Bëhet fjalë për hetimin e nisur në Cagliari, ndaj Guvernatorit të Sardenjës, Christian Solinas, me akuzën për korrupsion dhe pastrim parash, hetim që ka zbuluar se rektori Arben Gjata, ka shkëmbyer përfitime me të, duke i dhënë titullin “Doktor Honoris Causa” i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, pa qenë prezent në Shqipëri...
Një javë më parë, Rektorit të Universitetit të Mjekësisë Tiranë, Arben Gjata, i është dërguar një urdhër-thirrje nga Prokuroria e Cagliarit në Itali, për një çështje, ku rezulton i përfshirë.
Bëhet fjalë, për hetimin e nisur në Cagliari ndaj Guvernatorit të Sardenjës, Christian Solinas, me akuzën për korrupsion dhe pastrim parash, hetim që ka zbuluar se bashkë me të është përfshirë dhe rektori Arben Gjata, si shkëmbyes përfitimesh reciproke të paligjshme.
Prokurorët italianë, kanë konstatuar se Guvernatori i Sardenjës, ka marrë titullin “Doktor Honoris Causa” nga Universiteti i Mjekësisë në Tiranë, pa qenë prezent në Shqipëri.
Në këmbim të këtij titulli, rektori Arben Gjata i kërkoi Guvernatorit të Sardenjës, t’i siguronte projekte financiare nga “Programi Eni-CBC Mediterranean Basin”, ku Drejtor i Përgjithshëm ishte miku i tij italian, Roberto Raimondi, por dhe fonde nëpërmjet Ministrisë së Jashtme Italiane, të cilat do transferoheshin në emrin e Arben Gjatës.
Më 12 shtator 2022, Guvernatori i Sardenjës ka marrë nga rektori Arben Gjata, premtimin për titullin “Doktor Honoris Causa” dhe të drejtën e pranimit Profesor në Universitetin e Mjekësisë.
Ndërsa në muajin nëntor 2022, i është dërguar titulli në Sardenjë, me mikun e tij Roberto Raimondi, i cili për 4 vite ka qenë Drejtor i Shkollës së Doktoraturave dhe pedagog në Universitetin e Mjekësisë Tiranë, ku çdo muaj, rektori Arben Gjata e ka paguar sa 5 pedagogë.
Hetimi nga Prokuroria e Cagliarit ka nisur në janar 2022, ndërsa në shkurt 2023, është konstatuar përfshirja e rektorit Gjata, për dhënien e titullit “Doktor Honoris Causa” Guvernatorit të Sardenjës, në këmbim të favoreve materiale, gjoja në emër të Fakultetit të Mjekësisë.
Në prill 2023, Prokurorët e Cagliarit kanë ardhur në Shqipëri, ku i kanë njoftuar rektorit Arben Gjata, për hetimin e nisur ndaj tij, ndërsa në shtator 2023 i kanë dërguar akuzën e përmbledhur.
Këto të dhëna, janë pjesë e urdhër-thirrjes me material sqarues, që drejtësia italiane i ka dërguar rektorit Arben Gjata javën e kaluar, për t’u paraqitur në Prokurorinë e Cagljarit, si person nën hetim për veprën penale të dhënies së titujve shtetëror, për përfitues të paligjshëm në Itali.
Por deri tani, rektori Arben Gjata i është shmangur paraqitjes në drejtësinë italiane, me pretendimin se është i sëmurë në regjim shtrati, me trajtim afatgjatë që i ndalon udhëtimet, duke i dërguar elektronikisht, një dosje personale mjekësore.
Saktësojmë, se thirrja për rektorin Arben Gjata, paralelisht i është dërguar Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme, si institucione partnere në hetime mes dy shteteve.
Hetimi në Itali e rëndon situatën e rektorit Gjata, sepse ky është nën hetim nga SPAK me masë “Detyrim paraqitje” për korrupsion në koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.
Ndërsa dhënien e titujve fiktiv, rektori Arben Gjata nuk e ka për herë të parë, mbasi më 6 prill 2018, në Universitetin e Mjekësisë i dha “Certifikatë Mirënjohje” italianit Umbro Staccini, personit që ka marrë 60% të koncesionit të pajisjeve kirurgjikale./Pamfleti
Lini një Përgjigje