
Nga Tirana në Moskë rrethimi i mediave, alfabeti i autokratëve...
Sot, në mes të Tiranës, në dritë të diellit, ndodhi e njëjta gjë që bëri Sali Berisha në kulmin e pushtetit të tij, por më një ndryshim: Sali Berisha dogji redaksi, kurse Rama dërgoi policinë për të rrethuar një media, për t’i bllokuar sinjalin dhe për të turpëruar publikisht gazetarët. Ky nuk është thjesht një akt arbitrar, ky është akti zyrtar i kalimit të Shqipërisë në një regjim autokratik dhe policor.
Edi Rama nuk po qeveris më, ai po administron frikën. Dhe kur një kryeministër fillon të frikësohet nga një kamerë, nga një mikrofon, nga një gazetar, ai ka humbur jo vetëm busullën demokratike, por edhe atë morale. Në një vend normal, një qeveri që dërgon policinë kundër një televizioni, do të binte brenda orës. Në Shqipërinë e Ramës, kjo është thjesht e hëna.
Në Tiranë, policia rrethon një media, bllokon sinjalin e saj dhe përplaset me gazetarët. Jo, nuk është pamje nga Moska e Putinit, Ankaraja e Erdoganit apo Beogradi i Vuçiçit. Është Shqipëria e Edi Ramës, në vitin 2025. Dhe si çdo autokrat që po i shkon pushteti në mendje, ai nuk e sheh median si institucion të së vërtetës, por si armikun e tij.
Putini mbylli “Dozhd” dhe “Novaya Gazeta” me gjyqe të sajuara. Erdogani rrethoi “Cumhuriyet” me polici, arrestoi gazetarë dhe mori kontrollin e sinjalit televiziv. Vuçiçi e ktheu RTS-në në zëdhënës të qeverisë dhe u mbylli frekuencat atyre që nuk iu përkulën.

Rama?
Po bën të njëjtën gjë, por me stilin e tij të rafinuar të propagandës, fillon me një rrethim të heshtur dhe një bllokim sinjali, për të testuar sa do të guxojmë të reagojmë.
Ky nuk është një “incident teknik”, nuk është “ndërhyrje për procedura ligjore”. Ky është një mesazh mafioz nga Kryeministria: “Ne kontrollojmë gjithçka. Ne mund të mbyllim kë të duam, kur të duam, si të duam”. Sot është News 24, nesër mund të jetë çdo televizion, çdo media, çdo zë që guxon të mos jetë pjesë e propagandës.
Ky nuk është incident. Ky është një mesazh: “Nuk ka kufi për atë që mund të bëj”. Dhe për fat të keq, në vend që të shohim një revoltë qytetare, shohim vetëm një indiferencë të ftohtë; e njëjta që shoqëroi kapjen e Gjykatës së Lartë, e njëjta që heshti kur prokurorët u kthyen në noterë të qeverisë.
Në demokraci, pushteti frikësohet nga media. Në autokraci, media frikësohet nga pushteti. Sot pamë qartë në cilin realitet jetojmë. Ky është manuali i regjimeve autoritare: fillimisht minon institucionet, pastaj bën për vete drejtësinë, më pas neutralizon opozitën, dhe në fund mbyll fjalën e lirë. Nga ky moment, gjithçka tjetër është vetëm lojë me rregulla të njëanshme.
Kush e mendon se kjo është e tepërt, le të pyesë veten: Po sikur nesër policia të vijë te dera e redaksisë tënde? Po sikur nesër të mos kesh ku e shpreh fjalën, sepse çdo sinjal, çdo portal, çdo faqe, çdo kamerë është nën urdhrin e një njeriu? Sot është News 24. Nesër, ti.
Nëse sot heshtim, historia do të na shohë si ata që panë dritën të fiket dhe vendosën të mos ndiznin as një qiri./Pamfleti
Lini një Përgjigje