
Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz...
Delvinë dhe Senica po përballen me një situatë dramatike nga zjarret e fuqishme që kanë përfshirë disa fshatra. Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz të Bashkisë Delvinë, për shkak të flakëve që kanë dalë jashtë kontrollit prej më shumë se tre orësh.

Në Delvinë, shefi i Komisariatit, Naim Lala, është asfiksuar dhe ndodhet në spital, bashkë me persona të tjerë, numri i të cilëve ende nuk dihet. Ambulanca nga Saranda dhe Delvina po mbështesin operacionin, ndërsa ushtria është angazhuar për të ndihmuar në terren. Dy helikopterë të Forcës Ajrore po punojnë për të shuar flakët, të cilat u përhapën me shpejtësi për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta që nga pasditja e së enjtes.

Në Senicë, banorët përshkruajnë një skenë tmerri. Katër banesa dhe qindra pemë frutore janë zhdukur në Senicë, ndërsa banorët u përballën me orë tmerri, në një përpjekje për të shpëtuar jetën dhe ato pak gjëra që mundën të nxirrnin nga flakët.
Disa zjarre janë vënë nën kontroll sot pas ndërhyrjes nga ajri, por energjia elektrike mungon në Vergo, Kalasa, Tatzat dhe Senicë për shkak të dëmtimit të telave elektrikë. Ndërkohë, zjarre të tjera po shkatërrojnë Parkun Kombëtar të Lurës, ku tre vatra aktive në zonën e Liqenit të Luleve po dëmtojnë pishat dhe bimësinë.

Flakët kanë shkrumbuar banesa dhe Kishën e Shën Dhimitrit në Senicë, një monument kulture i rrallë dhe simbol i identitetit historik të zonës. Fshati Senicë është mbuluar nga hiri, ndërsa katër banesa dhe qindra pemë frutore janë shkatërruar.
Në terren janë angazhuar mbi 100 forca, të mbështetura nga një avion Canadair nga Kroacia. Në Mirditë, zjarri në Shkopet ka përparuar drejt fshatit Fang, duke rrezikuar antenat e zonës dhe duke lënduar punonjës të bashkisë.

Sipas Emergjencave Civile, në të gjithë vendin janë aktive 10 vatra zjarri, me 680 forca operacionale, 52 mjete zjarrfikëse, dy helikopterë të Forcës Ajrore, dy helikopterë hungarezë dhe një avion kroat në ndihmë.
Deri tani, vetëm dy persona janë proceduar penalisht për zjarrvënie në Kakavijë dhe Dovolan të Korçës. Situata mbetet alarmante, ndërsa autoritetet po bëjnë përpjekje për të vënë në kontroll situatën.
Lini një Përgjigje