
Si po tenton qeveria të favorizojë oligarkët e kullave dhe resorteve...
Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka dhënë një tronditje qeverisë lidhur me buxhetin e ri. Te paketa fiskale, ekzekutivi parashikon një “paqe fiskale”, por që shihet me dyshim nga ndërkombëtarët.
Shefja e misionit të FMN, Anke Weber, e ka refuzuar hapur konceptin e Paqes Fiskale dhe fshirjen masive të borxheve që qeveria ka përfshirë në paketën e re fiskale.
Gjatë konferencës për shtyp sot, Weber u pyet për marrëveshjen e Paqes Fiskale dhe skemat e faljeve dhe dha një paralajmërim të drejtpërdrejtë. Ajo tha se FMN ka parë draftin dhe ka vënë re përparim në disa drejtime, por nënvizoi se elementë të rëndësishëm të propozimit rrezikojnë drejtësinë fiskale.
“Kemi parë draftin e fundit të paketës dhe vërejmë se qeveria ka bërë përparim të konsiderueshëm gjatë vitit të fundit në forcimin e administrimit të të ardhurave, në përputhje me këshillat tona. Megjithatë, kemi shqetësimin se disa prej elementeve të propozimit mund të minojnë progresin e fundit të Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të krijojnë disa rreziqe për përmbushjen dhe drejtësinë fiskale”, deklaroi Weber në konferencë.
Paralajmërimi i saj bie drejtpërdrejt mbi Paqen Fiskale, një skemë që qeveria e paraqet si marrëveshje vullnetare me bizneset për parapagim tatimi kundrejt moskryerjes së kontrolleve për një vit. Në realitet skema ndryshon formulën e tatimit mbi fitimin dhe krijon avantazh të madh për industrinë e kullave dhe resorteve.
Sipas projektligjit, bizneset me të ardhura mbi 14 milionë lekë që deklarojnë paraprakisht rritje fitimi me 18 përqind marrin të drejtën të hyjnë në marrëveshje me administratën tatimore. Fitimi i deklaruar taksohet me 15 përqind. Çdo fitim mbi këtë nivel tatohet vetëm me 5 përqind.
Drafti lejon rideklarim të pasqyrave të pesë viteve të fundit me tarifë 5 përqind. Ky mekanizëm u jep mundësi të qartë bizneseve që alokojnë fitimin sipas dëshirës dhe FMN e sheh këtë si rrethanë që krijon pabarazi të dukshme mes tatimpaguesve. Ndërtuesit e kullave dhe resorteve kontrollojnë kohën e kontratave dhe të arkëtimeve.
Kjo u jep atyre aftësi që të manipulojnë ritmin e fitimeve dhe të përfitojnë nga ulja drastike e tatimit. Bizneset e zakonshme nuk e kanë këtë mundësi. Për ta rritja e paracaktuar me 18 përqind është risk financiar. Për zhvilluesit e kullave kjo është manovër e thjeshtë. Ky është thelbi i kritikës së FMN.
Në paketë hyn edhe fshirja e gjerë e borxheve tatimore dhe doganore. Drafti i fshirjes përcakton shuarje të plotë të detyrimeve të mbetura deri më 31 dhjetor 2014. Shuma arrin rreth 525 milionë euro. Në Dogana pjesa më e madhe janë gjoba dhe kamatëvonesa me vlerë 200 milionë euro. Për detyrimet e periudhës 2015 deri 2019 parashikohet shuarje e pjesshme me kusht që bizneset të paguajnë 50 përqind deri më 30 qershor 2026 ose 75 përqind deri në fund të vitit 2026. Për detyrimet e krijuara nga 2020 deri 2024 fshihen vetëm gjobat dhe kamatëvonesat me kusht të paguhet i gjithë principali.
FMN e lidh rrezikun e skemës së Paqes Fiskale me favorizimin e një grupi të ngushtë biznesesh që kanë fleksibilitet të manipulojnë fitimet vjetore. Paralajmërimi i Weber e vendos qeverinë në pozitë të vështirë. Drafti shtyn drejt një modeli ku ndërtuesit e mëdhenj paguajnë më pak se bizneset e zakonshme. Reagimi i FMN nxjerr në pah një problem që qeveria e ka anashkaluar. Paqja Fiskale krijon pabarazi dhe rrezikon të transformohet në mjet lehtësues për sektorët që prej vitesh përfitojnë trajtim preferencial. /Pamfleti
Lini një Përgjigje