TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Korrik 2025, 17:24

Zjarr i madh edhe në Dimal, terreni i thyer vështirëson ndërhyrjen

Shkruar nga Pamfleti

Zjarr i madh edhe në Dimal, terreni i thyer vështirëson

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e sotme zonën kodrinore të fshatit Konisbaltë në bashkinë Dimal, duke rrezikuar një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi të thatë. Vatra e parë u regjistrua në kufirin me fshatin Mbreshtan, por për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta, flakët u përhapën me shpejtësi, duke vënë në rrezik një hapësirë të gjerë.

Zjarrfikësit e Dimalit kanë ndërhyrë menjëherë, ndërsa për të përballuar situatën iu bashkuan edhe grupet e emergjencës nga Berati me tre mjete zjarrfikëse dhe 20 efektivë, si dhe forcat e bashkisë Kuçovë me një mjet zjarrfikës dhe katër efektivë shtesë. Për shkak të terrenit të thyer, ndërhyrja është bërë kryesisht me mjete të dorës dhe pompa uji portative.

Pas disa orësh pune intensive, ekipet kanë arritur të lokalizojnë flakët, por disa vatra vijojnë të jenë aktive dhe mbahen nën monitorim për të shmangur riaktivizimin. Autoritetet u bëjnë apel banorëve të tregojnë kujdes dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet e emergjencës në rast të ndonjë rreziku të ri.

Lini një Përgjigje