Anëtarët e Bordit Drejtues në ARRSH nuk kanë shkuar asnjë ditë në punë, por në fund të muajit kanë marrë paga të majme. Skandali është se i kanë dhënë paga vetes në bazë të vendimeve që marrin dhe jo mbi numrin e mbledhjeve të mbajtura.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar një numër të madh shkeljesh në Autoritetin Rrugor Shqiptar. Në kuadër të një auditimi të kryer, janë gjetur probleme me tenderët, me punësimet, me vendimet e bordit, teksa janë favorizuar kompani të caktuara.
KLSH ka konstatuar se emërimet e punonjësve janë kryer në mënyrë nepotike, pasi nuk ka pasur fare konkurrencë.
“Sipas dokumentacionit të vënë në dispozicion në lidhje me rekrutimet e punonjësve rezulton se: - Për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për punë nga Burimet Njerëzore gjatë periudhës objekt auditimi, janë rekrutuar 24 punonjës, nga të cilët në 15 raste është shpallur vakanca e vendit të punës në faqen Web dhe janë kryer procedurat e rekrutimit, pra në 62,5 % të tyre. Nga auditimi rezulton se në asnjë rast nuk ka patur konkurrencë, pra ka pasur vetëm një kandidat për çdo pozicion pune”, thekson KLSH.
Nga ana tjetër konstatohet se gjatë periudhës objekt auditimi në total janë dhënë 39 masa disiplinore, nga këto 28 “Vërejtje”, 4 masa “Vërejtje me paralajmërim për largim nga puna”, 1 masë “Kalim në një detyre të një niveli apo klase më të ulët” dhe 6 masa “Pushim nga puna”. Nga auditimi i procedurës së dhënies së masave disiplinore konstatohet se nuk ka procedura transparente, pasi nuk ka të dhëna lidhur me mënyrën e marrjes së këtyre masave dhe nuk ka komision apelimi.

Po ashtu KLSH ka zbuluar se shkarkimet nga puna janë kryer në mënyrë të padrejtë, pasi ata që janë shkarkuar i janë drejtuar gjykatës dhe kanë dalë fitues.
Shkelje të shumta janë gjetur dhe në bordin drejtues. “Nga shqyrtimi i pjesëmarrjes së anëtarëve të Bordit në mbledhjet e zhvilluara, rezulton se gjatë vitit 2021, Kryetari i Bordit z. A. Sh. nuk ka marrë pjesë në 5 mbledhje ose 42% të mbledhjeve të zhvilluara dhe z. F. K., përfaqësues i Shoqatës Shqiptare të Inxhinierëve Konsulentë, nuk ka marrë pjesë në 8 mbledhje, ose 67% të tyre. Gjatë vitit 2022, rezulton se z. J. H., përfaqësues i Ministrisë së Brendshme, nuk ka marrë pjesë në 8 mbledhje, ose 80% të mbledhjeve të zhvilluara; dhe z. A. Sh. nuk ka marrë pjesë në 3 mbledhje nga 4 të zhvilluara, deri në zëvendësimin e tij me z. E. N. nëpërmjet Vendimit nr. 455, datë 09.06.2022 të Këshillit të Ministrave”, thekson KLSH.
Por skandali është se përveçse ata nuk marrin pjesë në mbledhje, nga shqyrtimi i pagesave të kryera për kryetarin dhe anëtarët e Bordit, rezulton se pagesa e tyre është bërë për numër vendimesh të marra dhe jo për numër mbledhjesh të zhvilluara.
Nga auditimi rezulton se Sekretari i Bordit është propozuar nga Drejtori i Përgjithshëm dhe është miratuar nga Bordi, por nuk ka zbatuar kërkesat e përcaktuara në ligjin nr. 8480, datë 27.5.1999 “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore”, pasi në Rregulloren e Brendshme të ARRSH nuk ka përshkrim të detyrave të tij.
Sa i takon tenderëve, sipas KLSH rezulton se janë vendosur kritere të paargumentuara teknikisht dhe ligjërisht sa i takon numrit të punonjësve të kërkuar, numrit dhe kualifikimeve të stafit kryesor teknik dhe atij mbështetës si dhe numrit dhe kapacitetit të mjeteve në disa raste. Aksi ku ka më shumë abuzime është ai i ndërtimit të Unazës së Madhe të Tiranës.
“Nga ana e Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë .....nuk përmbushet kriteri në lidhje me disponimin e licencave sipas përqindjes së punimeve të marra përsipër, kjo pasi sipas kontratës së bashkëpunimit të përkohshëm mes shoqërive me nr. 5428 rep. 1206 kol., datë 15.09.2021, nga ana e OE I... K... janë marrë përsipër të kryhen 95 % e punimeve nën kategorinë e licencës NS-19 Sisteme kundër zhurmës për të cilën NJP ka përllogaritur shumën prej 121,541,840 lekë. Referuar vlerës përkatëse, OE I... K... i takon një vlerë punimesh prej 115,464,748 lekë (0.95 x 121,541,840), ose kategoria D e licencës NS-19. Në fakt kjo shoqëri disponon kategorinë C të NS-19 e si e tillë kjo kompani nuk përmbush kriterin në lidhje me disponimin e licencës profesionale në raport me punën e marrë përsipër dhe si e tillë duhet të ishte skualifikuar”, thekson KLSH.
Sipas saj, pavarësisht faktit se operatori i shpallur fitues ka deklaruar në ofertën e tij se garancia e punimeve do të jetë 3-vite nga data e kolaudimit të punimeve, kontrata e lidhur sipas aktit me nr. 7354/6 prot., datë 11.11.2021, në Kushtet e Veçanta të Kontratës, neni 11, Garancia e defekteve, ka cituar se kjo periudhë do të zgjasë 2-vite. Po ashtu ka pasur shkelje me mënyrën e ruajtjes së dokumenteve, me rregulloret, etj. /Pamfleti

Lini një Përgjigje