Ndoshta, SPAK nuk po vepron, ngaqë pazaret në Portin e Durrësit bëhen nga Babloku dhe lejet për të vjedhur të ardhurat e shtetit bekohen prej tij; ndërsa drejtor Pirro Vengu vetëm i zbaton me bandën e tij zyrtare, siç bënte deri në tetor 2019 kur ishte Drejtor i Antikorrupsioni në Kryeministri...
Pasi ka forcuar pozitat si i besuar dhe i përdorur i kryeministrit Edi Rama, drejtori i Portit Detar-Durrës, Pirro Vengu, ka krijuar një strukturë ilegale paralele me zyrtarë të administratës, nëpërmjet së cilës grumbullon e vjedh, të ardhurat që duhet të shkojnë në arkën e shtetit.
Këtë skemë vjedhjeje, drejtori Pirro Vengu po e realizon me sekserët vartës, që ka emëruar në krye të drejtorive e shërbimeve në Portin Detar dhe po e vazhdon lirshëm e masivisht, paçka se ministrja Belinda Balluku i ka kërkuar të ketë kujdes, ngaqë ai dhe grupi i tij është ekspozuar aq shumë, sa është bërë objekt i anti-krimit e partnerëve të SHBA-BE.
E vërteta është, se kjo strukturë paralele ilegale, e cila vepron si shtet brenda shtetit në Portin e Durrësit, është bërë objekt hetimi i Policisë Kriminale, mbështetur në prova që ka siguruar vetë, në denoncime nga bizneset, nga agjentë të SHISH, zyrtarë të portit detar, të doganës dhe kufirit.
Raporti i është përcjellë SPAK-ut, si organ që ka kompetencë hetimin e korrupsionit të zyrtarëve të shtetit, ku faktohet se drejtori Pirro Vengu, ka krijuar një rrjet abuzimi në financat dhe shërbimet e Portit Detar, ku ka përfshirë vartës aktualë të nivelit zbatues e kontrollues.
Ndërsa gjurmët e veprimeve të tij, përveç vjedhjes së të ardhurave që duhet të grumbullohen e arkëtohen në shtet, kanë zbuluar edhe lidhje me aktivitetet e grupeve të huaja që bëjnë kontrabandë e trafiqe, të lidhur në interesa me shefat në qeveri.
Aq hapur bëhet vjedhja e të ardhurve që duhet të çohen në arkën e shtetit, por shkojnë në xhepat e drejtorit Pirro Vengu dhe grupit të tij, sa shifra e vjedhjes arriti 30 milionë Euro.
Vjedhja e shtetit paralel e ilegal që ka krijuar drejtori Pirro Vengu në Portin Detar, bëhet dhe me monopolin e shërbimit “Taxi” udhëtarësh e mjetesh transporti mallrash brenda Portit Detar, prej të cilave Porti arkëton vetëm 15% të ardhura, ndërsa 85% të ardhurave vidhen direkt te subjektet private, pa u futur në arkë.
Por dhe klientela që merr shërbime në Portin Detar, detyrimet ndaj shtetit, i paguan privatisht te banda zyrtare e drejtor Pirro Vengut, të cilët ai i ka pajisur me licenca, autorizime e mandat pagesa false jashtë serie të Ministrisë së Financave, sikur gjoja milionat arkëtohen në shtet.
Por shteti paralel i drejtor Pirro Vengut brenda Portit Detar të Durrësit, që mbledh privatisht dhe zhvat të ardhurat e shërbimeve portuale, rezulton se vjedh miliona lekë të ardhura nga bizneset edhe nëpërmjet shërbimit doganor privat.
Sipas raportit policor të çuar në SPAK, banda e drejtor Pirro Vengut bashkëpunon me 3 agjenci doganore, njëra “Elite Brokers 2020 Sh.p.k” e vëllait të Olta Xhaçkës, të cilave u ka krijuar monopolin e aktivitetit doganor brenda Portit.
Ky krim i organizuar financiar është denoncuar, por është fshehur brenda zyrave të Portit Detar, ndërsa tani ka dalë e ka përfunduar për hetim në SPAK; por sipas informacionit, nga SPAK nuk ka nisur asnjë veprim.
Ndoshta, SPAK nuk po vepron, ngaqë pazaret në Portin e Durrësit bëhen nga Babloku dhe lejet për të vjedhur të ardhurat e shtetit bekohen prej tij, ndërsa drejtor Pirro Vengu vetëm i zbaton me bandën e tij zyrtare, siç bënte deri në tetor 2019 kur ishte Drejtor i Antikorrupsionit në Kryeministri. /Pamfleti
Lini një Përgjigje