
Qeveria ka dalë garant dhe ka paguar interesat për 2 kredi që ka marrë Rrok Gjoka për rrugët Kardhiq- Delvinë dhe Rruga e Arbrit; për kredinë e marrë nga Bashkim Ulaj për rrugën Thumanë- Kashar, për kreditë që kanë marrë trafikantët Pëllumb Gjoka, Gjergj Luca e të tjerë...
Personalisht kryeministri Edi Rama, nëpërmjet vendimeve të qeverisë të quajtur “akte kolegjiale” të Këshillit të Ministrave, përveç dhurimit të pasurive publike, e ka kthyer edhe buxhetin e shtetit, në një “hambar privat” ku marrin miliona euro miqtë dhe klientët e tij.
Në informacionin që “Pamfleti” ka siguruar nga Ministria Financave, thuhet se, qeveria paguan edhe detyrimet e interesave të kredive që oligarkët, koncesionarët dhe investitorët strategjikë kanë marrë në banka.
Sipas të dhënave nga Thesari i Shtetit i cili varet nga Ministria e Financave, rezulton se vetëm gjatë periudhës janar 2023-korrik 2024, qeveria ka paguar 10.3 milionë Euro, për interesa bankare të kompanive private.
Këtë vlerë nga buxheti i shtetit, qeveria e ka paguar, si garantore e kredive që kanë marrë oligarkët e PPP-ve, dhe ata që investojnë projektet private në koncesionet me kontratat “1 Euro”, në HEC-e, resorte, rrugë, tunele, komplekse vilash, linja prodhimi e koncesione mjekësore.
Me vendime qeverie, në kontratat koncesionare dhe të investitorëve strategjikë, janë futur qëllimisht edhe këto dy favorizime për kompanitë e investitorët privatë:
1. Për të marrë kredi, ata lejohen të lënë kolateral në banka, pasuritë shtetërore si toka, troje, objekte e kontratat koncesionare, që u ka dhënë qeveria me afate 20-35 vite.
2. Nëse gjatë zbatimit të projekteve e zhvillimit të bizneseve në këto PPP e investime strategjike, privatët nuk kanë mundësi të shlyejnë interesat e kredive bankare, ato i shlyen qeveria si garantore e këtyre kredive.
Por nëse nuk i shlyen as qeveria, këto pasuri, pavarësisht se janë të shtetit, sekuestrohen nga bankat, sepse për kreditë që kanë marrë oligarkët, koncesionarët e investitorët strategjikë, garantore “dorëzanë” ka dalë qeveria, siç u veprua e ndodhi me kreditë dhe pasuritë e ARMO-s së Rezart Taçit të Saliut dhe kosovarëve Blerim Hoxha e Baton Haxhiu të Edi Ramës.
Sipas informacionit, qeveria shqiptare ka dalë garant e ka paguar, interesa për 2 kredi që ka marrë Rrok Gjoka për rrugët Kardhiq- Delvinë dhe Rruga e Arbrit, si dhe për kredinë e marrë nga Bashkim Ulaj në rrugën Thumanë-Kashar.
Ka paguar interesa bankare, për 3 kredi që ka marrë Gjergj Luca për 3 fabrikat- resorte në Labinot-Fushë të Elbasanit, në Maliq e Librazhd; por qeveria ka paguar e vazhdon të paguajë interesa bankare si garantore dhe për kredinë e marrë nga Pëllumb Gjoka për resortin investim strategjik në Velipojë, për resortin e Gentian Sulajt në Lalz e koncesione HEC-esh.
Pra, përveç dhurimit të pasurive e PPP-ve miliona Euro, qeveria u paguan dhe interesat bankare; por siç e thamë më sipër, nëse këto interesa nuk i paguan as qeveria, bankat sekuestrojnë pasuritë shtetërore, mbasi Babloku e ka vënë qeverinë, si garantore të borxheve të oligarkëve./Pamfleti
Lini një Përgjigje