
Skandali i Ndraghetës dhe heshtja e Ramës: Kur mafia merr oksigjen nga qeveria shqiptare...
Pas nisjes së hetimeve në 2021 për lidhjet e Edi Ramës me grupin mafioz “Ndragheta”, tenderët e oksigjenit jo vetëm nuk u ndalën, por u shumëfishuan. Me Besnik Halilin si “njeri të besuar” dhe ministra të shëndetësisë si ortakë të heshtur, miliona euro qarkullojnë në emër të jetës, dhe shkojnë në xhepat e krimit të organizuar.
Pas shpërthimit të skandalit për lidhjet e kryeministrit Edi Rama me drejtuesit e grupit mafioz italian "Ndragheta", u mendua se do të ndërpritej menjëherë biznesi i tyre në Shqipëri, sidomos tenderat për furnizimin me oksigjen të sistemit shëndetësor në kulmin e pandemisë. Por ndodhi e kundërta: lidhjet u thelluan, dhe pazari vazhdon akoma sot.
Kompania "Gazra Teknike Shqiptare sh.p.k.", e cila kontrollohet nga bosët Antonio Gallo, Antonio Speziali e Claudio Larusa, vazhdon të fitojë tenderë me dhjetëra milionë euro, në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë Rama dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Përfaqësues i saj në Shqipëri është Besnik Halili, bashkëshort i ish-drejtoreshës Luneda Sufali, dikur në drejtim të mbikëqyrjes së lojërave të fatit dhe të Shërbimit Social Shtetëror.
Kjo dyshe familjare kontrollon jo vetëm tenderat e oksigjenit në qendrat spitalore dhe spitalet rajonale, por ka ndërthurur edhe rrjet paralel kompanish fiktive, të krijuara vetëm për të larë paratë dhe shpërndarë fitimet e pista. Midis tyre janë: "Hydro Energy Sotira", "Idro Energia Pulita", "Adr-Trans", "Green Tech", "N3H", "Messer Albagaz", "Sofigaz", "Sapio Produzione Idrogeno".
Hetimet e SPAK, në bashkëpunim me BKH dhe Prokurorinë Italiane, nisën zyrtarisht më 25 janar 2021, me “Çështjen nr. 17”. Më 20 maj 2024, u sekuestruan telefonat, dokumentet, USB dhe dosjet e tenderave nga zyrat e "Gazra Teknike". Por siç ndodh shpesh në Shqipëri, më shumë se hetim penal, kemi të bëjmë me një operacion fiktiv qetësimi të opinionit publik.
Ndërkaq, tenderat vijojnë, lidhjet forcohen, dhe askush nuk guxon të prekë një kompani të lidhur me strukturat më të rrezikshme të krimit të organizuar italian. SPAK hesht. Ministria e Shëndetësisë firmos. Drejtorët e spitaleve zbatojnë. Dhe mbi të gjithë, Edi Rama e mban gjithçka në mbështetje politike.
Kjo është panorama reale e shtetit shqiptar, në të cilin tenderat e oksigjenit janë oksigjeni jetik i mafies./Pamfleti
Lini një Përgjigje