TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 9 Qershor 2025, 15:07

‘Investimet Arabe’, lavatriçja globale ku Edi Rama pastron paratë e krimit dhe korrupsionit

Shkruar nga Pamfleti

 ‘Investimet Arabe’, lavatriçja globale ku Edi Rama pastron

Pas dështimit të Amnistisë Fiskale, Edi Rama ka ndërtuar një aleancë me rrjetet mafioze të Dubait, duke i kthyer marrëveshjet shtetërore në skema zyrtare për pastrimin e parave që dalin nga Shqipëria dhe kthehen si “investime arabe”...

Për katër vite radhazi, kryeministri Edi Rama bëri çdo përpjekje të mundshme për të miratuar amnistinë e miliardave të korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke mos i kërkuar burimin çdo shqiptari apo të huaji që do të fuste deri në 2 milionë euro në Shqipëri. SHBA e bllokoi skenarin e amnistisë fiskale dhe Rama u detyrua ta anulonte në heshtje, por gjeti "kanale" alternative në shtete jashtë SHBA-BE-së për të amnistuar paratë e zeza të krimit, duke i nxjerrë nga Shqipëria e duke i futur përsëri si investime në ndërtime.
Si qendër për qarkullimin dhe pastrimin e parave të zeza të qeveritarëve dhe grupeve kriminale shqiptare e të huaja, Rama ka zgjedhur Dubain, lavatriçen më të madhe financiare, ku qeveria dhe drejtësia nuk verifikojnë burimin e fondeve. Tamam si në Shqipëri, ku për financimin e kullave, pallateve, hoteleve, resorteve dhe komplekseve rezidenciale nuk kërkohet burimi i të ardhurave, ndonëse ligji antimafia detyron qeverinë ta verifikojë atë.
Lidhjet me mafien e Dubait, Rama i vendosi përmes krerëve dhe sekserëve të saj në qeverinë dhe qarqet e biznesit të Emirateve Arabe, si Mohamed Alabbar, i maskuar si sheik, dhe përmes lobistëve pazarxhinj europianë, si dhe pushtetarë e mafiozë nga Turqia, Rusia, Kina, Serbia, Bjellorusia, Arabia Saudite, Bullgaria, India, Izraeli, Malta, Rumania dhe Hungaria. Këta janë pjesë e rrjeteve të pastrimit të parave përmes Dubait.
Pazaret me ta, Rama i maskoi si marrëveshje bashkëpunimi ekonomik midis Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë së Emirateve Arabe, të miratuara në Kuvend vetëm me votat e PS-së dhe 3 deputetëve të Tomë Doshit. Në fakt, këto janë marrëveshje private të qarqeve mafioze brenda dhe jashtë të dy qeverive, të cilat kanë ndërtuar një skemë të formalizuar për pastrimin e parave të krimit dhe korrupsionit.
Roli i Ramës në këtë skemë është të lejojë transferimin e miliona eurove të krimit dhe drogës në Dubai, ri-futjen e tyre në Shqipëri dhe ri-transferimin përmes kompanive fantazmë të mafiozëve të maskuar me çallma sheikësh. Këto para prezantohen si "investime arabe", ndërsa në fakt janë transferime kriminale. Një shembull është projekti i kullave dhe pallateve “Alabbar” mbi 820 mijë m² truall shtetëror në portin e Durrësit, të cilin Rama ia dhuroi investitorëve nga Dubai si gjoja investim turistik.
Me një ligj të posaçëm, Rama u dha mafiozëve të Dubait edhe koncesionin për pullat fiskale dhe prodhimin e bonove të thesarit të Bankës së Shqipërisë. Këto janë dy kanale të hapura për kontrabandë dhe për futjen e parave të pista në sistemin bankar shtetëror dhe privat, përmes skemave të gjoja borxheve të qeverisë ndaj individëve.
Vetëm gjatë viteve 2017–2024, qeveria shqiptare ka marrë 1.2 miliardë euro borxhe nga individë dhe kompani shqiptare e të huaja, përfshirë oligarkë, trafikantë, ndërtues, zyrtarë dhe deputetë. Madje, borxhe nëpërmjet bonove të thesarit kanë dhënë edhe prokurorë, gjyqtarë, drejtues policie dhe të SHISH-it, të cilët i kanë deklaruar në ILDKPKI por pa u hetuar burimi i të ardhurave të tyre.
Në raportet e DASH, FBI-së dhe Thesarit Amerikan të Shtetit, Shqipëria është skeduar si kanal i ndërsjellë i transferimit të parave të pista përmes disa bankave të huaja në territorin shqiptar, që janë ortakë me rrjetin ndërkombëtar të pastrimit të parave me bazë në Dubai. /Pamfleti

investime arabe pastrim parash edi rama

Lini një Përgjigje