
Situata është përshkallëzuar me shpejtësi, ndërsa forcat e policisë kanë ndërhyrë menjëherë për të evakuuar banorët nga shtëpitë e kërcënuara nga flakët.
Një zjarr masiv ka përfshirë pasditen e sotme fshatin Hoshtimë në qytetin e Vlorës. Sipas raportimeve të para, flakët kanë përfshirë fillimisht zonën e varrezave të fshatit, duke i djegur tërësisht dhe më pas janë përhapur me shpejtësi drejt banesave aty pranë dhe ullishteve përreth.
Situata është përshkallëzuar me shpejtësi, ndërsa forcat e policisë kanë ndërhyrë menjëherë për të evakuuar banorët nga shtëpitë e kërcënuara nga flakët. Njëkohësisht janë larguar edhe bagëtitë nga stallat, për të shmangur humbje të mëtejshme.
Aktualisht në terren ndodhen dy mjete zjarrfikëse që po përpiqen të vënë nën kontroll zjarrin, i cili favorizohet nga era dhe thatësira. Ndërkohë, është aktivizuar edhe Forca e Armatosur, nga ku një helikopter është nisur për të ndërhyrë nga ajri dhe për të shuar flakët që po i afrohen zonave të banuara.
Një banor i fshatit tha se dëmi është kolosal, ndërkohe që zjarri ende është aktiv dhe dëmet mund të bëhen edhe më të mëdha.
“U thaftë ajo dorë që ka vënë zjarr dhe dëm I madh na u bë. Të gjitha pyjet u shuan. Po rrezikohen shtëpitë… e të gjitha, ullinjtë po digjen. Varrezat e dogjën, me selvi, e me të gjitha. Është bërë dëm i madh”, tha ai.
Lini një Përgjigje