TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia14 Shtator 2024, 15:45

SPAK “zbërthen” transaksionet e familjes Berisha: Nga milionat për fondacionin, te pagesat për këngëtarë dhe këshilltarë!

Shkruar nga Pamfleti

SPAK “zbërthen” transaksionet e familjes Berisha: Nga milionat

 

Vetëm në drejtim të fondacionit të Liri Berishës, Jamarbër dhe Argita Malltezi kanë derdhur në vitet 2010-2022, 8.6 mln lekë të reja, 24 mijë euro dhe 8200 dollarë...

SPAK duket se ka hyrë shumë thellë te familja Berisha. Ndonëse ish-kryeministri dhe vajza e tij pretendojnë se janë të pastër dhe nuk kanë përfituar asnjë lekë nga pushteti, në fakt SPAK ka zbuluar se Argita dhe Jamarbëri janë përdorur nga ish-kryeministri për të fshehur pasurinë. Vetë Berisha nuk ka vënë pasuri në emër të tij, por ama nëse shohim vajzën dhe dhëndrin kanë miliona.

Vetë Berisha doli sot para mediave ku ka dhënë detaje nga ajo dosje. Sipas asaj që tha Berisha, vetëm në drejtim të fondacionit të Liri Berishës, Jamarbër dhe Argita Malltezi kanë derdhur në vitet 2010-2022, 8.6 mln lekë të reja, 24 mijë euro dhe 8200 dollarë. Ndërsa kompania "Homeplan" në vitin 2016 ka derdhur 18.500 euro dhe në vitin 2022 firma "Kontakt" 30 mijë euro.

Kështu, në aktakuzën e tyre, treshja mercenare e prokurorisë private të Edi Ramës kanë sjellë si prova të korrupsionit tim pasiv, ndihmën bamirëse që dhëndri dhe vajza ime, Jamarbër dhe Argita Malltezi kanë dhënë çdo vit duke paguar nëpërmjet bankës, pra me para të tatuara, disa familjeve në nevojë shpenzimet për trajtimin e fëmijëve të tyre autikë në qendrën rajonale të autizmit në Shqipëri, të Fondacionit “Fëmijët shqiptarë”, drejtuese e së cilit është Liri Berisha.. Në aktakuzën e tyre, monstrat e fëmijëve tanë nxjerrin se Argita dhe Jamarbër Malltezi paskan korruptuar mua dhe Liri Berishën sepse në mënyrë të përvitshme kanë paguar me bankë në fondacion tarifën e trajtimit të fëmijëve autikë të disa familjeve që nuk e paguanin dot atë që nga viti 2010 deri në vitin 2022, dhe në total ky çift ka kontribuar me rreth 118 mijë euro”, tha Berisha.

SPAK “zbërthen” transaksionet e familjes Berisha: Nga milionat
Dosja e SPAK

Po ashtu, të njëjtën gjë ka bërë dhe Fatmir Bektashi, i cili jo vetëm ka dhënë para për fondacionin e Liri Berishës, por ka sponsorizuar dhe udhëtime këngëtarësh dhe të këshilltarëve të Berishës.

Unë u ndala në këtë koment, në aktakuzën e turpshme figurojnë dhe financimet e përbashkëta, që janë bërë për paditë gjyqësore nga familja jonë si dhe dhurata që Fatmir Bektashi i ka bërë fondacionit ‘Fëmijët shqiptarë’ për festën e Vitit të Ri. Rikujtoj këtu se ky biznesmen fisnik, së bashku me dy ortakët e tij, i kanë dhuruar qytetit të Tiranës kopshtin dhe çerdhen më moderne në tokën e tyre. Përveç kësaj, ky biznesmen paska sponsorizuar dhe ky është akt, sipas tyre korruptiv, në vitin 2013, një udhëtim të Rikardo Koçiantes, mentorit të këngëtares së njohur, asokohe vajzë e re shqiptare, Elhaida Dani, e cila nën instruksionet dhe mbështetjen e tij, fitoi ‘Voice of Italy’. Dhe me këtë rast, u ftua Rikardo bashkë me këngëtaren për t’u dekoruar nga Presidenti i Republikës”, tha Berisha.

Po ashtu SPAK ka zbuluar se Fatmir Bektashi paska sponsorizuar një biletë të Flamur Kuçit në studion e Libeskindit. Flamur Kuçi ka qenë këshilltar i Berishës, por vetë ish-kryeministri u shpreh se nuk ka pasur dijeni mbi sponsorizimin.

Flamur Kuçi ka qenë këshilltar tek unë, por ka qenë edhe pedagog në universitet. Udhëtimi i tij te Libeskind nuk ka pasur asnjë lidhje me projektin që ky arkitekt i madh kishte hartuar për Homeplanin”, tha ai.

Gjyqet 

Sipas burimeve, SPAK ka zbuluar dhe milionat që ka dhënë Berisha për avokatin e tij në Francë. Nëse mbani mend, Berisha u krenua se kishte paditur Antony Blinken, por në fakt ka dhënë miliona për një prej avokatëve më të shtrenjtë në Francë.

Në vitin 2021, 19,933 euro janë paguar për shpenzime konsulence avokatie për zyrën ligjore në Francë në çështjen e Antony Blinken, që përfshinte Sali dhe Liri Berishën. Nga kjo shumë, 13,288 euro janë pasqyruar si detyrim ndaj Jamarbër Malltezit, ndërsa pjesa tjetër si detyrim nga Shkëlzen Berisha.

Në vitin 2022, Argita Malltezi ka shlyer faturat e studios ligjore në Mbretërinë e Bashkuar për babain e saj, Sali Berishën, me një shumë prej 213,590 euro. SPAK thekson se këto pagesa, si dhe të tjera, janë bërë gjatë kohës kur ish-kryeministri Berisha ka hapur procese gjyqësore në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar kundër sanksioneve të vendosura nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar që e shpallën atë persona non grata.

Po ashtu si ai ashtu dhe bashkëshortja kanë shpenzuar shuma të mëdha parash për çështje shëndetësore. Në vitin 2017, Berisha akuzohet për përfitimin e 27,439.98 USD dhe 7,403.75 euro. Shuma e parë përfaqëson shpenzime mjekësore për ish-kryeministrin, të paguara nga Argita Malltezi dhe të deklaruara në ILDKPI, ndërsa shuma e dytë është paguar nga avokati i Shkëlzen Berishës në SHBA, si një hua pa interes.

Premtimi i Bektashit

Në dosje thuhet ndër të tjera se biznesmeni Fatmir Bektashi, ortak i dhëndrit të Berishës, ka premtuar dhënien e një pjese të përfitimit që do të realizohej nga shitjet e objekteve që do të ndërtoheshin në dy territoret e Klubit Sportiv Partizani.

Sipas dosjes dhënia e premtimit, mbështetej në kërkesën e realizimit të kthimit të plotë të territoreve, privatizimin e objekteve të ndodhura në të, ndryshimin e destinacionit të zonës sportive në zonë banimi, që do të sillte një zhvillim ndërtimi të konsiderueshëm dhe në këtë mënyrë fitim të madh.

"Nga tërësia e të dhënave të administruara deri në këtë moment, ashtu si paraqitet e shkruar nëpër akte, duke i lexuar ato në përputhje me njëra tjetrën dhe ballafaquar me ngjarjet reale që kanë ndodhur, vërtetohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se shtetasi Fatmir Bektashi ka premtuar dhënien e një pjese të përfitimit që do të realizohej nga shitjet e objekteve që do të ndërtoheshin në dy territoret e klubit sportiv Partizani.

Dhënia e këtij premtimi, mbështetej në kërkesën e realizimit të kthimit të plotë të territoreve, privatizimin e objekteve të ndodhura në të, ndryshimin e destinacionit të zonës sportive në zonë banimi, që do të sillte një zhvillim ndërtimi të konsiderueshëm dhe në këtë mënyrë fitim të madh. I vetmi që kishte pushtetin e mjaftueshëm për të kontrolluar të gjithë sektorët ku mund të realizoheshin këto objektiva, ishte shtetasi Sali Berisha. Kontaktet për arritjen e këtij qëllimi, dokumentohen të jenë realizuar mes dhëndrit të këtij të fundit, shtetasit Jamarbër Malltezi dhe shtetasit Fatmir Bektashi.

Shtetasi Sali Berisha, nga leximi në tërësi i provave të administruara përgjatë gjykimit, rezulton të ketë marrë përsipër përmbushjen e kërkesave, duke pranuar shpërblimin/mitën që në vijim kalon në bashkësinë ligjore të familjes së vajzës së tij, shtetases Argita Malltezi nëpërmjet shtetasit Jamarbër Malltezi.

Me shkresën e dt. 23.11.2022 drejtuar Studio Pustinës, shtetasi Xhimi Begeja i pakënaqur kur janë ndarë përfitimet është shprehur: ” … Ju besova verbërisht sepse Gita dhe Abi më garantuan qysh nga dita e parë ku studio e juaj të jetë garantuesja e ligjore dhe financiare në marrëveshjet e kontratat tona.

Nuk kam qenë pengesë në asnjë moment të firmosja vetëm “letër të bardhë” sepse e konsideroja veten turp nëse nuk do ju besoja. Kam përshtypjen se ajo Gocë e Familjes nuk ka pas dhe as ka dijeni për situatën e krijuar tani mes nesh. Unë nuk e kam shqetësuar dhe nuk do e shqetësoj kurrë për hallin e madh që ka zënë, për aq më tepër ne si familje i kemi borxh të madh Familjes Berisha për shqetësimet që i kemi sjellë ku shkaktare është prona jonë…”(shtetasi Xhimi Begeja në këtë letër fjalët “Gocë e Familjes” dhe “Familja Berisha” i shkruan me shkronja të mëdha duke treguar konceptimin që ka ai për pushtetin e familjes Berisha)’, thuhet në dosje. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje