TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Janar 2026, 11:05

217 të vdekur nga protestat në Iran, udhëheqësi suprem: Jemi në luftë, vandalët po përpiqen t’i bëjnë qejfin Trump

Shkruar nga Pamfleti
217 të vdekur nga protestat në Iran, udhëheqësi suprem: Jemi
Ayatollah Ali Khamenei dhe Trump

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei ka sulmuar protestuesit antiqeveritarë si “shqetësues” që po përpiqen “t’i bëjnë qejfin presidentit të SHBA-së”.

Në një fjalim televiziv të premten, ai theksoi se Republika Islamike nuk do të tërhiqet përballë atyre që sfidojnë autoritetin e saj dhe paralajmëroi për masa të ashpra kundër protestuesve.

Irani gjithashtu i dërgoi një letër Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke fajësuar SHBA-në për nxitjen e dhunës dhe “vandalizmit të përhapur” gjatë protestave.

Protestat, që kanë hyrë në ditën e tyre të 13-të, shpërthyen fillimisht për shkak të gjendjes ekonomike dhe janë shndërruar në të gjitha vendin në lëvizjen më të madhe antiqeveritare të viteve të fundit, me thirrje për të rrëzuar Republikën Islamike dhe disa që kërkojnë rivendosjen e monarkisë, shkruan BBC.

Një mjek në Teheran, i cili foli për revistën TIME në kushte anonimiteti, tha se vetëm gjashtë spitale në kryeqytetin iranian kishin regjistruar të paktën 217 vdekje protestuesish , “shumica e tyre nga plumbat”. 

Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, të paktën 48 protestues dhe 14 pjesëtarë të forcave të sigurisë kanë humbur jetën, ndërsa janë arrestuar më shumë se 2,200 persona. Ndërprerja e internetit ka bërë të vështirë raportimin dhe verifikimin e informacioneve nga vendi.

"Jemi në mes të një lufte”

Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, deklaroi se vendi i tij është “në mes të një lufte”, duke argumentuar se nuk ka as gjendje paqeje dhe as armëpushim.

Në deklaratat e tij, Larijani i përshkroi trazirat e brendshme si një kërcënim të organizuar, duke i karakterizuar protestuesit si një “grup terrorist urban”.

Në të njëjtën kohë, ai ia atribuoi drejtpërdrejt përgjegjësinë për situatën aktuale Izraelit, duke pretenduar se Tel Avivi qëndron pas përshkallëzimit të tensionit dhe zhvillimeve brenda vendit.

Deklaratat e zyrtarit të lartë iranian vijnë në një kohë tensioni të shtuar rajonal dhe po përforcojnë klimën e konfliktit në Lindjen e Mesme, me Iranin që po miraton një retorikë gjithnjë e më agresive kundër kundërshtarëve të brendshëm dhe të jashtëm.

Reagimet nga BE

Bashkimi Evropian dhe vendet e fuqishme perëndimore, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, shprehën shqetësim për përdorimin e forcës nga qeveria iraniane dhe kërkuan mbrojtjen e të drejtës për tubime paqësore.

Ndërkohë, autoritetet iraniane kanë forcuar retorikën e tyre, duke paralajmëruar për “veprime vendimtare” kundër protestuesve që i cilësojnë “vandalë të armatosur” dhe “shkatërrues të sigurisë”. Korpusi i Gardës së Revolucionit Islamik tha se nuk do të tolerojë “akte terroriste” dhe do të vazhdojë operacionet për të parandaluar destabilizimin.

Organizatat për të drejtat e njeriut paralajmërojnë se ndërprerja e internetit rrit rrezikun e dhunës së përhapur dhe vrasjeve masive. Situata mbetet e tensionuar në qytetet kryesore iraniane, ku protestuesit vazhdojnë të demonstrojnë, duke brohoritur “vdekje diktatorit” dhe duke sfiduar autoritetin e Khameneit.

Reagimi i Trump

Raporti për qindra vdekje vjen ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka paralajmëruar vazhdimisht regjimin iranian se do të “paguajë shtrenjtë” nëse vret protestuesit, të cilët kanë dalë në rrugë në numër gjithnjë e më të madh që nga 28 dhjetori.

Një zhvillim i tillë do të përbënte, sipas vlerësimeve, një provokim të drejtpërdrejtë ndaj Uashingtonit, me klimën e përkeqësuar më tej nga deklaratat e ashpra të transmetuara nga media shtetërore e Republikës Islamike. 

Demonstratat të cilat tani janë përhapur në të 31 provincat e vendit, filluan si një reagim ndaj ekonomisë në rënie të lirë. Megjithatë, ato shpejt morën një karakter politik, me kërkesa që variojnë nga përmbysja e regjimit autoritar islamik që ka sunduar Iranin që nga viti 1979, me një popullsi prej rreth 92 milionë banorësh . Edhe pse tubimet janë përshkruar si kryesisht paqësore, me slogane të tilla si “Liri” dhe “Vdekje Diktatorit”, janë raportuar edhe incidente vandalizmi të ndërtesave qeveritare./ Pamfleti

 

Lini një Përgjigje