
Po çfarë mund të ndodhë më tej? Forcat opozitare, ka të ngjarë të avancojnë drejt jugut dhe drejt kryeqytetit Damask.
Që nga 27 nëntori, një koalicion i forcave opozitare në Sirinë Veriperëndimore, i udhëhequr nga organizata Hay’at Tahrir Al-Sham (HTS), nisi një sulm të ri kundër regjimit të Bashar Al Assadit dhe bastioneve të tij të kontrolluara nga milicite aleate shiite. Dy ditë më vonë, ai arriti të pushtojë Aleppon, qytetin e dytë më të madh të Sirisë.
Të enjten, rebelët hynë në Hama, qyteti i katërt më i madh i Sirisë, pasi Ushtria Arabe Siriane (SAA) e diktatorit Assad njoftoi se po tërhiqej nga qyteti në periferi të tij. Kjo është ofensiva e parë e madhe e opozitës që nga Armëpushimi i Idlibit i vitit 2020, i arritur me ndërmjetësimin e Rusisë dhe Turqisë.
Po ashtu, ai shënon ndryshimin më të rëndësishëm në balancën e fuqisë në luftën e Sirisë që nga ndërhyrja ushtarake e Rusisë gati një dekadë më parë. Vënia nën kontroll e Hamës, është një fitore e rëndësishme strategjike për rebelët, por “çmimi i madh” mbetet Damasku.
Operacioni i rebelëve, i quajtur “Parandalimi i Agresionit”, ishte një kundërpërgjigje ndaj bombardimeve të shtuara ndaj zonave civile nga forcat qeveritare që nga marrëveshja e armëpushimit e 2020-ës. Pas kontrollit të lartësive strategjike që rrethojnë Sirinë Veriperëndimore të kontrolluar nga rebelët, regjimi i Assad dhe milicitë në varësi të Iranit përdorën artileri, raketa dhe dronë për të sulmuar infrastrukturën civile në të gjithë provincën e Idlibit. Vetëm një ditë para nisjes së operacionit, forcat e regjimit të Assadit sulmuan një shkollë fillore në Ariha, duke vrarë 3 fëmijë dhe plagosur 14 të tjerë.
Deri më sot, suksesi i rebelëve është shpjeguar me faktorë të jashtëm, si pakësimi i mbështetjes së Iranit dhe Hezbollahut për regjimin e Assadit, dhe me koordinimin e mirë midis forcave opozitare në Idlib dhe atyre në Aleppon fqinje. Ndërsa ata po përparojnë në provincën Hama, dinamika e pushtetit po ndryshon shumë në favor të tyre.
Kapitullimi i linjave mbrojtëse së qeverisë, flet për një dështim taktik dhe një kaos të madh brenda regjimit të Assadit. Pushtimi i Aleppos, është një arritje e madhe nga rebelët, por ai i Hamas ka një rëndësi të veçantë politike dhe strategjike. Sepse është qyteti ku nisi rebelimi në vitet 1960-1970.
Në vitin 1982, ky qytet iu nënshtrua një fushate ushtarake brutale, gjatë së cilës u vranë dhe u zhvendosën dhjetëra mijëra banorë. Ngjarja mbetet e gjallë në kujtesën kolektive të sirianëve, si një dëshmi e vullnetit të regjimit, asokohe nën Hafez Al-Assad dhe sot nën djalin e tij Bashar, për të ushtruar dhunë vetëm për të mbetur në pushtet.
Hama luajti një rol të rëndësishëm edhe në kryengritjen e vitit 2011. Ajo ka një pozicion strategjik në Sirinë qendrore midis qyteteve të mëdha, duke e bërë një nyje kritike për kontrollin e linjave të furnizimit dhe rrugëve të transportit në të gjithë vendin.
Në këtë provincë ndodhet një bazë ajrore ushtarake e rëndësishme, që përdoret nga ushtria e Assadit dhe aleatët e tij, duke përfshirë forcat ruse. Kjo bazë ka qenë shumë e rëndësishme për nisjen e sulmeve ajrore, zbulimit dhe operacioneve logjistike gjatë gjithë konfliktit.
Po ashtu, në qytet dhe rrethina ndodhen disa kazerma ushtarake dhe pozicione artilerie, duke e bërë atë një qendër operacionale shumë të rëndësishme. Për këtë arsye, përparimi i rebelëve në Hama do të dobësojë seriozisht aftësinë e regjimit të Assadit për t’iu kundërvënë sulmeve të rebelëve dhe për të mbrojtur bastionet e tij të mbetura në Sirinë qendrore.
Po çfarë mund të ndodhë më tej? Forcat opozitare, ka të ngjarë të avancojnë drejt jugut dhe drejt kryeqytetit Damask. Por pas pushtimit me sukses të Aleppos dhe Hamas, forcat rebele do të përballen me sfida ushtarake, sociale dhe qeverisëse. Rebelëve do të duhet të konsolidojnë arritjet e tyre në provincën Hama.
Kjo zonë do të jetë e rëndësishme për ruajtjen e levave ushtarake dhe strategjike kundër Assadit, dhe ka të ngjarë të jetë objektivi i parë për çdo përpjekje të Asadit për të nisur thyerjen e ofensivës së rebelëve. Rebelët mund të përballen gjithashtu me sfida logjistike dhe operacionale, përfshirë nevojën për furnizime.
Ndërsa rebelët po zhvendosen më në jug, do të përballen me sfida të reja. Homs është qyteti i tretë më i madh i Sirisë, dhe shërben si një qendër tranziti shumë e rëndësishme që lidh Damaskun me provincat veriore dhe perëndimore, përfshirë bastionet bregdetare Latakia dhe Tartus, ku ushtria ruse ka disa baza.
Hyrja në provincën e Homsit, kërkon kalimin përmes komuniteteve të mëdha alevite, shumë prej të cilave e mbështesin fuqishëm Assadin. Për më tepër, një dekadë luftimesh midis milicive aleate të Asadit dhe rebelëve brenda provincës, ka sjellë ndërtimin e më shumë fortifikimeve.
Veç forcave qeveritare, në Homs ka një prani të madhe të Hezbollahut. Dhe më e rëndësishmja, rebelët do të testojnë “vijat e kuqe” të Rusisë në Siri. Deri më tani, Rusia nuk është angazhuar në ndonjë mbështetje serioze ushtarake për Assadin në zonat ku ai po humbet ndaj rebelëve.
Ndërsa Rusia ka kryer disa sulme ajrore ndaj Idlibit dhe Aleppos, për të frenuar përparimin e rebelëve, ajo nuk është angazhuar drejtpërdrejt në Hama. Ky frenim, ka të bëjë me llogaritjet strategjike të Moskës për të shmangur shpenzimin e tepruar të burimeve të saj.
Gjithsesi, Rusia duket e përkushtuar në ruajtjen e regjimit të Assadit, të bazës së saj kryesore në Lindjen e Mesme, dhe thuhet se i ka premtuar Damaskut ndihmë ushtarake shtesë. Teksa më parë ka pasur lidhje me Al-Kaedën, HTS është shndërruar në një grup të fokusuar në nivel lokal, e ka braktisur ideologjinë e xhihadizmit ndërkombëtar të Al-Kaedës, dhe është bërë forca kryesore kundër Shtetit Islamik dhe Al-Kaedës në Sirinë Veriperëndimore.
Gjithsesi, ky grupim mbetet i diskutueshëm për shkak të aktiviteteve të tij të dikurshme militante dhe ekstremiste. HTS mbetet ende për SHBA-në dhe OKB një organizatë terroriste, gjë që e bën të vështirë komunikimin e qeverive të huaja. HTS ka shpallur gatishmërinë e saj për t’u shpërbërë pas luftës, teksa ka vendosur kontakte me kryeqytete të ndryshme të BE-së, me synim bashkëpunimin për rikthimin e sigurt të refugjatëve sirianë që ndodhen sot në Evropë.
Kontrolli i qytetit të dytë dhe të katërt më të madh në Siri, dhe përparimet e tyre drejt Homsit, i përball rebelët me sfida por edhe me mundësi. Nëse rebelët do të kenë sukses në sigurimin e një qeverisjeje të mirë në Aleppo dhe Hama, atëherë kjo do jetë një shenjë e mirë për aftësinë e tyre për të qeverisur me sukses Damaskun, dhe në fund të gjithë Sirinë.
Shënim: Qutaiba Idlbi, anëtar i Qendrës Rafik Hariri të Këshillit Atlantik dhe i Programeve të Lindjes së Mesme./ Përshtati "Pamfleti", nga “Atlantic Council”.
Lini një Përgjigje