Elvis Naci, i vetëshpalluri bamirës i popullit, përdor copyright-in për të heshtur zërat që zbulojnë pasuritë e tij të dyshimta. Një video investiguese e fshirë nga YouTube zbulon se pas “lutjeve” dhe “donacioneve”, qëndron një perandori luksi, pasurish dhe transaksionesh të errëta.

Në epokën ku gjithçka është e dokumentuar, ku çdo video është një provë dhe çdo fjalë e thënë publikohet përtej kufijve të censurës, Elvis Naçi, hoxha i kthyer në milioner, vendosi të luftojë ndryshe: me "copyright strike" në YouTube.
Ditën e sotme, kanali ynë i Youtube u godit me një strike zyrtar, me kërkesë nga kanali “Shqiptarët për Shqiptarët”, nën kontrollin e drejtpërdrejtë të rrjetit të Naçit. Shkaku? Një fragment 13-sekondësh nga një video bamirësie e përdorur brenda një materiali investigativ 6-minutësh me titull:
“Pasuritë e fshehura të ‘sheikut’ Elvis Naçi”.
Por çfarë kishte ky material që detyroi hoxhën të veprojë me censurë dixhitale?
Milionat që avullojnë në emër të Zotit
Investigimi i publikuar më 27 korrik, bazuar në dokumente nga QKB, bilance financiare dhe burime të brendshme, ngrinte alarmin për një skemë të dyshimtë me miliona euro të mbledhura për tërmetin e 2019-ës. Fondacioni Firdeus, i drejtuar nga Elvis Naçi dhe vëllai i tij Ilir Naçi, deklaroi mbi 9.5 milionë euro donacione. Por kostot reale të ndërtimit për 168 banesa arrijnë në më pak se 3.8 milionë euro.
Diferenca prej 5.7 milionë eurosh nuk justifikohet askund.
Paralelisht, në këtë periudhë, Naçi ble një spital me 350 mijë euro dhe e shet për 850 mijë euro dy vite më vonë, duke qarkulluar afro 6 milionë euro përmes një ndërmarrjeje me humbje. Ky cikël ngre alarmin për pastrim të parave përmes një strukture bamirësie me karakter tërësisht familjar.
Përgjigja e Naçit ndaj këtij investigimi nuk ishte përmes sqarimit publik, as përmes padisë civile për shpifje (nëse kishte pretendime të tilla). Ai përdori një taktikë të neveritshme për një figurë publike që predikon lirinë dhe drejtësinë: heshtjen përmes shantazhit dixhital.
Përmes një “copyright strike” në YouTube, videoja u fshi. Ironikisht, fragmenti që u përdor si shkak ishte një pjesë pa zë, pa pretendim komercial, por që përdorej në kuadër të ligjit të “fair use”; për qëllime denoncimi publik.

Naçi e di që nuk mund ta përballojë debatin me fakte. Prandaj përdor censurën.
P.S.... Hoxhë, nuk e mposht dot Pamfletin me 'strike'.
Epoka e re digjitale të jep mundësinë të flasësh kudo. Dhe nuk ka hoxhë, prift, kryeministër apo president që mund ta mposhtë fjalën e lirë.
Për këtë, ji i sigurt!
VIDEO QË ELVIS NAÇI NUK DO QË JU TA SHIHNI
Lini një Përgjigje