
Belgjika ka shumë probleme me funksionimin e institucioneve shtetërore për shkak të një ndarjeje de facto midis Flandrës dhe Valonisë.
Belgjika është prej 6 muajsh pa një qeveri plotësisht funksionale. Kjo sepse seria e pafundme e takimeve dhe negociatave që janë zhvilluar që pas zgjedhjeve parlamentare të 24 qershorit, nuk ia ka dalë të zhbllokojë një situatë shumë të ndërlikuar.
Udhëheqësi i partisë konservatore dhe nacionaliste Aleanca e Re Flamane (N-VA), Bart De Wever, po udhëheq negociatat me konservatorët valonë të Lëvizjes Reformiste (MR), centristët valonë të Les Engagés (LE), Kristiandemokratët dhe Flamandët (CD&V) si dhe progresistët flamandë të Vooruit.
Këto 5 parti, kanë qëndrime të ndryshme mbi çështje të tilla si reforma e sistemit të pensioneve, tregu i punës dhe prezantimi i një buxheti për vitin 2025, që do të lejojë shkurtimin e shpenzimeve me 28 miliardë euro, dhe shmangien e një plani të rreptë masash shtërnguese të kërkuara nga Bashkimi Evropian.
Qeveria në largim e kryeministrit Alexander De Croo ka kompetenca të kufizuara, dhe në mungesë të një marrëveshjeje për një qeveri të re, do të detyrohet të hartojë një buxhet që do ta detyrojë Brukselin të ndërhyjë me një plan korrigjues 4-vjeçar.
Ndërsa kur të formohet një qeverie të re, ka të ngjarë që plani i kursimit fiskal të zgjasë 7 vjet dhe të jetë më pak i ashpër. Siç e kujtoi së fundmi Politico, paradoksi është se njeriu që mund të drejtojë Belgjikën vitet e ardhshme të jetë një nacionalist flamand, i cili, gjatë karrierës së tij të gjatë politike, ka pasur si objektiv parësor të rrëzojë shtyllat e një shteti që funksionon keq, dhe që i garantojnë Flandrës një pavarësi de fakto.
De Wever, që mban postin e kryetarit të bashkisë së Antverpit, dhe që e udhëheq N-VA që nga viti 2004, e ka transformuar partinë e tij nga një forcë periferike, në një shtyllë kryesore të sistemit të vendit. Ai është aktualisht politikani më popullor në Belgjikë.
N-VA e ka udhëhequr rajonin e Flandrës për një dekadë, ishte pjesë e qeverisë së koalicionit kombëtar midis viteve 2014-2018, dhe ushtron ndikim të rëndësishëm mbi disa institucione kombëtare. De Wever ka qëndrime të ashpra për sigurinë, luftën kundër trafikut të drogës dhe ndaj terrorizmit.
Partia e tij është anëtare e Eurogrupit të Konservatorëve dhe Reformistëve, një formacion i të djathtës me pozicione të qendrës, dhe me një marrëdhënie të vështirë me Komisionin Evropian të drejtuar nga Ursula Von Der Leyen. Emërimi i tij si kryeministër do të ishte i barabartë me një lider më pak të moderuar në Këshillin Evropian.
Por nga ana tjetër, do të përbënte një lajm relativisht të mirë në një kontinent që po sheh gjithnjë e më shumë nga e djathta. Partia e dytë më e madhe e vendit është Vlaams Beelang (VB), një formacion i ekstremit të djathtë euroskeptik, kundër emigrantëve, populist dhe separatist me bazë në Flandër. Ajo mori 13.7 për qind të votave në mbarë vendin në zgjedhjet e qershorit, përkundrejt 16.7 për qind për N-VA. Disa analistë kishin frikë nga një sukses i VB, një forcë aq ekstremiste sa që u përjashtua në konsultime nga të gjitha formacionet e tjera politike. Por ky skenar nuk u realizua falë N-VA.
Ngjitja e VB-së ka bërë që partitë politike frankofone, ta konsiderojnë De Weveer si një alternativë më pak kërcënuese dhe më të pranueshme, një figurë me të cilën mund të negociojnë pasi e kanë përjashtuar për vite me radhë. Por gjithsesi jo një politikan, me të cilin mund të nisin një reformim të institucioneve shtetërore.
Qëllimi i liderit të N-VA është autonomia maksimale e mundshme për Flandrës. Partitë valone nuk mund t’i pranojnë plotësisht këto kërkesa, por ndoshta do t’u duhet të pajtohen me realitetin.
Belgjika ka shumë probleme me funksionimin e institucioneve shtetërore për shkak të një ndarjeje de facto midis Flandrës dhe Valonisë. Të dyja rajonet gëzojnë kompetenca të gjera, thuajse të krahasueshme me ato të kombeve të pavarura. Kanë parlamente autonome, votojnë për parti të ndryshme nga homologët e tyre, dhe kanë shumë pak të përbashkëta.
Një raport i fundit i Bankës Kombëtare të Belgjikës, thekson se si Valonia ka pasur për një kohë të gjatë një rritje ekonomike më të dobët se sa ajo e Flandrës, dhe Produkti i Brendshëm Bruto për frymë i rajonit frëngjishtfolës është më i ulët se ai flamand.
Pavarësisht nga prania e pikave të forta, sikurse është një rrjet infrastrukturor efikas, një popullsi në moshë pune në rritje dhe rezultate të mira në inovacion, Valonia ka disa dobësi strukturore që lidhen me sferën sociale. Nga sektori i shëndetësisë tek rreziku i varfërimit dhe përjashtimit, duke kaluar tek tregu i punës, me një normë punësimi që ndikohet nga prania e një numri të madh personash joaktivë, dhe pa harruar sektorin e arsimit dhe një produktivitet që po përpiqet të ngrihet.
Ekonomia e Flandrës, e cila në vitin 2022 zuri 79 për qind të eksporteve të Belgjikës, është një nga më të përparuarat në Evropë, me rritje mesatare më të lartë se ajo e pjesës tjetër të vendit dhe një normë papunësie më të ulët. Dallimet gjuhësore dhe kulturore midis dy rajoneve, ndihmojnë në shtimin e problemeve.
Brukseli ndodhet në mes dhe pavarësisht se është një qytet frëngjishtfolës, gëzon një autonomi të konsiderueshme.
Sistemi zgjedhor belg, i bazuar mbi një sistem proporcional me një prag shumë të ulët, e favorizon fragmentimin politik dhe e pengon një parti të marrë shumicën absolute të vendeve në parlament. Ajo e detyrohet të hyjë në negociata me formacionet e ndryshme politike, dhe të kapërcejnë dallimet midis tyre për të mirën e përbashkët. Kjo çon në formimin e koalicioneve të mëdha shpeshherë joefikase, në negociata post-zgjedhore komplekse si dhe në delegjitimimin e shumë institucioneve kombëtare.
Paraliza politike e Belgjikës, po shndërrohet në një tipar strukturor dhe nuk është më e habitshme pse duhen muaj të tërë për të formuar një qeveri. Qeveria e ardhshme, që me shumë gjasa do të drejtohet nga De Weever, duhet t’i japë fund kësaj situatë, por detyra e saj është që në fillim komplekse dhe e vështirë./ Përshtati "Pamfleti" nga “Linkiesta”.
Lini një Përgjigje