TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Tetor 2024, 10:37

A do të ketë sukses nisma e re për krijimin e shtetit të Palestinës?

Shkruar nga Bakir Oweida

 A do të ketë sukses nisma e re për krijimin e shtetit të

Presioni i barabartë diplomatik, duhet të synojë aleatët kryesorë të Izraelit, kryesisht SHBA-në dhe Britaninë e Madhe. Ndërsa në fillim të muajit të ardhshëm priten të mbahen zgjedhjet presidenciale në SHBA, koha e veprimit është shumë e rëndësishme...

Në një lëvizje diplomatike të rëndësishme, Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Princi Faisal bin Farhan, zbuloi muajin e kaluar krijimin e një aleancë të re ndërkombëtare, që do të synojë të arrijë zgjidhjen e diskutuar prej kohësh të konfliktit izraelito-palestinez, përmes krijimit të 2 shteteve.

Pra objektivi kryesor i koalicionit, është krijimi i një shteti të pavarur palestinez përkrah Izraelit. Teksa Izraeli ekziston si shtet që nga viti 1948 në territorin që i përket historikisht palestinezëve, vëmendja është kthyer tani në krijimin e një shteti të qëndrueshëm palestinez me një autonomi të plotë politike, një ekonomi të fuqishme që do të shfrytëzojë me efektivitet të lartë burimet natyrore, që të përfitojë nga potenciali i rinisë së tij si

dhe nga mbështetja që do të marrë si nga vendet arabe në rajon ashtu edhe komuniteti ndërkombëtar.

Megjithatë, kjo nismë përballet me kundërshtime të forta nga fraksione të ndryshme ekstremiste. Këtu përfshihen elementë të vijës së ashpër brenda Izraelit, që janë aktualisht të udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu, por edhe udhëheqja e Iranit dhe përfaqësuesit e tij në Liban, Irak dhe Siri.

Edhe grupet militante palestineze Hamasi dhe Xhihadi Islamik, e kundërshtojnë zgjidhjen e konfliktit përmes bashkekzistencës së 2 shteteve. Një koalicion i larmishëm grupimesh, shpeshherë në kundërshtim me njëri-tjetrin, e kundërshton vazhdimisht krijimin e një shteti të pavarur palestinez me kryeqytet Jerusalemin Lindor.

Pavarësisht dallimeve të tyre, këto fraksione e gjejnë gjuhën e përbashkët në refuzimin e nismave të paqes. Rrënja e kësaj opozite, ka të ngjarë ta ketë origjinën tek një interes i përbashkët për ta ruajtur status quo-në. Sepse krijimi i një shteti palestinez do të kërcënonte përfitimet kolektive që nxjerrin këto grupe nga situata aktuale.

Kryesorja midis këtyre interesave, është ruajtja e ideologjive ekstremiste që lulëzojnë në konflikt. Dëshmitë historike tregojnë një model të qartë:forcat që kundërshtojnë paqen rajonale, punojnë vazhdimisht për të sabotuar nismat që sfidojnë pozicionet e tyre.

Përpjekjet për të dëmtuar nismat për paqe në Lindjen e Mesme kanë një histori të gjatë, që daton që nga pranimi i Rezolutës 242 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga vendet arabe pas luftës së vitit 1967. Kjo rezolutë, e cila njohu haptazi Izraelin si shtet, u mbështet veçanërisht nga Egjipti nën udhëheqjen arabe dhe me një ndikim të madh të ndërkombëtarëve të Gamal Abdel Nasser.

Këto lloj pengesash, vazhduan me formimin e “Frontit të Qëndrueshmërisë dhe Konfrontimit” në kundërpërgjigje të Marrëveshjeve të diskutueshme të Camp David të udhëheqësit tjetër egjiptian Anwar Sadat në vitin 1978 me krerët e Izraelit.

Kjo prirje vazhdoi me mirëpritjen e Iniciativës Arabe të Paqes, e cila u miratua në samitin e Ligës Arabe në Bejrut në vitin 2002 si qëndrim zyrtar i arabëve për paqen me Izraelin. Pengimi i vazhdueshëm i nismave të paqes nga fraksionet ekstremiste, ka qenë për dekada një shenjë dalluese e politikës së Lindjes së Mesme.

Dhe kjo ngre pikëpyetje në lidhje me efektivitetin që do të ketë aleanca në synimin e saj për ta zgjidhur konfliktin përmes krijimit të 2 shteteve, e nisur brenda kufijve simbolikë të “kutisë së shkrepses”, siç përshkruhet në mënyrë metaforike selia e OKB-së në Nju Jork.

Atëherë, a mund të ketë sukses ky koalicion i ri, pikërisht atje ku të tjerët kanë dështuar? Përgjigja qëndron tek aftësia e saj për të ushtruar një presion domethënës mbi lojtarët kryesorë, duke filluar nga Izraeli. Suksesi varet nga detyrimi i Izraelit që t’i përmbahet ligjit ndërkombëtar dhe të braktisë mosndëshkimin e tij të perceptuar në raport me shkeljet në çështjet rajonale.

Kjo qasje, synon të krijojë një mjedis në të cilin zgjidhjet paqësore bëhen jo vetëm të mundshme, por edhe të preferueshme për të gjitha palët e përfshira. Ndikimi në qëndrimin e Izraelit është vendimtar, por i pamjaftueshëm në vetvete.

Presioni i barabartë diplomatik, duhet të synojë aleatët kryesorë të Izraelit, kryesisht SHBA-në dhe Britaninë e Madhe. Ndërsa në fillim të muajit të ardhshëm priten të mbahen zgjedhjet presidenciale në SHBA, koha e veprimit është shumë e rëndësishme. Tani aleanca e re, duhet të formulojë metoda efektive për të ushtruar një presion të ligjshëm diplomatik në shumë fronte./Përshtati Pamfleti nga “Arab News”

Shënim: Bakir Oweida është një gazetar i vjetër palestinez, analist në shumë media të rajonit, dhe korrespondent për mediat evropiane që nga viti 1978.

shteti i palestinës

Lini një Përgjigje