
Turqia fut në lojë Raiffeisen Bank për të paguar gazin që merr nga Rusia...
Turqia ka futur në lojë "Raiffeisen Bank" për të vazhduar pagesat për importet e gazit natyror nga Rusia, pasi përjashtimi nga sanksionet amerikane ka skaduar.
Vitin e kaluar, SHBA vendosi sanksione ndaj "Gazprombank", një institucion financiar kyç, përmes të cilit vende si Turqia dhe Hungaria realizonin pagesat për energjinë ruse.
Në vitin 2024, Turqia importoi 45 për qind të gazit natyror nga Moska, duke paguar potencialisht mbi 8 miliardë dollarë për këto importe.
Në dhjetor, administrata Biden përjashtoi përkohësisht Turqinë dhe disa vende të tjera nga sanksionet ndaj "Gazprombank", duke u lejuar të krijonin kanale alternative pagese.
Administrata Trump zgjati këtë përjashtim edhe për dy muaj në mars, pas një telefonate mes ministrit turk të Financave, Mehmet Simsek dhe Sekretarit Amerikan të Thesarit, Scott Bessent. Por ky përjashtim skadoi më 20 maj.
Tani, Turqia do t’i realizojë pagesat për gazin përmes Raiffeisen Bank, e cila operon në Rusi dhe nuk është subjekt i asnjë sanksioni, tha një zyrtar i lartë turk për “Middle East Eye” të premten.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, do të vizitojë Rusinë më 26-27 maj me ftesë të homologut të tij rus, Sergey Lavrov, njoftuan burime nga Ministria e Jashtme turke të shtunën.
Banka austriake, është e vetmja bankë perëndimore që operon në Rusi, pavarësisht presioneve për t’u larguar. Mediat ndërkombëtare kanë shkruar disa herë se ajo përdoret nga rusët dhe jo vetëm, për të shmangur sanksionet perëndimore. SHBA e ka kërcënuar disa herë se do të marrë masa nëse nuk ndal aktivitetin në Rusi.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, njësia ruse e Raiffeisen, është bërë filiali më fitimprurës i Raiffeisen Bank International. Në tre tremujorin e parë të vitit 2024, njësia ruse e Raiffeisen gjeneroi mbi 1 miliard dollarë fitim. Por duket se fitimet do të shtohen me futjen në lojë të Turqisë. Edhe pse akuzohet se financon makinerinë e luftës, banka austriake nuk ka ndërmend të largohet nga Rusia. /Pamfleti
Lini një Përgjigje