Skandali nuk mbyllet vetëm me pronat. Xhavit Çeka ka bërë 'namin' edhe me fondet e rindërtimit, duke i kërkuar 20-25 mln lekë banorëve për t'i futur emrat në listën e rindërtimit...
Një skemë e madhe korrupsioni ka dalë në dritë në Pezë, Ndroq dhe Vaqarr, ku zyrtarë të Partisë Socialiste kanë përvetësuar prona dhe kanë abuzuar me fondet publike, duke u pasuruar në kurriz të qytetarëve të ndershëm.
Sipas dëshmive të banorëve, ish-administratori i Pezës ka qenë një ndër orkestruesit kryesorë të skemave të falsifikimit të dokumenteve, duke i kaluar pronat publike dhe private te njerëz të afërt.
Por grabitja nuk ndalet vetëm në Pezë. Në Ndroq, administratori Xhavit Çeka, një tjetër zyrtar i Partisë Socialiste, ka përdorur të njëjtën metodë, duke kryer një tjetërsim masiv të pronave. Burime për 'Pamfletin' tregojnë se Çeka ka lidhje të forta me pastorin Toni Gogu, një emër mjaft i rëndësishëm në atë zone.
Administrator Xhavit Çeka, është i njohur për tjetërsimin dhe kalimin e një prone 30 mijë metra katrorë tek të afërmit e tij.
Por skandali nuk mbyllet vetëm me pronat. Xhavit Çeka ka bërë 'namin' edhe me fondet e rindërtimit pas tërmetit, duke zhvatur banorët që kishin humbur shtëpitë. Për të futur emrat e tyre në listat e rindërtimit, ai u ka kërkuar nga 20 deri në 25 milionë lekë për familje, një praktikë e pastër zhvatjeje dhe korrupsioni shtetëror.
Banorët e Ndroqit kanë ngritur zërin dhe kërkojnë hetim të menjëhershëm nga SPAK, por deri tani askush nuk ka lëvizur një gisht për të ndaluar këtë rrjet kriminal që ka shtrirë ndikimin e tij në çdo institucion lokal.
Hetimi për këtë skemë është në zhvillim, ndërsa dosja voluminoze e përgatitur për këtë çështje përfshin një sërë faktesh, dëshmish dhe dokumentesh, që tregojnë se si këta individë e kanë trajtuar pronën publike si plaçkë lufte.
Në vijim do të publikojmë të tjera detaje mbi veprimtarinë e Xhavit Çekës, si dhe administratorit të Vaqarrit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje