
Universitetet publike të vendit këtë të premte iu nënshtruan zgjedhjeve akademike për rektor, dekanë dhe për senatin akademik.
Votimi për rektor, dekan, shefa departamentesh dhe Senate Akademike në universitete u shoqërua me parregullsi në kryeqytet.
Në universitetin e Tiranës dhe te Politekniku, media u përball me mungesë transparence dhe bllokim të raportimeve.
Procesi i votimit, i cili u hap në orën 8:00 të kësaj të premteje dhe u mbyll në orën 16:00, nuk pati pjesëmarrje të lartë, teksa u duk se jo të gjithë zgjedhësit ishin shfaqur me dëshirë për të votuar.
Edhe pse ethet munguan te Universiteti i Tiranës, ku rektori Artan Hoxha kërkonte një mandat të dytë pa rival, njëjtë edhe në Universitetin Bujqësor, Fatbardh Sallaku, edhe për kandidatin e vetëm Agron Kasa, në Universitetin e Sporteve dhe Xheladin Dracini te Mjekësia, ashtu edhe te Politekniku me zv/rektorin Akli Fundo, që kërkon pa kundërshtar pozicionin e rektorit, rregullorja përcakton një kusht për vlefshmërinë e votave.
Kur në zgjedhjet për organet drejtuese të universiteteve ka vetëm një kandidat, fleta e votimit parashikon mënyrën e votimit me pro ose kundër. Dhe kur ka mbi 50% të votave kundër, nuk njihet rezultati dhe do duhet të përsëriten zgjedhjet.
Në Universitetin e Arteve, me 3 vota më shumë të pedagogëve fitoi Erald Bakalli përballë Artan Peqinit.
Rezultat i ngushtë votash ishte dhe në Shkodër ku u zgjodh Tonin Gjuraj, duke i hequr mundësinë e një mandati të dytë rektores aktuale Rajmonda Kcirës dhe kandidates tjetër Nertila Ljarja.
Në Korçë me gati 50% të votave fitoi Lorenc Ekonomi në Universitetin Fan Noli, teksa u rendit në vend të dytë Robert Damo e pas tij Irena Nikaj.
Në Durrës votat e pedagogëve kanë zgjedhur Shkëlqim Fortuzin si rektorin e “Aleksandër Moisiut” për katër vitet e ardhshme, në diferencë të ngushtë me profesorin Osman Metallën.
Në Vlorë, në garën me tre kandidatë, fitoi Aurela Saliaj.
Në Elbasan, me rreth 90% të votave u zgjodh Elvira Fetahu, që deri tani mbante postin e zv/rektores.
Edhe në Gjirokastër, fitorja është e sigurt për kandidatin e vetëm Jaho Cana.
Rektorët e rinj
Universiteti i Tiranës: Artan Hoxha
Universiteti Politeknik: Akil Fundo
Universiteti i Mjekësisë: Xheladin Draçini
Universiteti i Arteve: Erald Bakalli
Universiteti Bujqësor: Fatbardh Sallaku
Universiteti i Sporteve: Agron Kasa
Universiteti i Durrësit: Shkelqim Fortuzi
Universiteti i Shkodrës: Tonin Gjuraj
Universiteti i Korçës: Loren Ekonomi
Universiteti i Vlorës: Aurela Saliaj
Universiteti i Elbasanit: Elvira Fetahu
Lini një Përgjigje