Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka mbajtur një konferencë për shtyp në kuadër të përvjetorit të parë të pushtimit rus në Ukrainë.
Lideri i Ukrainës ka pranuar pyetje prej gazetarëve dhe një e tillë ishte për momentet më të vështira që kishte gjatë luftës, teksa salla heshti derisa ai u përpoq të përgjigjej.
“Unë mendoj se ishte Bucha. Momenti që ne e morëm kontrollin e Buchas. Ishte e tmerrshme. Ajo që kemi parë… djalli nuk është diku poshtë nesh – ai është mes nesh”, tha ai.
Qyteti i Buchas, në rajonin e Kievit, ishte vendi i masakrimit të civilëve ukrainas dhe robërve të luftës.
Autoritetet ukrainase thonë se trupat e 458 personave u gjetën në një varr masiv pasi trupat ruse u larguan, raporton “SkyNews".
Zelenskyy u pyet gjithashtu se ku gaboi më së shumti – dhe nëse dikush nga ekipi i tij e kishte zhgënjyer atë.
“Do të doja të filloja me atë që më zhgënjyen. Të gjithë ata që u larguan më 24 shkurt… të gjithë ata që u larguan nga Kievi, të gjithë ata që po largoheshin nga qytetet dhe qytezat… të gjithë ata që duhej të luftonin për këtë vend, që duhej të kujdeseshin për sigurinë e këtij vendi”, tha ai.
Sa i takon gabimeve, ai tha se po punon fort që ta fitojë këtë luftë dhe ndoshta ka gabuar.
“Unë jam duke punuar nga mëngjesi deri në orët e vona të natës, jam një person i gjallë dhe sido që të mendojnë disa, unë bëj zgjedhje. Jam i bindur që herë pas here bëjë gabime. Ajo që është e rëndësishme për mua është të mos kem gabime të mëdha… Ajo që është e rëndësishme është që nuk do të bëj asnjë gabim fatal”, shtoi presidenti ukrainas.
Ai paralajmëroi se Rusia "do të shkojë të shtetet e NATO-s nëse SHBA braktis Ukrainën". Zelenskyy hodhi poshtë gjithashtu pretendimin e ministrisë ruse të Mbrojtjes se Kievi synon të marrë kontrollin e rajonit separatist të Moldavisë, Transnistria. Ai u tha të pranishmëve se rajoni është territor i Moldavisë.
Sot bëhet 1 vit nga agresioni në Ukrainë dhe sinjalet janë se lufta do vazhdojë gjatë.
Lini një Përgjigje