TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia23 Maj 2026, 11:49

Grabitja e tokave publike: nga “pikat e voçkla” të Mirela Kumbaros te “copëzat” e Elira Kokonës

Shkruar nga Pamfleti
Grabitja e tokave publike: nga “pikat e voçkla” të
Mirela Kumbaro dhe Elira Kokona /

Posta Kufitare në Dhërmi (1800 m² buzë detit) është 'copëza' e radhës që do t'u jepet ndërtuesve private, me justifikimin se do të financojnë 'Qendrën e Shërbimeve Publike në Palasë'. Drejtoresha Elira Kokona ka firmosur dhurimin e 320 mijë m² trojeve shtetërore për kulla e pallate, nga stadiumet te 'Durana Tech Park' e tokat te Garda e Republikës. E njëjta skemë si 'Investitori strategjik', '100 fshatrat turistikë' apo edhe 'pikat e voçkla' të Mirelës...

Për të vazhduar grabitjen e sipërfaqeve të tokave dhe trojeve publike në bregdet, Tiranë, Durrës, Vlorë, Sarandë e kudo ku kanë interesa ndërtuesit e lidhur me kupolën e pushtetit, kryeministri Edi Rama po zbaton një projekt të quajtur "Copëzat".

Ky projekt është skemë tjetër e zhvatjes së pasurive, nëpërmjet maskës së partneritetit publik privat, sipas të cilit, ata ndërtues që kanë sipërfaqe tokash e trojesh, kanë të drejtë të marrin toka shtetërore që i kanë ngjitur, kundrejt këmbimit me sipërfaqe ndërtimi atje ose në zona të tjera.

Këto toka e troje shtetërore që kanë filluar t'u jepen privatëve quhen "copëza", pavarësisht sipërfaqeve që kanë, sepse kështu janë klasifikuar në projektin "Copëzat" që ka sajuar dhe miratuar Edi Rama me vendim qeverie.

"Copëza" e radhës që është bërë gati t'i jepet ndërtuesve privatë është Posta Kufitare në Dhërmi, me sipërfaqe 1800 m² buzë detit, në një nga zonat preferenciale për investime hotelerie, me justifikimin se privati do të financojë "Qendrën e Shërbimeve Publike në Palasë".

Projektin "Copëzat", kryeministri Edi Rama ia ka ngarkuar për zbatim Drejtoreshës së Korporatës Shqiptare të Investimeve, Elira Kokona, "dorës" që ka firmosur grabitjen e mijëra metra katrorë tokash e trojesh pronë shtetërore.

Në maskën e ringjalljes së stadiumeve Durrës, Korçë e Vlorë dhe të stadiumit "Selman Stërmasi", pallatit të sportit "Asllan Rusi", Pallatit të Kongreseve, Agjencisë Telegrafike Shqiptare, godinës së Kadastrës dhe godinave të reja të disa institucioneve, drejtoresha Elira Kokona ka firmosur dhurimin e 320 mijë m² "copëza" trojesh pronë shteti, ku privatët do të ndërtojnë kulla e pallate.

"Copëz" u quajt sipërfaqja 262 mijë m² tokë e Qendrës së Antenave në Xhafzotaj, të cilën kryeministri Edi Rama ia hoqi Radio-Televizionit Shqiptar dhe me firmë të Elira Kokonës ia dhuroi grupit "Agasi" për gjoja aktivitetin e "Durana Tech Park".

"Copëz" u quajt dhe 2600 m² tokë te Garda e Republikës pranë Liqenit Artificial të Tiranës, e dhuruar për ndërtime kullash kompanisë "X-One" sh.p.k. të Ylli Ujkës e Ilir Trebickës, me justifikimin se do të financojnë mjediset e Bibliotekës Kombëtare.

Përmes projektit "Copëzat", kryeministri Edi Rama, nëpërmjet Drejtoreshës së Korporatës së Investimeve, Elira Kokona, u dhuron privatëve sipërfaqe tokash shtetërore që janë në kufi me prona private; në këmbim të të cilave, shteti thotë se do të marrë sipërfaqe ambientesh në ato ndërtime, ose në zona e qytete të tjera.

Ndërsa nëpërmjet projektit tjetër "Hospitality Albania", u janë dhënë privatëve rezidencat qeveritare në Sarandë, Vlorë, Shkodër e Dajt dhe vila e ish-diktatorit Enver Hoxha në qendër të ish-Bllokut.

Çdo 2 vjet, kryeministri Edi Rama dhe mafia e ndërtimit me të cilën është bashkuar në interesa sajojnë projekte me të cilat grabisen tokat dhe trojet publike, siç janë projektet "Investitori strategjik", "100 fshatrat turistikë" dhe "Paketa e maleve", pa harruar skemën "pikat e voçkla" të ministres Mirela Kumbaro./Pamfleti

 

pikat e voçkla mirela kumbaro copëzat e elira kokonës

1 Komente

  1. S
    Sokrati

    Yxhym per kocka,rembej te rembejme sa kemi udheheqesin historik e legjendar,gjithe diturakun Edi ne krye te cifligut,te Shqiperise.

    Lini një Përgjigje