
Teksa janë mbushur pak orë nga vendimi i Kuvendit të Shqipërisë, për miratimin e kërkesës së Prokurorisë SPAK, duke dhënë autorizimin për arrestimin e ish-Ministrit të Financave njëherësh dhe ish-zv/kryeministrit, Arben Ahmetaj, tashmë dosja penale i është transferuar gjykatës.
“Ora News” raporton se materiali voluminoz për Arben Ahmetaj dhe persona të tjerë, është zbritur në gjykatë për analizim dhe tashmë vlerësimi final i arrestit, pritet të firmoset në vijim nga gjyqtari Erjon Bani.
Bani, është gjykatësi që ndjek vijushmërinë e hetimeve paraprake të procedimit penal nr. 277/1 dhe domosdoshmërisht brenda javës që vjen duhet të dalë me një vendim gjyqësor, ku do pranojë ose jo arrestimin e Ahmetaj.
Por mësohet se në këtë dosje nuk është vetëm emri i Arben Ahmetaj, por dhe i personave të tjerë.
Një burim pranë SPAK, tha për “Ora News” se mes personave të tjerë që është kërkuar arrestimi, mësohet të jetë emri i Mirel alias Klodian Mërtiri, Klodian Zoto, të cilët megjithëse janë shpallur në kërkim për inceneratorin e Elbasanit, tashmë akuzohen sërisht për episod tjetër penal.
“…duket se në total janë 6 deri në 8 persona që SPAK, ka kërkuar nga Gjykata e Posaçme vendosje e masës së arrestit…”- thanë burimet.
Zërat flasim se SPAK ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë edhe për Erjola Hoxhën, bashkëjetuesen e Arben Ahmetaj. Gjithashtu pjesë e listës, janë disa emra biznesmenësh.
Disa nga biznesmenët, emra e të cilëve dolën dhe në relacionin që SPAK i vuri në dispozicion Këshillit të Mandateve, njësoj si Ahmetaj janë larguar nga Shqipëria, pas frikës së arrestimit të mundshëm nga SPAK.
Arben Ahmetaj, akuzohet nga dy prokurorët e SPAK Altin Dumani dhe Enkelejda Millonai, për akuzën e “Fshehjes së pasurisë”, “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.
Lini një Përgjigje