
Informacioni i parë i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), që solli nga Tropoja vendimin e Fatmir Haklajt, për të vrarë deputetin Azem Hajdari, nuk i takon degës së SHISH të Kukësit, Shkodrës apo të qendrës, në Tiranë. Për habi, ai i takon degës së SHISH të Elbasanit.
Firmosur nga Xhavit Shala, në atë kohë drejtor i SHISH në Elbasan, ai i është dërguar kreut të SHISH, Fatos Klosi, në Tiranë, më 13 maj 1998.

Kjo provë, që publikohet për herë të parë, vërteton se shteti shqiptar i kohës, ka pasur mbi tavolinë vendimin e Fatmir Haklajt për vrasjen e deputetit të Partisë Demokratike, katër muaj të plotë përpara ngjarjes.
Informacioni për degën e shërbimit sekret të Elbasanit ishte marrë në Tropojë, gjatë një ceremonie mortore. Aty Fatmir Haklaj kishte shqiptuar këto fjalë:
“Njerëzit e mi, që janë vrarë, kanë marrë gjithësejt 18 plumba. Në bazë të kanunit ne do të vrasim 18 veta nga pala tjetër. Deri tani kemi vrarë 9 veta, kemi për të vrarë edhe 9 të tjerë. Në mes të tyre që do të vriten është edhe Azem Hajdari. I kemi dërguar nëpërmjet personave të tjerë disa herë telegrame, për raste vdekjesh, për të ardhur në Tropojë, me qëllim që ta vrasim, por ai nuk ka ardhur. Pasi ta vrasim Azemin ne do të ikim në Belgjikë”.
Në fund të informacionit që vinte nga Elbasani, kishte edhe një shënim: “Sqarojmë se personi që na informon është takuar me Fatmir Haklajn në një rast vdekjeje në Tropojë, më 1 maj. Ai (Fatmir Haklaj) lëvizte i armatosur mirë, me gjithë njerëzit e tij, ishte i pajisur me radio.”

Dy ditë më pas, më 15 maj 1998, Fatos Klosi ja ka dërguar të njëjtin informacion, këtë radhë nga adresa e SHISH-it qendror, Ministrit të Rendit Publik, Perikli Teta, ndërsa ky, ja ka kaluar zëvendësit të tij, Ilir Çano, për ndjekje.
I njëjti informacion, përmes Drejtorisë së Policisë Kriminale, i është dërguar, më 30 maj 1998, edhe Drejtorisë së Policisë së Kukësit, bashkë me udhëzimet për marrje masash për arrestimin e Fatmir Haklajt.

Koha do të vërtetonte se policia nuk kishte këllqe të arrestonte Fatmir Haklajn. Ai lëvizte i lirë nëpër Tropojë duke shënjestruar kundërshtarët, ndërkohë që armiqtë i shtoheshin.
Gjithsesi kjo nuk e pengon Fatmir Haklajn, që në 12 shtator 1998, të organizonte dhe realizonte vrasjen e premtuar të deputetit Azem Hajdari.
Megjithë paralajmërimin në kohën e duhur, më 12 shtator 1998 shërbimi sekret shqiptar dështoi. Ai nuk mundi ti dërgonte policisë asnjë informacion për njerëzit, të cilët, të organizuar, kishin zbritur nga Tropoja dhe po lëviznin nëpër Tiranë me të vetmin qëllim që të vrisnin Azem Hajdarin. /Pamfleti

Lini një Përgjigje