmendi në mënyrë të hapur “trupat bregdetare” në fjalimin e tij të së dielës, të cilat përfshijnë forcat e artilerisë bregdetare. “Ushtria ruse ka përdorur dy nga këto sisteme, Bal dhe Bastion, për të goditur objektivat tokësore në Ukrainë”- shprehet më tej Duitsman, duke vënë në dukje se që të dyja mund të përmirësohen me vendosjen e raketave me rreze më të madhe veprimi.

“Me raketat Oniks-M nga njësia me bazë në Kaliningrad, Moska mund të godiste hipotetikisht të gjithë Poloninë, përveç misioneve të caktuara kundër anijeve të marinës”- nënvizoi ai. Bashkimi Sovjetik dhe SHBA-ja nënshkruan në vitin 1987 Traktatin e Forcave Bërthamore (INF) me rreze të mesme veprimi, që nxori jashtë ligjit të gjithë këtë kategori armësh me rreze veprimi 500-5500 kilometra.

Deri në vitin 1991, të dyja vendet kishin shkatërruar të gjitha rezervat e tyre, në total 2692 raketa të tilla. Administrata e Donald Trump, u tërhoq nga traktati në fillim të vitit 2019, duke pretenduar si justifikim shkeljet e përsëritura të tij nga pala ruse.

Në kundërpërgjigje, edhe Rusia e pezulloi pjesëmarrjen e saj në të. Në fjalimin e tij të dielën, Putin tha se nëse SHBA-ja ndjek planet e saj të vendosjes së raketave, Rusia “do ta konsiderojë veten të lirë nga ndalimi i njëanshëm i vendosur më parë mbi zhvillimin e armëve me rreze të mesme dhe ato më të shkurtër”.

Krijimi i sistemeve të tilla, theksoi Putin, ishte “në fazën e tij përfundimtare”. “Ne po hyjmë në një krizë të re të raketave në Evropë”- thotë Nikolai Sokov, bashkëpunëtor i lartë në VCDNP. Ai shtoi se, ndryshe nga Gorbachev, që pati një rol shumë të rëndësishëm për suksesin e traktatit INF, Putini ka më pak gjasa që të bëjë lëshime. “Ka më shumë gjasa të ndodhë një përplasje, teksa një marrëveshje është më pak e mundur se sa në vitet 1980”- mendon Sokov./Përshtati Pamfleti nga “Marine Corps Times”

linus höller rusia raketa sulmuese evropa

Lini një Përgjigje