
Dy standardet e Ramës, drejtësia e sulmuar dhe lokalet e “tokës së xanun” të klientëve të tij...
"Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun”?"
Kjo deklaratë e para ca ditëve e Ramës është tipike për stilin e tij: e bën spektaklin, sulmon gjyqtarët duke përdorur ironinë primitive të “çfarë ka ngrënë gjykatësi”, dhe krijon narrativën sikur qeveria është kampioni i interesit publik. Por problemi është se ky diskurs përplaset me realitetin e dy standardeve, dhe aty Rama ekspozohet.
Nga njëra anë ai sulmon gjyqtarë si Klarent Demiri, që kanë marrë vendime për të pezulluar ekzekutimin e çlirimit të disa hapësirave publike, duke e akuzuar se po cënon interesin publik dhe “Shqipërinë 2030 në BE”.
Nga ana tjetër, i njëjti kryeministër nuk bën asgjë për raste të ngjashme, por shumë më flagrante, si rasti i hapësirave publike të zëna nga lokali i Gaz Demit, i njohur si 'Juna', në mes të Tiranës. Ky lokal është simboli i “tokës së xanun”, ku ligji dhe vendimet e bashkisë shkelmohen, por kryeministri nuk guxon të flasë.
Pra pyetja e vërtetë është: çfarë ka ngrënë vetë Edi Rama që hesht për Gaz Demin dhe për të tjerë klientë të pushtetit? Përse guxon të turpërojë gjyqtarë publikisht, por nuk bën asnjë deklaratë për uzurpimet e hapura të njerëzve të lidhur me kupolën e pushtetit?
Ky është thelbi i dy standardeve: kur është fjala për gjyqtarë, Rama e bën heroin që mbron interesin publik; kur është fjala për klientët e tij, bëhet i verbër dhe i shurdhër. Kjo nuk është drejtësi, as reformë, është thjesht selektivitet politik i tipit “mikut i falet gjithçka, kundërshtarit i kërkohet koka”.
Nëse Kryeministri kërkon të dijë çfarë ka ngrënë gjyqtari Demiri, qytetarët kanë të drejtë të pyesin çfarë ka pirë vetë Rama që nuk sheh lokalin e Gaz Demit Juna, tokën e xanun në mes të kryeqytetit. Sepse dy standardet nuk janë reformë, janë rrëzimi i çdo besimi tek shteti./Pamfleti
Lini një Përgjigje