Profile të vërteta kompanish në Google bien në duart e një rrjeti në Tiranë që menaxhon gjithçka nga call center-i, deri te pagesat e fryra dhe zhvatja e qytetarëve anglez

Pas publikimit të shkrimit tonë të parë për rrjetin e mashtrimit dixhital që drejtohet nga Çesk Ivanaj përmes ALO PRONTO, Radar Media Group dhe 1001 Solutions, në redaksinë e Pamfletit ka mbërritur një dëshmi e re. Denoncimi vjen nga një qytetar britanik, i cili ka dijeni drejtëpërdrejtë për bizneset e dyshimta të Ivanajt në Mbretërinë e Bashkuar. Informacionet që ai sjell përforcojnë faktet e hetimit të parë, por njëkohësisht zbulojnë rrugën e re që ka marrë kjo strukturë. Një kompani me emrin RATION 07, tashmë e regjistruar si në Britani ashtu edhe në Shqipëri, e përdorur si pikë qendrore për të menaxhuar flukset e parave dhe operacionet e mashtrimit në disa shtete.
Këtu nuk kemi të bëjmë me një sistem ku thjesht i shiten kontaktet e klientëve një punëtori të jashtëm. Ky rrjet godet faqet e kompanive, e organizon vetë punën, komunikon vetë me klientin dhe menaxhon të gjithë procesin nga Shqipëria. Në momentin që një britanik i moshuar telefonon për ndihmë emergjente për një problem hidraulik, një call center në Tiranë merr porosinë dhe dërgon një punëtor, zakonisht shqiptar, për të kryer punën. Shërbimet që normalisht do të kushtonin 100 deri në 200 paund, i ofrohen me çmime dhjetë herë më të larta.
Ajo që e bën këtë skemë të rrezikshme dhe të sofistikuar është mënyra se si krijohet besimi. Rrjeti nuk funksionon si një faqe mashtruese që del nga hiçi. Ata marrin nën kontroll profilet e vërteta të kompanive me reputacion në Google. Kjo ndodh në momentin që pronari origjinal nuk është aktiv ose nuk e mirëmban më profilin. Përmes një boshllëku në sistemin e verifikimit të Google, këta persona paraqiten si përfaqësues të ligjshëm të kompanisë dhe arrijnë të marrin aksesin. E ndryshojnë numrin e kontaktit, vendosin adresën e tyre dhe ruajnë çdo gjë tjetër siç është. Klienti që kërkon ndihmë sheh një kompani me 20 komente pozitive dhe 5 yje, nuk ka si ta dyshojë se gjithçka është nën kontrollin e një call center-i nga Shqipëria.
Një nga shembujt më të qartë të kësaj metode është profili i "Kings Plumbing and Heating Services", i cili është marrë në kontroll nga ky rrjet. Klientët që e shohin profilin në Google gjejnë komente të shumta pozitive, një reputacion që duket i ndërtuar prej vitesh, por që në realitet është i manipuluar.
Pronari i ligjshëm i këtij biznesi ka postuar në profilin zyrtar një paralajmërim, duke sqaruar se nuk është ai që po ofron shërbimet dhe se profili është përvetësuar pa dijeninë e tij.

Mashtruesit shfrytëzojnë një boshllëk në sistemin e Google, i cili u jep mundësi përdoruesve të kërkojnë pronësinë e një profili biznesi nëse ky nuk është aktiv ose i mirëmbajtur. Google nuk kërkon verifikim fizik ose dokumentacion të thelluar për të konfirmuar pronësinë. Kjo lehtësi teknike ka bërë të mundur që profile të shumta të bizneseve të ndershme të bien në duart e këtij rrjeti. Pasi marrin kontrollin, ata nuk e ndryshojnë imazhin apo përshkrimin, ruajnë gjithçka për të mos ngritur dyshime. Ndryshojnë vetëm numrin e telefonit, i cili zakonisht është një numër britanik celular që lidhet direkt me një call center në Shqipëri.
Kjo është arsyeja pse qytetarët britanikë nuk e kuptojnë që po komunikojnë me një rrjet mashtrimi ndërkombëtar. Numri është lokal, emri i kompanisë është real, vlerësimet janë të larta dhe profili duket plotësisht funksional. Në realitet, janë duke hyrë në kontakt me një strukturë kriminale që nuk ka as licenca, as adresë, as përgjegjësi ligjore, dhe që e ka të vetmin qëllim; të zhvasë para.
Në të paktën tetë raste, policia lokale në lagjen Barton Street të qytetit Gloucester është njoftuar për incidente ku klientët kanë refuzuar të paguajnë faturat e fryra dhe janë kërcënuar nga përfaqësuesit e rrjetit. Aty përfundon pista ligjore. Pasi fondet kalojnë në Shqipëri, kontrolli kalon në duart e ortakëve vendas.
Sipas dokumenteve zyrtare, kjo kompani është e regjistruar njëkohësisht në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Në regjistrin britanik të bizneseve, RATION 07 LTD figuron me numrin 15399916 dhe si pronare e vetme rezulton Franceska Bitri. Në Shqipëri, kompania ka të njëjtin emër tregtar dhe NIPT-in M31607022I, me pronarë Genci Kryemadhi me 50% të kuotave dhe Fraceska Bitri 50%. Të dyja kompanitë mbajnë të njëjtën emër, por përdoren në mënyrë të koordinuar për të krijuar një rrjet pagesash që nis në Britani dhe përfundon në Shqipëri, jashtë çdo transparence.
Megjithëse emri i Çesk Ivanajt nuk figuron në dokumentacionin zyrtar të RATION 07, burimet që kanë bashkëpunuar me Pamfletin theksojnë se ai vijon të jetë figura qendrore që qëndron pas kësaj strukture. Ivanaj është identifikuar si arkitekti i modelit të vjetër të ALO PRONTO dhe Radar Media Group, dhe sipas dëshmisë së informatorëve, ai ka ruajtur lidhjet operative edhe në skemën e re përmes të njëjtave kanale njerëzore dhe logjistike që përdoren tani nga RATION 07.
Në të njëjtën linjë operacionale vepron edhe Valentin Stojani, një figurë e përmendur shpesh në rrëfimet e ish-punonjësve të rrjetit. Ai identifikohet si drejtuesi faktik i call center-it dhe i zinxhirit logjistik. Sipas të dhënave të siguruara, Stojani është përfshirë prej vitesh në operacione të ngjashme që mbështesin aktivitetin e Ivanajt, duke koordinuar punonjësit, kontaktet me klientët dhe rrjetin e pagesave.
Nga ana tjeter Çesk Ivanaj është identifikuar si arkitekti i modelit të vjetër të ALO PRONTO dhe Radar Media Group, dhe sipas dëshmisë së informatorëve, ai ka ruajtur lidhjet operative edhe në skemën e re përmes të njëjtave kanale njerëzore dhe logjistike që përdoren tani nga RATION 07. Ai nuk ka nevojë të shfaqet në letra, emrat e tjerë janë vetëm mbulesë.
Mekanizmi i ngritur nga kjo strukturë funksionon si një motor i heshtur që përfiton nga boshllëqet e sistemit ndërkombëtar të verifikimit, duke operuar në territore ku ligji ndalet në kufi. Njerëzit që e drejtojnë këtë rrjet nuk kanë nevojë të jenë zyrtarisht pronarë. Ata veprojnë përmes të tjerëve, ndërrojnë adresat, numrat dhe kompanitë, por jo mënyrën e funksionimit. Ashtu si ALO PRONTO dikur, edhe RATION 07 sot mbështetet te i njëjti model: një profil i rrëmbyer, një telefonatë nga një qytetar në panik, një punëtor pa licencë dhe një faturë e fryrë.
Hetimi nuk përfundon këtu. RATION 07 është vetëm një nyje në një rrjet më të gjerë që operon në hije. Identitetet e vërteta dhe flukset e parasë mbeten për t’u zbuluar. /Pamfleti
Lini një Përgjigje